1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sllovenia- një model i mirë për Kosovën

Bekim Shehu/Prishtinë6 Mars 2008

Presidenti i Kosovës, F. Sejdiu, tha se njohja e Kosovës nga Sllovenia është e natyrshme, pas mbështetjeve të Sllovenisë për Kosovën. Sllovenia është ndër republikat e para të ish- Jugosllavisë që njeh shtetin e Kosovës

https://p.dw.com/p/DJjQ
Kryeqyteti i Sllovenisë, Ljubljana
Kryeqyteti i Sllovenisë, LjubljanaFotografi: picture-alliance/dpa

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se Sllovenia është një model jashtëzakonisht i mirë për Kosovën në rrugën e mëtejme të integrimeve euroatlantike. Shefi i zyrës sllovene në Prishtinë, Vojko Volk, njoftoi zyrtarisht autoritetet në Prishtinë se vendi i tij Sllovenia njeh Republikën e Kosovës. Për presidentin Fatmir Sejdiu, vendimi i parlamentit slloven për njohjen e shtetit të Kosovës, është një rrjedhë e natyrshme, që vjen gjithmonë pas një mbështetje të vazhdueshme që ka pasur Sllovenia për Kosovën:

"Sllovenia është një model jashtëzakonisht i mirë për ne, që të mbështetemi në rrugën e mëtejme të integrimeve dhe besojmë se do të vazhdojmë këtë partneritet të mirë që e kemi pasur në të gjitha fushat", tha presidenti Sejdiu

Sllovenia është vendi i parë nga ish-republikat jugosllave që njeh shtetin e Kosovës. Në procesin e njohjes, thuhet të jetë edhe Kroacia dhe Maqedonia. Mirëpo, Maqedonia tashmë ka parashtruar kushte para se ta njohë pavarësinë. Fillimisht kërkohet nga autoritetet e Prishtinës që ta njohin marrëveshjen e vitit 2001, ndërmjet Shkupit dhe Beogradit´, sipas së cilës 2500 hektarë tokë të Kosovës kalojnë nën administrimin maqedonas. Autoritetet në Prishtinë nuk pajtohen me këtë qasje të Maqedonisë dhe kërkojnë që Maqedonia fillimisht ta njohë shtetin e Kosovës dhe pastaj të formohet një komision i përbashkët që do ta shënjojë vijën kufitare.

"Eshtë një çështje që ne e kemi quajtur teknike, të përfunduar dhe kjo do të ndodhë në mënyrën më të mirë të mundshme. Mbase mund të ketë dëshira të dikujt tjetër që të ngrisin tensione mes nesh, mirëpo ne nuk e kemi atë qasje dhe besoj se edhe zyrtarët përgjegjës në Maqedoni nuk e kanë këtë interes", tha presidenti Sejdiu.

Sidoqoftë, autoritetet në Prishtinë presin që shumë shpejt edhe vendet e tjera fqinjë do ta njohin shtetin e Kosovës dhe në këtë mënyrë, rajoni i Ballkanit të ketë një synim të përbashkët integrimin në strukturat evropiane.