1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tensionet gjermano-greke

Jannis Papadimitriou/Angelina Verbica8 Gusht 2012

Në krizën e borxhit shumë grekë janë të prirur të flasin keq për gjermanët dhe sigurisht edhe anasjelltas. Kjo atmosferë negative nuk është surprizë, por një aspekt i populizmit të përhapur në të gjithë Evropën.

https://p.dw.com/p/15lmX
A woman holds up a placard with the image of German Chancellor Angela Merkel during a protest outside the German embassy in the Greek capital Athens, on Thursday Oct. 6, 2011. The placard reads, "Europe will become German." The small group of protesters said Germany must pay Greece reparations for its occupation of the country during WWII before Greece pays off its debts. (Foto:Kostas Tsironis/AP/dapd)
Fotografi: dapd

Gazetat bulevardeske gjermane u bëjnë thirrje "grekëve të falimentuar" të shesin ishujt e tyre për të larë borxhet dhe karikaturistët grekë e paraqesin kancelaren Angela Merkel shumë shpesh me uniformë ushtarake, ose si zbutëse kafshësh në cirk. Deklaratat negative të disa politikanëve në të dy vendet nuk e kanë thjeshtuar afrimin ndërmjet Gjermanisë dhe Greqisë.

Kjo atmosferë negative nuk është surprizë, ajo është një aspekt anësor i populizmit të përhapur në të gjithë Evropën, që përkeqësohet nga kriza, mendon Maria Gianakaki. Ajo është anëtare e sapozgjedhur e së "Majtës Demokratike" proevropiane në parlamentin e Athinës. Prandaj atmosfera e tensionuar e grekëve kundër Gjermanisë mund të luftohet vetëm në kontekstin mbarëevropian, thotë ajo.

Sondazhi: Gjermania si "vend armiqësor"

"Kriza po ngjall kudo në Europë fantomën e nacionalizmit, ideja evropiane po demonizohet pa të drejtë", kritikon Gianakaki. As Greqia dhe as Gjermania nuk janë të vetme fajtore për mjerimin e sotëm ekonomik, por kjo u duhet shpjeguar njerëzve. "Kjo është në radhë të parë detyrë e politikës në secilin vend, që për fat të keq lihet pas dore." Por me gjithë shprehjet antigjermane në shtyp dhe karikaturat ofenduese për kancelaren gjermane Merkel, politikania nuk mund të besojë, "se të gjithë grekët i shpallin gjermanët armiq dhe anasjelltas. Bëhet fjalë për raste të veçanta, për mendimet e një pakice", thotë deputetja e të "Majtëve Demokratikë".

The Greek newspaper "Democracy" is displayed at a paper stand in Athens' main Syntagma square with the main title reading "DACHAU" and "The memorandum liberate" showing German Chancelor Merkel wearing an SS uniform with a swastika, on Thursday Feb, 9, 2012. Greek Prime Minister Lucas Papademos and his coalition partners have struck a deal on new cuts demanded by creditors to secure a vital euro130 billion bailout. (Foto:Dimitri Messinis/AP/dapd)
Karikatura me Angela MerkelFotografi: dapd

Një rezultat krejtësisht tjetër tregon sondazhi i publikuar para disa muajsh, i revistës javore athinase "Epikara", që gjithnjë është kritike ndaj Berlinit. Sipas saj 76 përqind e të pyeturve e konsiderojnë Gjermaninë si "vend armiqësor", vetëm 1,5 përqind kanë ndjenjë simpatie për RFGj. Vetëm gjashtë vjet më parë, pra para shpërthimit të krizës dramatike ekonomike, 80 përqind e grekëve, sipas anketimeve, kishin simpati të veçantë për Gjermaninë.

"Unë e kam lexuar vetë artikullin dhe duhet të them, se metodologjia e shtrimit të pyetjeve të sondazhit më është dukur pak e çuditshme, thotë politologja Maria Gianakaki. Përveç kësaj shumë nga të intervistuarit e barazojnë Gjermaninë me sa duket me qeverinë gjermane, apo madje me Angela Merkelin si individ, kritikon Maria Gianakaki.

"Evropa si një nënë bamirëse, që shpërndan subvencionet"

Ajo ka studjuar shkenca politike në Athinë dhe Paris dhe përfaqëson një brez të ri të politikanëve grekë me një kualifikim shumë të mirë dhe pervojë nga jashtë. Së pari ajo do të dëshironte të hapte një diskutim të madh për Evropën, që do t'u jepte grekëve mundësi për vetëkritikë. "Në këtë mënyrë mund të shmanget ky apo ai keqkuptim për rolin e Greqisë në Evropën e Bashkuar", beson ajo.

"Deri tani në këtë vend ne nuk kemi mundur të zhvillojmë një diskutim të thellë për integrimin evropian, apo për federatën evropiane". Ajo është e trishtuar, "që për shumë grekë Evropa nuk është gjë tjetër, se sa një mama me humor të mirë, që shpërndan para dhe subvencione, me sa duket pa pritur gjë në këmbim. Kjo është një bindje krejtësisht e gabuar".

Bulletin de paie © john lee - Fotolia.com Fotolia 24587367
Evropa: një mama me humor të mirë, që shpërndan para dhe subvencioneFotografi: Fotolia/john lee

Edhe Angelos Koveos, ekspert për politikën në gazetën prestigjioze javore athinase "To Vima", sheh nevojë të madhe për të vepruar në këtë pikë në Greqi. "Përveç kësaj grekët në aspektin e menaxhimit të krizave duhet të mësojnë shumë nga gjermanët", thotë gazetari, i cili ka studiuar në Tybingen: Për shembull një qëndrim të disiplinuar ndaj financave.

Politikanët gjermanë kanë kontribuar për krijimin e gjendjes së rëndë

Për atmosferën e keqe ndërmjet Greqisë dhe Gjermanisë politikanët gjermanë nuk janë krejtësisht të pafajshëm.

"Nganjëherë bëhen përpjekje për t'ua imponuar vendeve të tjera një këndvështrim moralizues për ekonominë, sikur të jetë fjala për fajin dhe shlyerjen e fajit", kritikon Angelos Koveos. Eshtë folur që grekët të merren shembull si fajtorë. Por kështu nuk mund të funksionojë një bashkësi shtetesh. "Dhe unë besoj, se të gjithë evropianëve u është bërë ndërkohë e qartë, se kështu nuk funksionon", mendon gazetari nga Athina. Nuk janë të nevojshme tiradat moralizuese, por bisedimet në pozita të barabarta.

Koveos ngul këmbë për të larguar keqkuptimet gjermano-greke. Nga politikanët në të dy vendet ai është i zhgënjyer, sepse ata duan vetëm të profilizohen në politikën e brendshme. Por mediat serioze mund të luajnë këtu një rol pararojë, mendon gazetari athinas.

"Nuk është detyra e shtypit vetëm të pasqyrojë konfliktet, por edhe t'i interpretojë ato dhe nëse është mundësia, të tregojë zgjidhje." Edhe pse kriza aktuale e borxhit nuk është e lehtë, mediat mund të përpiqen së paku të ulin tensionin dhe të shmangin ndjenjat antigjermane apo antigreke.