Tadiq jep dorëheqjen me shpresën e rizgjedhjes
4 Prill 2012Boris Tadiq me dorëheqjen nga posti i presidentit të Serbisë ka shkurtuar mandatin e tij në këtë post për një vit dhe i ka hapur rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme me 6 Maj. Vendimin për dorëheqjen Tadiqi e bëri të ditur të Mërkurën. (04.04.) Pritet që ai të Enjten të takohet me kryetaren e parlamentit Sllavica Gjukiq - Dejanoviq, e cila do të ushtrojë këtë post deri në zgjedhjen e një presidenti të ri. Sllavica Gjukiq - Dejanoviq duhet të vendosë edhe për datën e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale. Sipas ligjit për zgjedhjen e presidentit, kreu i ri i shtetit duhet të zgjidhet brenda 30 - 60 ditë nga dorëheqja e presidentit aktual. Tadiq tha se, sipas mendimit të tij, mbajtja e zgjedhjeve presidenciale me 6 Maj "do të ishte zgjidhja më racionale". Por ai shtoi se "nuk do të përzihet në punët dhe kompetencat e ushtrueses së detyrës së presidentes".
Evropa dhe Kosova
Boris Tadiq bëri të ditur se do të rikandidojë për postin e presidentit dhe do të vazhdojë angazhimet për integrimin evropian dhe ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë. "Me marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian ka përfunduar një fazë, ndërsa tani duhen vazhduar reformat politike dhe ekonomike. Për këtë politikë është i domosdoshëm edhe një legjitimim i ri nga populli", tha Tadiq.
Ndër detyrat kryesore në mandatin e ardhshëm Tadiq vendos "integrimet evropiane si dhe mbrojtjen e interesave legjitime të Serbisë në Kosovë". Sipas tij, "negociatat e ardhshme për anëtarësim në BE do të jenë shumë komplekse, për shkak të sfidave rreth Kosovës". Boris Tadiq u shpreh "shumë i bindur se do të rizgjidhet në postin e presidentit", por analistët në Beograd nuk janë kaq të sigurtë.
Sfiduesit e Tadiqit
Është shumë e mundur që do të ketë më shumë kandidatë konkurrues, por analistët në Beograd janë të mendimit se ndër kundërkandidatët më serioz të Tadiqit në këto zgjedhje do të jenë lideri opozitar, kryetari i Partisë Përparimtare Serbe Tomisllav Nikoliq dhe lideri i socialistëve Ivica Daçiq. Ndërkohë që disa qarqe kanë propozuar si kandidat edhe liderin e liberalëve Çedomir Jovanoviq, ndonëse ai vetë ende nuk është deklaruar për këtë kandidaturë.
Edhe lideri opozitar Nikoliq, i cili sipas disa sondazheve është kundërkandidati më serioz i Tadiqit, u shpreh i bindur "se do të fitojë". "Tadiqi është detyruar të shkurtojë mandatin, sepse qeveria e tij nuk ka bërë asgjë për zgjidhjen e problemeve në Serbi", theksoi Nikoliq.
Autor: Agj/Bahri Cani
Redaktoi: Lindita Arapi