1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tenderi: Anëtarësimi në BE

Pouyeh Ansari / Vilma Filaj-Ballvora18 Dhjetor 2012

27 vende janë tashmë anëtare të BE-së, disa vende të tjera aspirojnë të anëtarësohen. Por si zhvillohet procesi i aplikimit për anëtarësim? Në këtë tender fiktiv ju tregojmë se si funksionon aplikimi.

https://p.dw.com/p/170VG
Fotografi: Fotolia/Stefan Thiermayer

- Doni të bashkëveproni në një mjedis ndërkombëtar?

- Keni vetëpërgjegjësi dhe stabilitetit?

- Jeni i aftë të veproni në ekip dhe keni dëshirë të negocioni?

- Keni aftësi përshtatjeje dhe diplomatike?

- Jeni evropian?

- Jeni një shtet i vogël i tronditur prej luftërave?

 Atëherë aplikoni tani!

Ju pret një veprimtari e shumëanshme dhe me pretendime me një nivel të lartë pavarësie në veprim dhe përgjegjësie. Ne ju ofrojmë mundësi për shpalosjen e aftësive personale në një ekip dinamik të një Joint Venture, që vepron në mbarë botën.

Ne drejtojmë një institucion të sukseshëm mbi 50 vjeçar, i cili është në ekspansion të vazhdueshëm. 27 aktorët tanë drejtojnë sektorë të fuqishëm, në të cilët bashkëveprojnë një gjysmë milioni njerëz. Nëse doni të fusni këmbët në një bashkësi novatore dhe në rritje,  atëherë aplikoni tani për një antarësim ekskluziv në BE.

Kusht thelbësor: një kushtetutë demokratike
Kusht thelbësor: një kushtetutë demokratikeFotografi: Fotolia/liveostockimages

Kushtet:

Përmbushja e kritereve të Kopenhagës (të përcaktuara nga Këshilli i BE-së në Kopenhagë në vitin 1993):

-  Ju keni një kushtetutë të shtetit ligjor dhe demokratik, mbroni të drejtat e njeriut dhe respektoni minoritetet.

- Rendi juaj ekonomik orientohet në ekonominë e tregut dhe është në gjendje t'i rezistojë presionit të forcave të tregut në BE. 

- Jeni i gatshëm, të aplikoni të drejtën e bashkësisë në BE dhe ta zbatoni atë.

Nëse i përmbushni këto kritere, atëherë ndodheni vetëm dhjetë hapa larg antarësimit dhe ju duhet të kaloni procesin sa vijon.

Hapi 1: Dërgoni kërkesën për antarësim pranë Këshillit të BE-së.

Hapi 2: Këshilli i BE-së konsultohet me Komisionin e BE-së dhe vendos ta refuzojë, ose ta shqyrtojë kërkesën tuaj. Në këtë rast shqyrtohet vetëm nëse ju jeni i përshtatshëm për këtë proces.

Hapi 3: Komisioni i BE-së ju këshillon juve për aplikimin e ligjeve të BE-së dhe identifikon bashkë me ju dobësitë, që do të thotë fushat problematike në vendin tuaj. Në cilat pika ju duhet t'ia përshtasni normat tuaja atyre të BE-së? Kjo do të thotë pranimi i 34 pikave dhe harmonizimi me legjislacionin tuaj.

Hapi 4: Komisioni i BE-së i paraqet Këshillit raportet e progresit dhe në rast të zhvillimit pozitiv vendos njëzëri fillimin e procesit të bisedimeve për antarësim.

Hapi 5: Në një konferencë për antarësimin midis 27 vendeve anëtare dhe vendit tuaj diskutohen pikat e veçanta dhe në rast nevoje përcaktohen kapitujt e rinj të rëndësishëm.

Hapi 6: Në fund delegacioni i bisedimeve, i përbërë nga Komisioni i BE-së, Këshilli i BE-së dhe deputetët nga vendi juaj, nënshkruan draftin e aktit tuaj të anëtarësimit.

Hapi 7: Komisioni i BE-së i paraqet Këshillit të BE-së dhe Parlamentit të BE-së pozicionin e vet jo të detyrueshëm. Ky raport monitorimi paraqet gjendjen aktuale dhe shanset konkrete për mundësinë e antarësimit tuaj.

Hapi 8: Parlamenti i BE-së miraton aktin tuaj të antarësimit e kësisoj ju ia keni arritur qëllimit.

Hapi 9: Këshilli i BE-së nënshkruan marrëveshjen e antarësimit.

Hapi 10: Të 27 vendet anëtare bashkë me ju ratifikojnë marrëveshjen.

Nëse jeni një vend evropiano-perëndimor, keni shanse të mira që t'i kaloni shpejt dhe pa probleme bisedimet e antarësimit. Nëse vendi juaj ndodhet në Ballkanin Perëndimor apo madje në kufi me Azinë, bisedimet e antarësimit mund të zgjasin shumë kohë.

Flamuri turk dhe ai i BE-së.
Që prej vitit 1999 Turqia është zyrtarisht kandidate për anëtarësimFotografi: AP

Me një përgjigje përfundimtare mund të llogarisni vetëm pas dy deri në katër vjet. Sepse kaq kohë kërkon aktualisht procesi, derisa marrëveshja të jetë negociuar përfundimisht dhe të jetë ratifikuar.

Nëse jeni Turqia, ju duhet të zgjidhni problemet me Qipron. Vetëm paskëtaj mund të shqyrtohet aplikimi juaj.

Nëse jeni shteti i Kosovës, pavarësia juaj duhet të pranohet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, përpara se të mund të aplikoni me sukses për anëtarësim.

Nëse i përmbushni këto kritere, atëherë aplikoni tani!

Por mos harroni: Vendet me situatë të mirë ekonomike kanë përparësi edhe në rastin kur keni kualifikim të të njëjtit nivel.