1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

250409 Mexiko Schweinegrippe

27 Prill 2009

80 vetë kanë vdekur në Meksikë nga një virus i rrallë gripi derrash. Virusi mund të dallohej qartë në 20 raste. Sipas të dhënave më shumë se 1 300 vetë janë prekur nga sëmundja. Qeveria meksikane krijoi grupin e krizës.

https://p.dw.com/p/HeTs
Qyteti iMeksikës - Kudo sheh njerëz me maska ngjyrë blu, pamja është dramatike.
Qyteti i Meksikës - Kudo sheh njerëz me maska ngjyrë blu, pamja është dramatike.Fotografi: AP

Në qytetin e Meksikos nuk ka plasur paniku, por pasiguria e njerëzve është e dukshme. Kudo sheh njerëz me maska ngjyrë blu, pamja është dramatike. Ministri meksikan i Shëndetësisë, José Angel Córdova pretendon nga njëra anë se epidemia është nën kontroll, dhe kërkon nga ana tjetër masat të mëdha sigurie: “Numri më i madh i të sëmurëve është shënuar në kryeqytet dhe në rrethinat e tij. Prandaj, paraprakisht do të mbyllen të gjitha shkollat private dhe publike, të gjitha kopshtet dhe universitetet në kryeqytet dhe rreth tij.“ Mbyllja e institucioneve është bërë që ditën e premte dhe mendohet se do të vazhdojë edhe javës tjetër.

Në metro ndahen falas maska mbrojtëse.
Në metro ndahen falas maska mbrojtëseFotografi: AP

Qyteti i Meksikos përjeton një mbyllje të qetë të javës, në rrugë kalojnë pak njerëz dhe automjete, në metro ndahen falas maska mbrojtëse. Muzeumet, bibliotekat dhe teatrot publike kanë qëndruar të mbyllura. Kinematë, restorantet dhe baret kanë pak vizitorë. Aktivitetet kulturore në fundjave u anulluan. Shumica e meksikanëve preferojnë të qëndrojnë në shtëpi.

Këshillat e Ministrisë së Shëndetësisë shkojnë më tej se kaq: „Mbajini larg njerëzit e sëmurë me sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes! Lani duar shpesh me sapun! Mos u përshëndetni me të puthur ose takim duarsh! Përdorni vetëm ushqimet dhe enët tuaja të kuzhinës! Ajrosni shtëpitë dhe zyrat dhe pastroni rregullisht dorezat e dyerve, shkallët, lodrat, telefonat dhe sende të tjera të përdorimit të përbashkët.“

Ministri meksikan i Shëndetësisë, José Angel Córdova pretendon se epidemia është nën kontroll, dhe kërkon masa të mëdha sigurie.
Ministri meksikan i Shëndetësisë, José Angel Córdova pretendon se epidemia është nën kontroll, dhe kërkon masa të mëdha sigurie.Fotografi: AP

Kush dëshiron që të vaksinohet, përfundon në listat e gjata. Vaksinat nuk mjaftojnë për të gjithë. Të parët vaksinohen punonjësit e sektorit të shëndetësisë. Kurse anti-virusit mjaftojnë. Rezervat përmbajnë një milion prej tyre, ndërkohë që vetëm 1 000 vetë janë prekur, thonë autoritetet.

Në Gjenevën e largët Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur një shtab krize. Qëllimi është parandalimi i shpërthimit të ndonjë pandemie, pra shpërndarjes në vende të tjera të virusit. Deri tani nuk ka patur arsye që qyteti Meksikës të vendoset në karantinë. Udhëtimet atje nuk janë ndaluar.

Shqetësues është fakti që virusi nuk kalon vetëm nga derrat dek njeriu, por edhe nga njeriu tek njeriu. Këtë e kanë zbuluar shkencëtarët amerikanë. Mendohet se virusi është shfaqur fillimisht në Kaliforni dhe Teksas, ku janë bërë të njohura tetë raste. Prej andej do të ketë përfunduar në qytetin e Meksikës. Virusi përbëhet nga përzierje gjenesh, që përmbajnë informacione trashëgimie të njerëzve, derrave dhe shpendëve.

I prekuri me këtë virus ka temperaturë të lartë, ankohet për dhimbje koke, frymëmarrje të vështirë, dhembje sysh dhe lodhje të madhe. Më të rrezikuarit deri tani kanë qenë të rriturit në moshë të re, dhe jo fëmijët e vegjël dhe të moshuarit, si zakonisht në raste të tilla.

500 000 vetë vdesin çdo vit në botë nga gripërat. Si pasojë e dy pandemive të fundit, 1957 dhe 1968, vdiqën 3 milionë vetë. Gripi aktual në Amerikën e Veriut është larg dimensioneve të tilla, megjithatë pasiguria është në rritje.

Autor: Michael Castritius / Aida Cama

Redaktoi: Eliana Xhani