Socialdemokrati Klaus Wowereit rizgjidhet kryebashkiak i Berlinit
18 Shtator 2011Klaus Wowereit mund të vazhdojë të qeverisë në Berlin, por pavarësisht fitores së qartë socialdemokratët kanë pësuar humbje të vogla. Sidoqoftë koalicioni me Partinë e Majta pas dy mandatesh ka marrë fund. Kësisoj Wowereit-it do t'i duhet të zgjedhë tani si partner të ri koaliconi midis Partisë Ekologjiste dhe asaj Kristiandemokrate. Një opcion tjetër do të ishte vazhdimi i koalicionit mes socialdemokratëve dhe Partisë e Majta, por përderisa kjo e fundit ka humbur elektorat duke arritur të marrë vetëm rreth 10% të votave, do të duhej si partner i tretë për formimin e mazhorancës, bashkëpunimi i Partisë së Piratëve. Kjo është një parti e re, që lufton kryesisht për liri në internet. Kjo parti që deri më sot asnjëherë nuk ka marrë më shumë se 2,1% të votave, është tani e përfaqësuar për herë të parë në parlamentin e një landi.
Socialdemokratët me fitoren në Berlin kanë regjistruar gjithsej suksese në zgjedhjet parlamentare të zhvilluara sivjet në shtatë lande. Partia e Majta me rezultatin më të dobët që pas ribashkimit do të dalë tani në opozitë.
Rezultatet paraprake
SPD në bazë të përllogaritjeve paraprake të votave ka marrë rreth 28,3% nga 30,8% që ka pasur në zgjedhjet e pesë vjetëve më parë në 2006. CDU-ja, forca e dytë në land ka marrë rreth 23,4% nga 21,3% që ka pasur në zgjedhjet e 2006. Ekologjistët pasojnë me 17,6%, partia e Majta 11,7, Partia e Piratëve me 8,9% dhe FDP-ja me 1,8%, duke mos e arritur kësisoj pragun e përfaqësimit me 5%. Pjesëmarrja në votime ishte gati 59%. Gjithsej u ishte bërë thirrje të japin votën 2,47 milionë qytetarëve me të drejtë vote.
Humbje e rëndë për liberal-demokratët
Partia liberal-demokrate pësoi humbjen e pestë në zgjedhjet e zhvilluara gjatë këtij viti për parlamentet e landeve. Në Berlin liberal-demokratët pësuan humbjen më të rëndë qysh pas ribashkimit të Gjermanisë. Një prezantim dinjitoz në parlamentin e ri të Berlinit ka siguruar për herë të parë në Gjermani partia e re e ashtuquajtur partia e Piratëve. Nisur nga fakti që ekologjistët kanë fituar elektorat ka shumë gjasa për pjesëmarrjen e tyre në koalicion. Por i mundshëm është edhe koalicioni me kristiandemokratët.
Kryeqyteti me probleme
Në dy periudhat e fundit legjislative Berlini është qeverisur nga koalicioni mes socialdemokratëve dhe partisë e Majta. Në këtë periudhë senati është përballur me problemet e kryeqytetit, që kishin të bëninpjesërisht me pasojat e ndarjes prej disa dekadash, pavarësisht përpjekjeve pë rreforma dhe kursime, këto probleme ende nuk janë kapërcyer. Landi i Berlinit ka hyrë në borxhe në vlerën gati 64 miliardë euro. Me 13,3% kryeqyteti ka kuotën më të lartë të papunësisë në Gjermani. Berlini ka numrin më të madh të qytetarëve që jetojnë me asistencë sociale. Imazhet e sulmeve brutale nëpër metro dhe makinat që digjen shokojnë opinionin brenda dhe jashtë landit të Berlinit. Këto probleme kanë karakterizuar edhe luftën elektorale, që në përgjithësi ishte e zbehtë.
Autor: Vilma Filaj-Ballvora (dpa)