1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Studimi: Shqiptarët entuziastë për BE-në, të përmbajtur me fqinjët

Arben Muka3 Dhjetor 2012

Studim i Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare në Tiranë konfirmon entuziazmin për Bashkimin Europian në Shqipëri. Por diskursi i integrimit është mjaft politik, ekonomia harrohet, kritikojnë ekspertët.

https://p.dw.com/p/16ugP
Fotografi: DW/A. Muka

Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare me qendër në Tiranë ka një dekadë që në mënyrë të përvitshme mat perceptimet dhe pritmëritë e qytetarëve në lidhje me procesin e integrimit europian të vendit. Nga të dhënat e publikuara ditët e fundit nga projekti "Perspektiva europiane e Shqipërisë - perceptime dhe realitete 2012" bie në sy se shqiptarët me shumicë dërmuese, pra 86.5 përqind votojnë pa asnjë mëdyshje në mbështetje të anëtarësimit të vendit të tyre në BE. Enfrid Islami, kërkues pranë Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare thotë për DW se nëse bëhet një krahasim me vitin 2011 niveli i mbështetjes është 6 përqind më i madh për "ëndrrën europiane".

Shqiptarët jo realistë?

Sipas tij, ky tregues ka një sërë shkaqesh pavarësisht nga skepticizmi që buron brenda BE-së si pasojë e krizës ekonomike me të cilët përballet kontineti dhe i gjithë globi. "Së pari, spektri politik shqiptar nuk përmban asnjë parti, organizatë apo individ me influencë që ka qenë ose është kundër projektit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Së dyti, shpjegimet për përfitimet që shqiptarët ia atribuojnë anëtarësimit në BE janë shumë të larta dhe shpesh jo reale, gjithsesi ato përbëjnë shtysa të fuqishme dhe nxitje për mbështetje. Vota thuajse unanime e shqiptarëve pro integrimit në BE lidhet edhe me kulturën politike të Shqipërisë, ku ende mungon guximi për të deklaruar hapur atë që mendohet. Qytetari mund të ketë frikë të deklarojë kundër asaj që thotë qeveria, mazhoranca apo opozita. Fakti që qytetarët shqiptarë e shikojnë BE-në si një çështje që vetëm politika madhore mund të merret me të, kjo vijon të përbëjë një problem."

Kërkuesi Enfrid Islami
Kërkuesi Enfrid IslamiFotografi: DW/A. Muka

Më shumë vëmendje ekonomisë në procesin e integrimit europian

Sipas shifrave të publikuara së fundmi 44 përqind e shqiptarëve mendojnë se politika është një faktor kyç për integrimin, 40 përqind shikojnë ekonominë si të tillë, dhe 41 përqind vlerësojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme si vendimtare për integrimin.

Ekspertë të ekonomisë shqiptare janë të mendimit se në trajtimin e kushteve që duhet të plotësojë Shqipëria në procesin e integrimit europian shpesh ndërhyjnë klishetë. Dr. Banush Xhabrahimi shprehet se një qëndrim i tillë le mënjanë aspektin e reformave ekonomike që duhet të përmbushë vendi për të qenë pjesë e BE-së. "Nuk mund ta mendosh integrimin europian pa integrimin ose bashkimin e interesave. Më së pari këto interesa janë ekonomike. Mbi këtë bazament do të ngrihen hapat e tjerë të procesit deri në finalen që është integrimi politik. 12 kriteret për t'u përmbushur, të rekomanduara nga Komisioni Europian, sigurisht që kanë vlerën e vet. Sepse pa reformat në sistemin gjyqësor, pa reformat për shtyllat kryesore të demokracisë si zgjedhjet e lira dhe të ndershme, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar etj., etj., nuk mund të ecim përpara. Por këto do të zhvillohen në një terren ekonomik. Çuditërisht nuk flitet për këtë fushë që është fushë bazale ku do të ngrihet piramida e kushteve për integrimin europian".

Xhabrahimi është i bindur se Shqipëria nuk mund të jetë në krah të vendeve të BE-së, një anëtare me të drejta të plota, nëse nuk siguron standardet ekonomike, pra të jetë konkuruese në tregun e kontinentit. Ai kërkon më shumë hapësirë për problemet që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë dhe strategjitë afatmesme dhe afatgjata.

Eksperti Dr. Banush Xhabrahimi
Eksperti Dr. Banush XhabrahimiFotografi: DW/A. Muka

Rëndësia e marrëdhënieve me fqinjët

Në sondazh-studimin e Institutit Shqiptar për Studimet Ndërkombëtare është marrë mendimi i qytetarëve edhe për partneritetin e Shqipërisë në planin ndërkombëtar dhe në rajon. Sipas rezultateve, 76 përqind e qytetarëve janë shprehur për një vëmendje më të fortë dhe thelbësore në marrëdhëniet me Kosovën - një shifër kjo gati 10 pikë më e lartë se një vit më parë. Vëmendja është në rënie kur flitet për shtetet e tjera të rajonit, ajo kap koutën e rreth 40 përqind. 45 përqind e të pyeturve i japin rëndësi relatave me Maqedoninë e Malin e Zi, ndërkohë që Kroacisë afër 38 përqind. Në nivelin e 25 përqindshit është Bosnja, kurse për marrëdhëniet me shtetin e Serbisë janë 15.5 përqind e popullatës.

Projekti "Perspektiva europiane e Shqipërisë - perceptime dhe realitete 2012" është mbështetur nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, Zyra e Tiranës e Fondacionit gjerman "Friedrich Ebert", Agjencia Austriake për Zhvillim dhe Fondacioni SOROS. Kampioni për nxjerrjen e rezultateve përbëhej nga 1200 të intervistuar në 10 qytete të Shqipërisë.