1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sukses i policisë gjermane ndaj pedofilëve

PP26 Janar 2009

Pedofilë nuk janë vetëm ata që shpërdorojnë fëmijët, por edhe ata që shohin fotografi dhe video të tilla dhe që i përhapin ato më tej.

https://p.dw.com/p/Gg3N
Gjatë dy ditëve të arrestimeve, policia konfiskoi një mijë telefona celularë dhe kompjutera, si dhe më shumë se 16 mijë CD dhe DVD
Gjatë dy ditëve të arrestimeve, policia konfiskoi një mijë telefona celularë dhe kompjutera, si dhe më shumë se 16 mijë CD dhe DVDFotografi: AP

Policia gjermane zbuloi gjatë fundjavës një rrjet pedofilësh që këmbenin me celularë fotografi pornografike me fëmijë. Sipas të dhënave të Prokurorisë në Kasel ky është rrjeti më i madh i zbuluar deri tani në gjithë Gjermaninë. Nën hetim janë 465 të dyshuar, ndër të cilët edhe 20 gra, që kanë këmbyer me celularë midis njeri-tjetrit fotografi dhe video pornografike.


Në lidhje me këtë temë gazeta Neue Osnabrücker Zeitung shkruan:

"Suksesi i hetuesve dhe prokurorëve të Kaselit ndaj rrjetit të pedofilëve të shtrirë në të gjithë Gjermaninë hedh dritë për zhvillimin dramatik të pornografisë me të mitur. Tregtia e përbuzshme dhe shpërdorimi i fëmijëve dhe bebeve të pambrojtur po shtohet me ritme tepër të shpejta në Gjermani. Fotografitë dhe filmat në të cilat viktimat shpërdorohen dhe keqtrajtohen po përhapen si një virus. Kemi të bëjmë me një treg shumëmilionësh, i cili nuk bazohet më vetëm tek interneti. Tregtarët dhe biznesmenët e paskurpullt i furnizojnë klientët e tyre përmes celularëve. Lajmi i mirë në këtë mes është vetëm se Gjermania dhe BE-ja po përpiqen me shumë zell për t'u prerë rrugën pedofilëve.


Gazeta Westfalen-Blatt (Bielefeld) vëren:


Ndryshimi i një sërë ligjesh pritet të sjellë në Gjermani një mbrojtje më të mirë të fëmijëve prej pedofilëve. Përmirësimet dhe plotësimet e ligjit të vendosura këto ditë prej kabinetit qeveritar janë të mira dhe të rëndësishme. Por për t'u prerë rrugën pedofilëve nuk mjaftojnë vetëm masa të tilla. Këmbimi i fotografive apo videove pornografike me fëmijë përmes celularëve tregon se nuk ka thuajse asnjë mjet për t'u prerë një herë e përgjithmonë rrugën dëshirave perverse të njerëzve të tillë. Edhe kontrrollimi më i fortë i internetit nuk po i pengon pedofilët që të lidhen me njëri-tjetrin. Por pedofilë nuk janë vetëm ata që shpërdorojnë fëmijët, por edhe ata që shohin fotografi dhe video të tilla dhe që i përhapin ato më tej. Pas çdo fotografie qëndron fatkeqësia e njërit nga fëmijët e shpërdoruar dhe të keqtrajtuar fizikisht dhe shpirtërisht. Për këtë hetuesit nuk duhet të pushojnë së kërkuari persona të tillë.