Steinmeier: Evropa e rëndësishme për stabilitetin në Ballkan
18 Shtator 2008Projektbuxhetet aktuale nuk janë të specifikuara sipas rajoneve, por nuk pritet që për vitin 2009 do të ketë ndryshime sa i përket Ballkanit Perëndimor, bëhet e ditur nga qarqe qeveritare. Ministria për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik fillon të enjten dhe të premten konsultime dyditore me Prishtinën për të sqaruar si do të ndahet pjesa e paracaktuar për Kosovën. Por pjesa dërrmuese e shpenzimeve të tatimpaguesve gjermanë drejt Kosovës kalojnë përmes organizatave të ndryshme ndërkombëtare kryesisht përmes Bashkimit Evropian.
Evropa vendimtare në fitoren e Tadiçit
Ministri gjerman i punëve të jashtme Frank Walter Steinmeier (Frank Valter Shtajnmajer) mori si shembull fitoren e koalicionit proevropian në Serbi për të dëshmuar rëndësinë e konsolidimit të mëtejshëm të BE-së: "Evropa jo vetëm që nuk u bë molla e sherrit në planin e brendshëm, por përkundrazi, ajo e ndihmoi këtë demokrat (Tadiçin) të fitonte duke sjellë kështu stabilitetin në vendin më të madh të Ballkanit Perëndimor", tha zëvendëskancelari socialdemokrat.
Kosova: Mëkati i parë apo i fundit?
Por përfaqësuesi i partisë më të madhe opozitare të liberalëve, Verner Hojer, e vuri në pikëpyetje efektin stabilizues të politikës së Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor: "Historianët do ta gjykojnë në ka qenë vendimi për pavarësinë e Kosovës dhe zhvillimet në Osetinë Jugore dhe Abkazi mëkatet e para apo të fundit", tha ai.
Krahas kontributeve të drejtpërdrejta në ndihmë të Kosovës, Gjermania jep edhe 158 milionë Euro në vit për kontigjentin e KFOR-it dhe 11 milionë Euro për administratën e UNMIK-ut. Projektbuxheti do të kalojë më pas për t'u konsultuar nga komisionet përkatëse e pastaj do të kthehet sërish në parlament për t'u miratuar.