1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Stacioni i fundit i Borkës

13 Shkurt 2011

Një muaj pas kthimit të detyruar një 47-vjeçare nga Mitrovica gjendet e vdekur në spitalin e Kragujevcit. Rasti bën bujë dhe qeveria e landit gjermanoperëndimor lejon rikthimin e të shoqit dhe të birit 14-vjeçar

https://p.dw.com/p/R0TX
Kamp për romët e Kosovës në SerbiFotografi: DW

Atë mbrëmje janari Borka Tahiri ndjehej e lodhur dhe sipas të birit ra në shtrat më herët se zakonisht. Që prej një muaji, kur zyra e të huajve të qarkut gjermano-perëndimor Majen-Koblenc e kishte kthyer me detyrim në Kosovë, familja e saj banonte përkohësisht tek e motra, në jug të Serbisë.“Ishte mëngjes herët kur erdhi policia dhe na tha se duhet të ktheheshim. U befasuam, sepse nëna ishte e sëmurë”, rrefen Avdili, i biri i Borkës.

Nëpunësit e zyrës së të huajve ua dhanë në dorë letrën e anulimit të lejes së qëndrimit (Duldung), e cila normalisht do të skadonte mbas 10 ditësh. Kur avokati Jens Dieckmann mësoi se çfarë i kishte ndodhur familjes, Borka me të shoqin dhe të birin 14-vjeçar ishin në avion. “Unë e mora vesh mbas orës 12 nga një faks i Caritas-it", thotë për Deutsche Welle-n ai i indinjuar. "Fakti që zyra e të huajve e shmangu konfrontimin me ne, do tët thotë se e tëra ishte e planifikuar. Ajo e dinte që ne menjëherë do të reagonim me kërkesë për ta ndaluar azilin."

Pa njeri në Kosovë

Që nga tetori i vitit 1999 familja rome nga Mitrovica ishte përpjekur t'i shmangej kësaj dite. Deri në vitin 2009 pakicat etnike ishin të mbrojtura dhe nuk mund të ktheheshin me detyrim në Kosovë. Pas nënshkrimit të marrëveshjes së riatdhesimit mes Gjermanisë dhe Kosovës (Prill 2009) Borkës i erdhi letra për t'u kthyer. Po ku të shkonte? “Ata nuk kishin askënd në Mitrovicë, shtëpia ishte djegur, tre djemtë e mëdhenj i kishin rregulluar letrat në Gjermani. Avdili shkonte ende në shkollë, Borka vetë ishte në trajtim mjekësor”, rrëfen avokati Dieckmann. Argumente, të cilat gjykata e Koblencit nuk i merrte parasysh. Lënda me shifrën 234/09D12 refuzohej.

Düsseldorf Flughafen Protestveranstaltung gegen Abschiebung Flash
Protestues kundër dëbimeve në aeroportin e DyseldorfitFotografi: DW

Por ditën e 7 janarit 2011 Borka nuk u zgjua më. Gjakderdhje në tru, është diagnoza vdekjeprurëse. Jens Dieckmann, i cili deri atëherë kishte protestuar jo vetëm në gjyq, por edhe tek administrata e landit Rajnland Pfalc, i kishte dërguar dy letra qeverisë duke apeluar edhe tek vetëdija socialdemokrate e kryeministrit, iu drejtua medies. Programi televiziv hulumtues “Report Mainz” reagoi menjëherë, dërgoi një ekip xhirimi në jug të Serbisë dhe filmoi 14-vjeçarin Avdil, që fliste gjermanisht pa theks e vinte lule tek varri i së ëmës. Çështja shkoi deri në parlamentin federal (Bundestag) në Berlin.

Kthim i padrejtë

Për ministrin e brendshëm të landit Rajnland Pfalc, socialdemokratin Hans-Peter Bruch, mjaftoi një vështrim diagonal i lëndës që të konstatonte se familja është dëbuar padrejtësisht: “Po të kishte qenë ministri në dijeni të këtij rasti, atëherë ata nuk do të ishin dëbuar”, i tha Deutsche Welle-s zëdhënësi i tij David Freichel.

Entwicklungspolitik
Karl Peter Bruch

Avokati Dieckmann thotë se nga njëra anë kjo është një "shuplakë për zyrën e të huajve në qarkun Majen-Koblenc", por nga ana tjetër, ai shtron pyetjen, se përse ministri reagon vetëm tani që vdiq Borka. Letrat që dërgoi ai tek kryeministri i landit ende presin përgjigje. U desh të vdiste nëna e Avdilit që dosja 234/09D12 të shndërrohej në fate njerëzish: Në një grua të traumatizuar që vdes një muaj mbas kthimit dhe në një djalë 14-vjeçar që ka përfunduar në një vend ku nuk di as gjuhën e nuk kupton as kulturën, pyet avokati.

Rikthim në Gjermani

Ministria e punëve të brendshme i thotë Deutsche Welle-s se letrat erdhën pasi ishte dëbuar familja. „Ky rast na ka tronditur thellë", thotë Freichel. "Ne nuk e dimë se a ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet vdekjes dhe dëbimit të gruas. Por ministri vendosi që familja të kthehet në Gjermani, sepse djali 14-vjeçar shkonte mirë në shkollë dhe kishte një të ardhme këtu.”

Është hera e dytë që anëtarë të pakicave nga Kosova kthehen në Gjermani menjëherë mbas dëbimit. Në fillim të javës u kthye 16-vjeçari Erson Tatari, pas protestave të shumta të banorëve të vendlindjes së tij në landin gjermano-jugor Baden-Vyrtemberg. Edhe këtu, ashtu si në Rajnland-Pfalc, në mars do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare.

Ëndrra e Avdilit është të bëhet automekanik. Aii i gëzohet vendimit të ministrit dhe po numëron ditët derisa të kthehet sërish aty ku ka jetuar që në moshën pesëvjeçare. Shpenzimet e udhëtimit për të dhe të atin do t'i marrë përsipër organizata për mbrojtjen e refugjatëve "Pro Asyl". Vetëm për Borkën çdo vendim që mund të vijë tashmë është i vonuar.

Autore: Anila Shuka

Redaktore: Lindita Arapi