1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sllobodan Petroviq: Populli është i ngopur me konflikte

9 Gusht 2011

"Ne jemi kundër ndarjes së Kosovës," thotë Sllobodan Petroviq, zëvendëskryeministër i Kosovës, në një intervistë për Deutsche Wellen. Petroviq fillimisht flet për situatën në veri të vendit.

https://p.dw.com/p/12DPt

Deutsche Welle: Si e vlerësoni gjendjen në veri të Kosovës?

Sllobodan Petroviq: Ne u jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë kontribuar në qetësimin e gjendjes. Në veçanti qytetarëve tanë, sepse në pjesët tjera të Kosovës nuk ka pasur probleme. Kjo flet edhe për rolin e përgjegjshëm të institucioneve të Kosovës, në radhë të parë përfaqësuesve të bashkësisë etnike serbe në institucionet e Kosovës. Roli i Partisë sonë liberale reflektohet në të gjitha aktivitetet, që sjellin zgjidhje kompromisi dhe zgjidhje paqësore, ku qytetarët janë fituesit më të mëdhenj. Ne mbështesim të gjitha përpjekjet për zgjidhjen e problemeve me marrëveshje.

Deutsche Welle: Si e vlerësoni rolin e Beogradit në zhvillimet e fundit në Kosovë?

Sllobodan Petroviq: Roli i Beogradit në këtë rast ka qenë i rëndësishëm dhe pres që Beogradi të luajë një rol konstruktiv. Shpresoj se do të arrihet zgjidhje përfundimtare ku të respektohen rendi dhe ligji dhe e cila do të ishte në interesin e të gjithë qytetarëve në Kosovë.

Deutsche Welle: Përfaqësuesit e serbëve të veriut thonë se nuk do t'i respektojnë vendimet e qeverisë së Kosovës. A është në gjendje qeveria e Kosovës të shtrijë pushtetin e saj edhe në veri?

Sllobodan Petroviq: Ky është një proces të cilin e mbështet mbarë bashkësia ndërkombëtare. Nuk ka asnjë vend në botë ku nuk respektohen ligji dhe rendi. Në interesin e çdo qytetari është që të ketë një jetë të sigurt. Kur nuk respektohet ligji, kjo paraqet problem për të gjithë. Vendosja e rendit dhe ligjit më së shumti u pengon atyre, të cilët merren me aktivitete të paligjshme dhe kanë përfitime të mëdha financiare nga një situatë e padefinuar.

Deutsche Welle: A keni pasur ndonjë kontakt me përfaqësuesit e serbëve në veri?

Sllobodan Petroviq: Me ta drejtëpërdrejt jo, por kemi pasur kontakte me serbët në veri. Ne kemi kërkuar prej tyre që të noramalizohet gjendja.

Deutsche Welle: Kohët e fundit ka pasur nga Beogradi kërkesa për ndarjen e Kosovës. Cili është qëndrimi Juaj ndaj këtyre kërkesave: a është e mundshme ndarja e Kosovës?

Sllobodan Petroviq: Ne prej fillimit kemi deklaruar se ndarja e Kosovës do të sillte më shumë dëme se dobi. Të gjithë ne duhet të angazhohemi për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh se në cilën pjesë të Kosovës jetojnë. Kjo është edhe sfida më e madhe e kësaj qeverie. Ne jemi duke punuar në këtë drejtim, ndonëse me siguri që nuk është lehtë. Deklaratat për ndarjen edhe më shumë destabilizojnë gjendjen. Në mungesë të ideve progresive për përmirësimin e gjendjes për të gjithë qytetarët dhe integrime më të shpjeta në Bashkimin Evropian, disa politikanë kanë dhënë deklarata të këtilla dhe e kanë zhvendosur vëmendjen nga temat më të rëndësishme. Sfida më e madhe e Kosovës dhe rajonit është përmirësimi i kushteve ekonomike dhe intgrimi evropian e evroatlantik. Ky është edhe prioriteti i qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Deutsche Welle: A mendoni se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, sepse në shumë qarqe ndërkombëtare thuhet se pa normalizimin e plotë të raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës nuk do të ketë anëtarësim në BE?

Sllobodan Petroviq: Nga Bruskeli është thënë shpesh se njohja e Kosovës nuk është kusht për integrim në BE. Por kusht është vendosja e raporteve më të mira të mundshme. Qytetarët e Kosovës dhe rajonit janë të ngopur me konfrontime dhe raporte të tendosura. Ajo që plotësisht është e sigurt është, se rruga drejt integrimeve evropiane është shumë më e shpejtë dhe efikase, nëse shkojmë së bashku në këtë rrugë. Ky është obligimi i të gjitha qeverive dhe institucioneve në rajon. Ne në të kaluarën kemi humbur tepër kohë dhe tani kemi nevojë për rezultate të jashtëzakonshme për të kompenzuar këtë kohë. Vetëm me këtë rrugë mund të pritet një ardhmëri më e mirë dhe e sigurt e qytetarëve tanë në këto hapësira.

Intervistën e zhvilloi Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama