1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Spanja duhet të vazhdojë të kursejë

29 Mars 2012

Qeveria spanjolle ka përpara një pranverë të nxehtë. Megjithë zemërimin në rritje të popullsisë për programet e kursimeve ajo planifikon shkurtime të reja. Sindikatat kërcënojnë me greva.

https://p.dw.com/p/14Uf4
Fotografi: AP

Këtë të premte do të jetë zyrtare - kryeministri spanjoll Mariano Rajoy do të prezantojë projektbuxhetin për vitin e ardhshëm. Shkurtimet e forta janë të garantuara pasi vendi i tronditur nga kriza, vitin e kaluar ka mbledhur më shumë borxhe nga sa planifikohej. Për këtë arsye qeveria në Madrid sipas vullnetit të Komisionit të BE-së duhet të ulë deficitin nga aktualisht 8,5 për qind të produktit të brendshëm bruto (PBB) në 3 për qind deri në vitin 2013. Rajoy foli për miratimin e një "buxheti shumë të tkurrur". Një deklaratë shumë e butë përballë faktit që politikanit konservator dy vitet e ardhshme do t'i duhet të kursejë rreth 60 miliardë euro.

Rripi duhet shtrënguar më shumë

Me buxhetin për 2012 përmes rritjes së tatimeve, shkurtimeve të rrogave dhe shkurtimeve në sektorin publik, duhet të mblichen të paktën 35 miliardë euro. Por kështu arrihet vetëm pak më shumë se gjysma e objektivit për rimëkëmbjen e buxhetit. Punonjësit e sektorit shtetëror dhe taksapaguesit duhet të pregatiten për masa më të forta kursimesh. Në një reagim të parë sindikatat bënë thirrje për një grevë të përgjithshme 24 orëshe, e cila filloi të enjten (29.3.).

Greva në Spanjë
Greva në SpanjëFotografi: Getty Images

Në lojë është shumë! Nëse ekonomia e katërt më e madhe e Eurozonës dështon në përpjekjet për të vënë nën kontroll borxhet, kriza mund të ketë zhvillime të paparashikueshme. Meqenëse ekonomia e Spanjës është dy herë më e madhe se ato të Irlandës, Greqisë dhe Portugalisë të marra së bashku, fondet e shpëtimit të BE-së mund të mbingarkohen.

Frika nga rënia sociale

Kursimet në buxhet janë pjesë e një pakete të gjerë reformash, e cila vë para një prove të vështirë paqen sociale të vendit. Vetëm pak javë më parë në shumë qytete dolën në rrugë në mënyrë të përsëritur mijëra vetë. Nëse në demonstrimet e mëparshme spanjollët ishin sjellë të disiplinuar, në Barcelonë dhe Valencia këtë herë pati përleshje. Këto janë të gjitha shenja se frika nga rënia ekonomike dhe sociale ka përfshirë pjesë të mëdha të popullsisë dhe se "reforma jashtëzakonisht agresive", siç e cilësoi hapur ministri i Ekonomisë Luis de Guindos, po e ndryshon pa kuptuar vendin.

Thelbi i programit të reformave janë ndryshimet e thella në tregun e punës. Aty bëjnë pjesë pushimet e shpejta nga puna dhe më shumë fleksibilitet për sipërmarrjet. Në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë janë reduktuar vende të punës ashtu si në ndërmarrjet publike. Pas reformës, të punësuarit në rast shkurtimi të vendit të punës marrin vetëm 33 ditë të paguara në vit dhe jo si më parë 45. Sipërmarrjet në vështirësi financiare madje mund të paguajnë vetëm 20 ditë në vit. Më tej planifikohen lehtësi fiskale për sipërmarrjet, të cilat krijojnë vende pune dhe një kohe prove prej një viti, gjatë së cilës punëmarrësi mund të hiqet nga puna pa kompensim.

Reformat agresive të kursimit po ndryshojnë Spanjën
Reformat agresive të kursimit po ndryshojnë SpanjënFotografi: AP

Papunësia më e lartë në BE

Pak vite më parë Spanja konsiderohej si një vend turizmi në ekspansion. Por pastaj plasi flluska e imobiljeve dhe ekonomia mori të tatëpjetën. Nga kjo goditje vendi ende nuk e ka marrë veten. Spanja ndodhet në një krizë të thellë ekonomike për shkak të mijëra firmave të falimentuara. Shumë njerëz kanë përpara një të ardhur të pasigurt. Me një nivel rekord të papunësh prej 5,3 milionësh mbretëria ka nivelin më të lartë të papunësisë në BE. Madje në grupmoshat nën 25 vjeç niveli i papunësisë arrin madje në 50 për qind dhe tendenca është në rritje. Tani Spanja po paguan gjobën për vendimet e gabuara: për një kohë shumë të gjatë u mbështet në industrinë e turizmit me hotele që bllokonin vijën bregdetare dhe punë të paguara keq në gastronomi në vend që të investonte kërkimin dhe zhvillimin apo të investonte në një edukim të përshtatshëm të brezit të ri. Nuk është çudi që muajt e fundit gjithnjë e më shumë spanjollë kërkojnë fatin jashtë vendit.

Autor: Ralf Bosen/Eliana Xhani

Redaktoi: Lindita Arapi