1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Strategjia për Veriun e Kosovës, letër pa vlerë?

17 Janar 2011

Prania ndërkombëtare në Kosovë dhe qeveria në Prishtinë, akoma nuk e dinë nëse strategjia për integrimin e veriut të Kosovës do të përfshihet apo jo në bisedimet e paralajmëruara Prishtinë Beograd.

https://p.dw.com/p/zyla
Mitrovica veriore
Mitrovica verioreFotografi: DW

Ka afro një vit që qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Zyrën Civile Ndërkombëtare hartuan një strategji për integrimin e pjesës veriore të Kosovës, me të cilën parashihej që në të të investohej, të hapej zyra të qeverisë dhe të shuheshin strukturat paralele serbe. Mirëpo, që nga ajo kohë akoma nuk është ndërmarrë ndonjë veprim konkret në terren që do ta vinte në jetë këtë strategji, thotë kordinatori i qeverisë së Kosovës për integrimin e veriut, Ylber Hysa. Zoti Hysa, u ka thënë mediave lokale se që nga shpallja e mendimit të GJND-së, mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës nuk ka patur lëvizje drejt zbatimit të një strategjie për veriun e vendit në pritje, të zgjidhjes së problemeve në këtë pjesë jo përmes aktiviteteve në terren, por përmes dialogut që pritet të zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Brücke in Mitrovica Kosovo NO FLASH
MitrovicaFotografi: cc-by-sa-Legendre

Përfaqësues të qeverisë në Beograd, thonë se strategjia e Prishtinës për integrimin e veriut ka qenë një veprim i njëanshëm. Sekretari i shtetit në ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, thotë për progamin tonë se sa herë që flitet për veriun e Kosovës gjithmonë duhet menduar se duhet pyetur edhe Beogradi. “Kjo nuk është absolutisht e mundur që të zbatohet sepse zbatimi i njëfarë stategjie që ka të bëjë me një territor siç është veriu i Kosovës, që ka të bëjë me popullsinë që ka një disponim të tillë siç është në veriun e Kosovës, thjesht nuk është e mundur zbatimi i saj. Mendoj se kjo është përpëlitja e fundit e motivuar politikisht e qeverisë në largim, që ta paraqesë veten si të suksesshme, por mendoj se kjo është e qartë për të gjithë, posaçërisht për komunitetin ndërkombëtar se ajo strategji është letër e vdekur”, thotë Oliver Ivanoviq.

Përfaqësues të zyrës civile ndërkombëtare, ndërkaq, nuk pranojnë të komentojnë nëse implementimi i strategjisë për integrimin e veriut duhet të bëhet në kordinim me autoritetet e Beogradit. Zëdhënësi i kësaj zyreje Andy mc Gaffy, thotë për programin tonë se autoritetet ndërkombare po punojnë ngusht me komunitetin lokal në mënyrë që në veri të Mirovicës të krijohet komuna e re serbe. “Zyra Civile Nërkombtare vazhdon të punojë në baza ditore në partneritet me qeverinë dhe komuniteteve lokale për të ofruar shërbime më të mira për të gjithë qytetarët. Kjo përfshin projekte për një qasje të përbashkët për Kosovën veriore, e cila mbetet një udhërrëfyes për punën tonë për zbatimin e planit të Marti Ahtisarit”, thotë Andy mc Gaffy.

Demostratë në Mitrovocë kundër zgjedhjeve serbe
Demostratë në Mitrovicë kundër zgjedhjeve serbe, maj 2010Fotografi: AP

"Në Mitrovicën e veriut, ne jemi duke punuar ngushtë me qeverinë për të decentralizimin e mëtejshëm nëpërmjet punës së ekipit përgatitor komunal, i cili është duke punuar për të përfunduar përgatitjet teknike të nevojshme për krijimin e komunës së re të Mitrovicës së Veriut. Një qendër e shërbimeve civile që ofrojnë shërbime publike nga qeveria e Kosovës, është hapur dhe aj po punon në mënyrë efektive për tu mundësuar të gjithë qytetarët e Mitrovicës në veri për të marrë dokumentacionin zyrtar të Kosovës”, thotë Andy mc Gaffy.

Sidoqoftë, koordinatori i qeverisë së Kosovës për veriun Ylber Hysa, ka thënë se problemi i veriut të Kosovës daton që nga pasufta dhe pavarësisht përjekjeve të tij të fundit që të bashkërendoj veprimet, ai thotë se kjo çështje ka kaluar në një nivel më të lartë politik, siç është Brukseli. Sipas tij kryeqendrat evropiane nuk kanë gjetur mënyra të tejkalimit të këtij problemi dhe kjo sipas tij shpjegohet me mandatin e kufizuar të misionit EULEX, që të veprojë në veri të Kosovës.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama