1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Testi kryesor: pranimi i rezultatit nga pala humbëse

9 Maj 2011

Në Shqipëri ka filluar në orët para të ditës së sotme faza e numërimit të votave, që zgjedhësit u dhanë dje, në zgjedhjet vendore të rradhës, kandidatëve për kryetarë bashkie dhe drejtues të tjerë të qeverisjes vendore.

https://p.dw.com/p/11C9x
Duke votuar në Tiranë
Duke votuar në TiranëFotografi: DW

Faza e parë e zgjedhjeve të djeshme lokale, ajo e votimit, u karakterizua nga pjesëmarrja e konsiderueshme e zgjedhësve dhe normaliteti, cilësi këto që nuk i errësuan disa incidente sporadike. Testi kryesor, që do ta ndajë Shqipërinë nga historia e deritanishme e zgjedhjeve të kontestuara dhe do të dëshmojë për ecurinë e saj demokratike, pritet të jetë pranimi i rezultatit nga pala humbëse, mesazh ky i dhënë palëve nga BE dhe faktori ndërkombëtar.

Me një pjesëmarrje prej 50,9 % të votuesve në mbarë vendin është mbyllur mbrëmë procesi i votimit për zgjedhjet lokale. Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë proces "dinjitoz, të drejtë dhe të ndershëm" dhe garantoi zbatimin e ligjit në procesin e numërimit. “Ligji shqiptar i numërimt të votave dhe përdorim i teknologjisë më të përparuar, të instaluar në çdo qëndër votimi, jep shansin për numërimin më të saktë të deritanishëm", tha Beris

Vlerësim dhe kritika ndaj procesit të votimit

Një automjet me postera elektorale në Tiranë
Një automjet me postera elektorale në TiranëFotografi: dapd

Por procesi i votimit është perceptuar pothuaj në mënyra të kundërta nga Lulzim Basha dhe Edi Rama, dy kandidatët rivalë për të kryesuar bashkinë e Tiranës, më të rëndësishmen dhe më të madhen në Shqipëri.

Kandidati i koalicionit qeverisës” Aleanca për qytetarin”, Lulzim Basha, në një deklaratë në orët e para të mëngjesit të sotëm e vlerësoi procesin e votimit, "për atmosferën e qetë të respektit reciprok dhe të qytetarisë”.

Edhe Edi Rama, rivali i tij, lideri i opozitës dhe kandidat i koalicionit opozitar, “Aleanca për të ardhmen", që kandidoi dje për mandatin e tij të katërt në krye të bashkisë së kryeqytetit, në një deklaratë në orët e para të mëngjesit të sotëm e vlerësoi procesin e djeshëm të votimit si më të mirin e deritanishëm në ekran, por të dëmtuar, sipas tij, nga dhuna e qeverisë. “Këto ishin zgjedhjet më të mira në ekran, por më të shëmtuarat në realitetin e njerëzve të zakonshëm. Ndaj tyre është ushtruar presion, kërcënime dhe janë bërë përpjekje për të ushtruar të gjithë trysninë e shtetit. Procesi i deritanishëm zgjedhor ka ofruar shembuj spektakolarë të mospërputhjes me standartet ndërkombëtare”, tha në orët e para të ditës së sotme Edi Rama..

Pranimi i rezultatit, një tregues thelbësor i standarteve ndërkombëtare

Poster i koalicionit opozitar, “Aleanca për të ardhmen"
Poster i koalicionit opozitar, “Aleanca për të ardhmen"Fotografi: picture-alliance/dpa

Mospranimi i rezultatit nga pala humbëse dhe kontestimi i tij ka karakterizuar pothuajse të gjitha proceset zgjedhore në Shqipërinë post-komuniste. Prandaj ndryshimi i kësaj tradite dhe hapja e një faqeje të re, ku pala humbëse të pranojë rezultatin, përbën, në rsatin e Shqipërisë, një nga standartet kryesore ndërkombëtare dhe njëherazi testin për progres demokratik. Mesazhin e vendosmërisë për të realizuar këtë kthesë të shumëpritur e dha i pari kryeministri Berisha.

“Partia Demokratike,” koalicioni politik i drejtuar prej saj “Aleanca për qytetarin”është e vendosur të pranojë çdo rezultat. I bëj thirrje edhe kundërshtarit të shkëputet një herë dhe përgjithmonë nga praktika e deritanishme e mospranimit dhe të vendosë të njohë çdo rezultat të këtyre zgjedhjeve”, tha kryeministri Berisha, duke iu drejtuar liderit të opozitës Edi Rama.

E njëjta praktikë e deklarimit të fitores para daljes së rezultatit

Numërimi i votave në 66 qëndrat e votimit në mbarë Shqipërinë po ecën ngadale. Sa për ilustrim: nga 485 kuti votimi gjithsej në Tiranë deri tani janë numëruar vetëm 10 syresh. Ndërkohë që faza e dytë e procesit zgjedhor, ajo e numërimit, po vazhdon, është shfaqur përsëri praktika e deklarimit të fitores se zgjedhjeve në Tiranë, pa pritur përfundimin e kësaj faze. Lideri i opozitës dhe kandidati për bashkinë e Tiranës , Rama, tha sot në orët e para të mëngjesit: “Fitorja në Tiranë është e qartë. Mbetet për t'u parë thellësia e saj”.

Lulzim Basha, Kandidati i koalicionit qeverisës "Aleanca për qytetarin", për kryetar bashkie të Tiranës
Lulzim BashaFotografi: DW

Kurse Lulzim Basha, kandidat i koalicionit qeverisës për kryetar bashkie në kryeqytet, deklaroi se ishte optimist për fitoren në Tiranë, por u tregua i përmbajtur: “Kam të gjitha arsyet të ndihem jashtëzakonisht i inkurajuar nga të dhënat paraprake, nga sondazhet, nga pjesëmarrja e jashtëzakonshme, por jam i vendosur të pres numërimin e votës së fundit dhe të shpalljes së rezultatit”, tha Z. Basha.

Pranim i rezultatit do të jetë testi kryesor për BE që këto zgjedhje të cilësohen të lira, të ndershme dhe në përputhje me standartet ndërkombëtare, gjë që do jetë një tregues i qartë i progresit demokratik të Shqipërisë.

Procesi i djeshëm zgjedhor u karakterizua nga normaliteti duke lënë pas incidentet e dhunës dhe të tensionit politik, të shfaqura gjatë fushatës elektorale. Drejtori i OSBE /ODIHR-it, Janez Lenarçiç, që dje vëzhgoi nga afër procesin zgjedhor në Tiranë, e cilësoi atë "vendimtar për të ardhmen europiane të Shqipërisë". Kjo pasi kalimi i testit, që paraqesin këto zgjedhje, përbën një shans më shumë për Shqipërinë, që BE të mos refuzojë si vitin e kaluar aplikimin e saj për statusin e vendit kandidat për anëtarësim.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica