1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të dyshuarit e 11 shtatorit i pret dënimi kapital

5 Prill 2012

Të dyshuarit kryesorë për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 do të përgjigjen para një gjykate ushtarake në Guantanamo Bay.

https://p.dw.com/p/14YgO
Khalid Scheich Mohammed në Guantanamo
Khalid Scheich Mohammed në GuantanamoFotografi: AP

Paditë kundër Khalid Scheich Mohammed dhe katër të akuzuarve të tjerë janë dërguar zyrtarisht në një gjykatë në kampin amerikan në Kubë, bëri të ditur ministria e mbrojtjes në Uashington. Gjykata ushtarake do të kërkojë që burrat të dënohen me vdekje. Fillimi i procesit është planifikuar të nisë në maj. Ata do të përballen me një seri akuzash si terrorizëm, pengmarrje, komplot, vrasje etj.

"Që të pestë akuzohen se janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e sulmeve të 11 shtatorit në vitin 2011 në Nju Jork, Washington dhe Shanksvill, që rezultuan me vrasjen e 2,976 njerëzve”, thuhet në një deklaratë për media, nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes.

Zëdhënësi i qeverisë amerikane, Jay Carney tha të mërkurën (04.04) se presidenti dëshiron të garantojë që përgjegjësit e këtyre të sulmeve të dalin para drejtësisë: "Pa dyshim që deri tani ka pasur pengesa në arritjen e këtij procesi, por presidenti mbetet i angazhuar për ta bërë këtë. Ndërkohë ne duhet të garantojmë që Khalid Scheich Mohammed dhe të tjerët që akuzohen për këto krime të tmerrshme të nxirren para gjyqit. Dhe kjo procedurë tani po avancon që kjo të ndodhë."

Presidenti amerikan Barack Obama fillimisht u përpoq ta transferonte gjyqin e tyre në një gjykatë civile në Shtetet e Bashkuara, por e ktheu këtë vendim në prill të 2011, pas një kundërshtimi të fortë.

Autor: dpa/dw/ Mimoza Cika-Kelmendi

Redaktoi: Auron Dodi