1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hunger Umdenken

17 Nëntor 2009

Që organizohet një takim i nivelit të lartë për urinë në botë, kjo duhet vlerësuar. Por politika vazhdon të jetë e fokusuar tek ideologjia e konsumit, tek paketat koniukturore dhe pengon zgjidhjet e qëndrueshme.

https://p.dw.com/p/KZ2s

Kryetarët e shteteve dhe të qeverive si dhe përfaqësues të lartë janë mbledhur në Romë, ku deri të mërkurën të ftuarit nga FAO do të diskutojnë për krizën globale në sektorin e ushqimeve.

A do të gjejë takimi rrugëdaljet nga kriza?

Për të arritur në përfundimin që uria dhe varfëria janë të lidhura ngushtë, nuk duhet ta vrasësh mendjen shumë. 70 përqind e njerëzve që jetojnë në varfëri ekstreme, jetojnë në fshat. Dhe kur fshatarët, që duhet të siguronin ushqimin për ne, nuk janë në gjendje të ushqejnë veten e tyre, atëherë diçka nuk shkon.

E pakuptueshme është se përse u desh kohë që të arrihej në konkluzionin, se luftimi i urisë dhe i varfërisë mund të ketë sukses nëse investohet në zhvillimin rural. Me takimin e nivelit të lartë të urisë në Romë, FAO, Organizata Botërore e Ushqimit, synon të nxisë zhvillimet rurale.

Synime për nxitjen e zhvillimeve rurale

Në prag të takimit, Drejtori i Përgjithshëm i FAO-s, Jaques Diouf propozoi një "grevë urie" simbolike në nivel mbarëbotëror, në shenjë solidariteti me miliarda njerëz që vuajnë në botë nga uria. Por edhe nëse arrihet që të binden disa njerëz që të agjërojnë 24 orë rresht, kjo nuk do të sillte shumë. Sepse ajo që kërkohet për të luftuar me efektivitet varfërinë dhe urinë, është ndryshimi global i mënyrës së të menduarit.

Helle Jeppesen
Helle JeppesenFotografi: DW/ Helle Jeppesen

Nëse duam të përmirësojmë diçka, atëherë jo vetëm ushqimi, por edhe klima, ekonomia dhe financat duhet të ngrihen mbi bazën e qëndrueshmërisë dhe jo të konsumit. Në këtë kuadër paketat koniukturore të vendeve të industrializuara duken si anakronike, si një mbetje e filozofisë së konsumit, të cilin Club of Romë e ka quajtur të vjetëruar që në vitin 1972, në studimin „Kufinjtë e zhvillimit“ (Limits to Growth).

Qëndrueshmëri dhe jo konsum

Edhe qeveria e re gjermane kërkon të nxisë koniukturën nëpërmjet konsumit. Blerje pa masë kundër krizës? Konsum kundër urisë? Hesapet nuk do të dalin, as kundër krizës së ushqimeve, as kundër krizës së sektorit të financave ose të katastrofës së klimës. Sepse pavarësisht se si e kthen dhe e rrotullon, vetëm ata që mund të paguajnë janë në gjendje të konsumojnë. Dhe këta e bëjnë këtë në kurriz të atyre që nuk kanë. Prandaj, ushqimet e mjaftueshme për një miliardë njerëz nuk përballohen sot, dhe prandaj në botë ka sot po kaq njerëz që vuajnë nga mbipesha.

Nuk kanë bukë? Le të hanë biskota!

Edhe nëse delegacionet tregojnë solidaritet në Romë dhe futen në grevën 24 orëshe të urisë, problemi themelor i shpërndarjes së burimeve në planetin tonë nuk do të ndryshojë. Kjo nuk do të ishte shumë më ndryshe se zgjidhja që i ra ndër mend mbretëreshës franceze Marie Antoinette kur i treguan për popullin e uritur: "Si, ata nuk kanë bukë? Por le të hanë biskota."

Autor : Helle Jeppesen

Redaktoi : Aida Cama