Deutschland Forschung
12 Tetor 2009Megjithë kapacitetet e jashtëzakonshme për hulumtime shkencore Gjermania ka nevojë për kompetenca dhe struktura të qarta për të shfrytëzuar të gjitha përparësitë në këtë lëmi.
Vendi ynë jeton nga pasuria e quajtur Dituri dhe këtë e di ndërkohë secili, të paktën mendon, kur dëgjon fjalimet e politikanëve dhe menaxherëve të shkencës në Gjermani. Dhe me të vërtetë, shuma prej mbi 10 miliardë eurosh, që është ndarë nga qeveria për buxhetin e hulumtimeve për këtë vit, duket në shikim të parë impresive në veçanti, kur dihet se edhe landet i kanë buxhetet e tyre për këtë sektor.
Në realitet sektori i hulumtimeve është i përçarë, jo unik dhe duket si një xhungël e patejdukshme.
Por gabon ai, që mendon se për shkak të këtyre shifrave mund të shikojë duarkryq. Vetëm shuma e parave nuk shpjegon domethënien e shkencës. Ende mungojnë qëllimet e përbashkëta të përcaktuara në nivelin kombëtar. Kur një shkencëtar do të shpjegojë në një vend tjetër funksionimin e hulumtimeve në Gjermani, duhet të fillojë nga zeroja. Së pari duhen shpjeguar dallimet e çuditshme mes shkollave të larta profesionale dhe univesiteteve, sepse të dyja në anglisht quhen "University" dhe të dyja kanë për synim hulumtimet, por universitetet pohojnë se ato janë shkollat e vërteta të larta hulumtuese. Çuditërisht në këto vende ka shumë pak hulumtime, sepse hulumtimet më serioze bëhen në institute si ai Max-Planck, apo në Shoqatën Helmholtz, prej nga zhvillohet edhe bashkëpunimi i drejtpërdrejtë me industrinë. Ekzistojnë dhe qindra institute të tjera, që punojnë pranë njëri-tjetrit. Mbi të gjitha ekziston edhe Ministria federale e Shkencës, e cila i prezanton ato, por në fakt kompetenca të vërteta ka pak. Kjo sepse vendimet më të rëndësishme të politikës së hulumtimeve merren në nivelin e 16 landeve. Për një drejtim të përbashkët të përgjithshëm bëhet pak fjalë.
Ndoshta për shkak të strukturës së çuditshme, e cila ka mbetur në Gjermani si dhe në shumë lëmi të tjera.
Vetëm për meremetimin e universiteteve dhe instituteve në Gjermani janë dhënë në 15 vitet e fundit më shumë se 50 miliardë euro. Gati secila shkollë dhe institut ankohet për kushtet e godinave për mësim dhe hulumtime. Në këto kushte është vështirë të flasësh për një hulumtim serioz. Ndërkohë që gati dy miliardat e premtuara për meremetimin e godinave nuk do të thonë shumë, kur ndahet në 80 projekte të ndryshme dhe kur dihet se paratë do të jepen në pesë vitet e ardhshme. Pra për shkencën në Gjermani flitet shumë, por veprohet shumë pak për të zhvilluar një strategji të përbashkët për ardhmërinë.
Autor: Armin Himmelrath
Redaktoi: Angjelina Verbica