1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të paktën 20 të vdekur si pasojë e një avarie në një nëndetëse ruse

Stephan Laack9 Nëntor 2008

Si pasojë e një fatkeqësie në një nëndetëse atomike të marinës ruse në Detin Japonez humbën jetën disa njerëz. Shkaku i fatkeqësisë mbetet ende i paqartë. Presidenti rus Medvjedev urdhëroi fillimin e hetimeve për rastin

https://p.dw.com/p/FqAC
Nëndetëse ruse
Nëndetëse ruseFotografi: AP

Numri i saktë i viktimave nuk dihet ende. Të paktën 20 pjestarë të ekuipazhit humbën jetën. Sipas të dhënave zyrtare janë 21 persona të tjerë të lënduar të cilët nga një destrojer rus janë dërguar në qytetin bregdetar Vladovostok.


Nëndetësja e gjatë 110 metra e klasit të NATO-s Akula II në momentin e avarisë po bënte një provë në Detin Japonez. 208 pjestarët e ekuipazhit - më tepër se gjysma e tyre teknikë dhe konstruktorë ndodheshin në bord kur për shkaqe të panjohura deri tani është aktivizuar sistemi automatik anti-zjarr. Ekspertët supozojnë që pjestarët e ekuipazhit kanë rënë viktimë e shkumës dhe kemikaleve të shpërndara në dy kthina të bashit të nëndetëses. Sipas të dhënave të një zëdhënësi të marinës ruse vet nëndetësja ka mbetur e padëmtuar. Reaktori bërthamor punon normalisht dhe nuk është paraqitur radioaktivitet. Për vendndodhjen aktuale të nëndetëses nuk janë dhënë informata.


Presidenti rus Dimitri Medvjedev (Dmitri Medwedew ) urdhëroi hetime të hollësishme të rastit dhe siguroi pjestarët e familjeve të viktimave mbështetjen e shtetit rus.


Ky aksident riktheu kujtimet për fundosjen e nëndetëses ruse Kursk para tetë vitesh. Në gusht të vitit 2000 si pasojë e fundosjes së Kurskut jetën patën humbur të 118 marinarët të cilët ndodheshin në bord.