Sulme në Turqi - Dyshohet të jetë dora e PKK
28 Korrik 2008Si pasojë e dy sulmeve të kryera në Stamboll u vranë disa njerëz. Sipas informacioneve të televizionit turk, jetën e kanë humbur deri tani 16 vetë dhe të paktën 150 të tjerë janë plagosur. Megjithatë pritet që numri i viktimave të jetë edhe më i lartë.
Në fillim thuhej se është e mundur që të kenë shpërthyer dy bombola gazi. Më vonë flitej për dy sulme terroriste. Këto dyshime u formuluan nga guvernatori i Stambollit, Muammer Gyler.
Të dy atentatet kanë ndodhur pak para orës 22, në lagjen Güngörön në pjesën evropiane të Stambollit. Vendet e dy shpërthimeve ishin zona të këmbësorëve, njëra prej të cilave në një qendër tregtare ku kishte shumë trafik.
Fillimisht shpërtheu masa e vendosur në një shportë mbeturinash në afërsi të një kabine telefonike, ndërsa tjetra vetëm 15 minuta më vonë, kur shumë njerëz ishin mbledhur në vendin e ngjarjes për të parë se çfarë ka ndodhur. Policia pastaj bllokoi hapësira të mëdha përreth vendeve ku ndodhën shpërthimet sepse dyshohej edhe për vendosjen e një bombe të tretë.
Dyshimet e para për atentatorët e mundshëm shkojnë në adresë të Organizatës militante kurde PKK. Megjithatë edhe pse për këtë ka mjaft arsye për të dyshuar, dëshmitë mungojnë ende.
Partia e ndaluar Punëtore Kurde gjatë muajve të kaluar ka kryer disa sulme të ngjashme në rajon. Kësaj i shtohet edhe fakti që ushtria turke ka ndërrmarrë në natën e të së dielës një ofensivë të madhe kundër kampeve të Partisë Punëtore Kurde në veri të Irakut dhe flet ndërkohë për goditjen e 12 objektivave.
Gjatë ditëve të kaluara ushtria turke pati njoftuar shpesh për sulme të suksesshme kundër organizatës terroriste kurde. Përveç kësaj paralelisht me shpërthimet në Stamboll ka ndodhur një incident i Partisë punëtore kurde në Bingöl në juglindje të Turqisë të banuar kryesisht me kurdë.