1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sobianin kryeson në zgjedhjet për kryetar bashkie

aud (AFP, Reuters, dpa)9 Shtator 2013

Rezultatet paraprake jopërfundimtare tregojnë se Sergej Sobianini kryeson në garën për kryetar bashkie të Moskës. Kundërshtari dhe kritiku i Putinit, Aleksej Navalni flet për manipulime të rezultateve paraprake

https://p.dw.com/p/19dtU
Fotografi: Reuters

Kandidati i mbështetur nga Kremlini, Sobianin fitoi më shumë se 57,77 përqind të votave, në bazë të të dhënave që publikoi të dielën në darkë komisioni elektoral i Moskës. Udhëheqësi i opozitës, Navalni fitoi vetëm 21,56% të votave, që do të thotë një rënie e fortë nga ajop që sugjeronin anketimet menjëherë pas përfundimit të votimit, të cilat flisnin se ai kishte fituar 29% të votave.

Më parë, të dielën në mbrëmje, ekipi elektoral i Navalnit u vuri pikëpyetje rezultateve të hershme elektorale. Sobianini ka fituar vetëm 46 përqind të votave, duke mos marrë 50 përqind të tyre, të nevojshme për të fituar pa një raund të dytë votimi, sugjeroi ekipi elektoral i Navalnit. Ai i dha Navalnit 35.6 përqind të votave.

"Të dhënat tona në bazë të anketimeve të bëra menjëherë pas votimit flasin se do të ketë një raund të dytë votimesh në këto zgjedhje," u tha Navalni të dielën në darkë reporterëve në Moskë.

Aleksej Navalni
Aleksej NavalniFotografi: Reuters

Por nëse rezultatet e para jozyrtare konfirmohen, Sobianini del që i ka fituar zgjedhjet në raundin e parë, duke e përjashtuar mundësinë e një raundi të dytë.

Navalni ka qenë udhëheqësi i parë opozitar prej shumë vjetësh që doli në zgjedhje për poste të larta në Rusi. Atë e dënuan me pesë vjet burgim më 18 korrik, me akuzën e përvetësimit të parave, por u lirua të nesërmen, pas protestave.

Blogeri 37 vjeçar ndihmoi në vitin 2011 organizimin e demonstratave masive kundër partisë në pushtet "Rusia e bashkuar". Ai thotë se akuzat kundër tij dhe dënimi që pasoi me burgim e kanë burimin në përpjekjet e tij për të tërhequr vëmendjen në korrupsionin e nivelit të lartë.