1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Spekullime dhe përgenjështrime për tërheqje të depozitave nga bankat greke

4 Maj 2010

Paketa e ndihmës financiare me 10 miliardë euro posaçërisht për bankat duket se i kthen sigurinë edhe sistemit bankar grek. Ai kaloi ditë të vështira. Thuhet se paratë e depozituesve përfunduan jashtë shteti.

https://p.dw.com/p/NE7k
Fotografi: AP

Për fat të mirë deri tani kriza greke ka mbetur krizë borxhi dhe nuk mori trajtën e një krize bankare. Të pacënuara nga obligacionet toksike dhe të subvencionuara nga shteti me një paketë prej 28 miliardë eurosh, bankat greke ndërkohë mbeten te ekspozuara ndaj virusit të frikës dhe pasigurisë së depozituesve për paratë e tyre. Pak para aprovimit të ndihmës financiare dhe në kulmin e spekulimeve për falimentimin eventual të vendit thuhet se bankat pësuan një hemoragji të madhe të depozitave. Por sa e vërtetë është një gjë e tillë kur gojët mbahen të mbyllura si sfinksi?

Nuk ka të dhëna zyrtare.

"Banka e Greqisë ka dhënë disa të dhëna” thotë për Deutsche Welle analisti i çështjeve ekonomike Moisis Licis dhe kujton reduktimin me 10 miliardë euro të depozitave, sipas Bankës së Greqisë, dymujorin e parë të vitit 2010. “Në rrethin familjar dhe shoqëror ekzistonte një shqetësim i madh, që bëri që një pjesë e depozitave të përfundojnë në Qipro, si destinacion më i sigurt”, vijon Licis. “Të pasurit në Zvicër, afaristët në Qipro dhe shqiptarët në sënduqe” shkruhej para pak kohësh në një nga të përditshmet greke, që riprodhonin një shkrim të “Financial Times” për 10 miliardë euro të dala jashtë shtetit dhe katër bankat më të mëdha, që kërkonin ndihmë qeveritare për të kompesuar likuiditetin e humbur nga depozitat.

Griechenland Finanzkrise Mai 2010 Athen
Depozitorë të hënën në mëngjez (03.05) para bankës kombëtare grekeFotografi: DW

A ishin shqiptarët ishin nga të parët, që iu drejtuan sporteleve të bankave?

Ka ndodhur apo jo, sipas Licis ka një bazë logjike: “Sigurisht shqiptarët janë djegur disa herë nga krizat, që pasuan rënien e komunizmit, siç ndodhi me piramidat dhe ishte e arsyeshme që të nxitonin të parët”, thotë Licis për të theksuar se edhe këtu, pavarësisht se nuk ndodhi një skandal i natyrës së piramidave, parulla, që është bërë dhe titër e përditshme në kanalet televizive, është “sillni pas paratë e vjedhura”. Në mungesë të statistikave dhe të dhënave mikrofoni i DW regjistron një opinion të dyzuar në mesin e imigrantëve depozitues. "Po qe për depozitat, që kemi mbyllur këtu në Greqi, kemi patur frikë dhe i kemi tërhequr. I kemi çuar në vendin tonë, i kemi mbyllur në vendin tonë. Duke parë situatën këtu, siç dëgjojmë nga shtypi e televizioni këtu është më vështirë, në Shqipëri kemi më tepër siguri për depozitat tona. Dhe njerëzit e mi fillojnë t'i tërheqin që këtej”, thotë një imigrant korçar, që heziton të thotë emrin e tij. Ka 18 vjet në Greqi, është bojaxhi dhe tani ka dy muaj pa punë. Por Simon Toçi nga Elbasani ka mendim tjetër: “Paratë nuk duhet tërhequr nga bankat për një arsye: njerëzit mund të kenë frikë nga kriza, por për mendimin tim nuk falimenton shteti dhe paratë në bankat shtetërore nuk mund të humbin kurrë”.

Arbeitslose albanischen Immigranten in der Omonia Platz
Emigrantë të papunë shqiptarë në sheshin "Omonia"Fotografi: DW

“Çështja delikate” e depozitave nuk përbën sekret për drejtorin e rrjetit grek të Intesa Sanpaolo Bank, Jorgos Martaqis, i cili flet me shifra dhe e cilëson spekulim, të paktën për bankën e tij, çdo opinion për tërheqjen masive të parave nga depozituesit. “Sot në bankën tonë kemi rreth 40 milionë euro depozita” thotë për DW Martaqis, i cili i cilëson shqiptarët “depozitues shumë të mirë, që punojnë dhe kursejnë” dhe “me gjithë krizën i mbajtën paratë në bankë edhe pse fare lehtë mund t'i nxirrnin jashtë shtetit”. Ata kanë pjesën më të madhe të 7.500 llogarive të hapura bankare dhe gjatë vitit 2009 kanë kryer 2.500 dërgesa për Shqipëri me një vlerë prej 8.500.000 euro. Por sa të sigurtë mund të ndihen depozituesit? “Për mendimin tim depozituesit duhet të ndihen plotësisht të sigurtë. Nuk ekziston absolutisht asnjë rrezik, le që depozitat deri në 100.000 euro janë të garantuara nga shteti sipas ligjit, i cili tani me krizën u përforcua dhe më shumë”, thekson Martaqis duke iu referuar edhe kujdesit të veçantë të paketës së ndihmës me 10 miliardë shtesë posaçërisht për bankat, por edhe shtimit eventual të subvencionimit shtetëror.

Koha mund të thuhet se punon për bankat

Pas vendimit të së martës të Bankës Qëndrore Evropiane për pranimin prej saj të çdo lloj obligacioni grek, akoma edhe të zhvleftësuar prej agjensive financiare, koha mund të thuhet se punon për bankat. Fakti, që kemi një kuadër me një sasi të caktuar parash, do të thotë se zhduket plotësishi cilido rrezik apo ankth i qytetarëve rreth depozitave”, theksoi ministri grek i Financave, Jorgos Papakonstandinu, duke pohuar kështu indirekt dhe zgripin, në të cilin u gjenden bankat. Gjithsesi me një recesion në -4% për sivjet dhe dinamikën e borxheve në rritje gjërat nuk ofrohen aspak për qetësi, si për bankat, po kështu edhe për depozituesit.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Angjelina Verbica