1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Stabiliteti i krijuar nga Putini është i brishtë

Ingo Mannteufel7 Maj 2013

U mbush një vit nga ngjitja e presidentit Vladimir Putin në postin e presidentit. Protestat kundër tij ndërkohë e kanë humbur vitalitetin. Por gjendja aktuale në Rusi nuk është ashtu siç duket në pamje të parë.

https://p.dw.com/p/18TRA

Para një viti Vladimir Putini u ringjit në postin më të lartë si kreu i shtetit rus - herën e tretë të ngjitjes në këtë post i shoqëruar me protesta masive në Moskë. Edhe në njëvjetorin e marrjes së këtij posti u zhvilluan demonstrata kundër Putinit. Por opozita anti-Putin në Rusi është dobësuar së tepërmi dhe është zvogëluar në numër.

Opozita e përçarë dhe e margjinalizuar

Forca e vërtetë e kësaj opozite në Rusi u mbivlerësua, para së gjithash në Perëndim. Baza sociale e lëvizjes opozitare ishte që nga fillimi jo shumë e gjerë. Nga ana tjetër represionet të shenjuara mirë nga shteti, por edhe përçarja e opozitës në forca radikale dhe më të moderuara kanë rritur pasigurinë tek shumë vetë që duan të marrin pjesë në protesta. Një fushatë e mirëmenduar mediale e poshtërimit të opozitës ka dhënë frytet e veta.

Nëse kjo është pasojë e përçarjes ideologjike apo e strategjisë së Kremlinit në rezultatin përfundimtar kjo nuk çon shumë peshë: Opozita anti-Putin është mënjanuar realisht si nga ana shoqërore ashtu edhe nga ajo politike. Ajo nuk ka ndonjë program bindës politik, nuk ka bazë sociale dhe një udhëheqje të vendosur.

E parë sipërfaqësisht, imazhi që përhap Kremlini se Rusinë e karakterizon stabiliteti politik qëndron - Vladimir Putini në mandatin e tretë është rehatuar mirë në kolltukun e presidentit.

Të vërteta të pakëndshme për Putinin dhe elitën e Kremlinit

Por kaq e thjeshtë nuk është gjendja në Rusi. Opozita antiruse vërtet nuk përbën ndonjë rrezik akut për Putinin, për shkak të mungesës së konceptit politik dhe mënjanimit në shoqëri. Por në një lloj mase këto vlejnë edhe për Putinin dhe elitën e tij udhëheqëse.

Lidhja mes masës dhe elitës së Kremlinit funksionon vetëm përmes një personi, Putinit, por edhe përmes imazhit patriarkal mbi Putinin të përhapur nga media shtetërore si babai i madh i të gjithë rusëve - njeriut që kupton shqetësimet e njerëzve të thjeshtë që janë të zhgënjyer dhe të pakënaqur me gjendjen sociale dhe padrejtësinë e përditshme. Në dallim nga Putini, partia e Kremlinit, "Rusia e Bashkuar", konsiderohet e korruptuar dhe funksionarët e saj refuzohen si karrieristë të paskrupullt. Një arsye kjo pse Putini që prej një viti e gjysmë po punon në ngritjen e një "Fronti popullor mbarërus", me qëllim të forcimit të tij si një forcë politike.

Në foto, Ingo Mannteufel
Në foto, Ingo MannteufelFotografi: DW

Në popull është përhapur cinizmi dhe qëndrim injorues ndaj politikës si për opozitën anti-Putin ashtu edhe për elitën e Kremlinit. Vetëm Vladimir Putini ia del që përmes imazhit të tij dhe retorikës konservatore të zbusë disi hendekun me masës së gjerë dhe elitës qeverisëse.

Ashtu si opozita edhe Vladimir Putini nuk ka ndonjë koncept të qartë për t'u dalë zot sfidave ekonomike dhe sociale të Rusisë. Këtë nuk e thonë vetëm forcat opozitare. Edhe ekspertët dhe përfaqësues të elitës qeverisëse të Kremlinit flasin hapur për mungesën e një perspektive politike të qartë për Rusinë. Janë shtuar shenjat se në korridorët e pushtetit në Moskë, aktualisht debatohet ashpër për orientimin e mëtejshëm politik të Rusisë.

Vetëm shteti i së drejtës krijon stabilitetin

Prej kësaj kuptohet që gjendja politike në Rusi është një iluzion. Kush ngre prej kohësh vetëm fasadën e një stabiliteti, shtyp çdo lloj dinamike politike-shoqërore e lejon vetëm komandën prej një dore - prodhon me këtë një gjendje shumë shpejt të thërrmueshme. Vetëm shteti i së drejtës dhe institucione të forta demokratike përmes balancimit të përditshëm të interesave shoqërore krijojnë stabilitetin e vërtetë. Për shkak të traditës ruse të iniciativave të forta revolucionare, që e kanë çuar vendin gjithmonë prapa, mbetet të shpresohet, që në Kremlin vetë të piqet nevoja e një zhvillimi që do ta çojë vendin përpara, dhe të rritet liberalizimi. Alternativat e tjera nuk janë të pëlqyeshme për t'u përfytyruar.