1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

PORTA GJERMANE

Skermistja Anne Sauer

Jeta e Anne Sauer është familja, shkolla dhe salla e stërvitjes. Maturantja stërvitet në njërin nga klubet më të suksesshme të skermës në botë, në Tauberbishofsheim në jug të Gjermanisë.

default

Anne Sauer

"Zogu, që ngrihet heret, e ha krimbin."

Mund të jetë e vërtetë, por Anne Sauer nuk ngrihet për këtë arsye në orën gjashtë në mëngjez. Vajza e re me flokët e gjatë gështenjë dhe me buzëqeshjen simpatike nuk do që në mëngjez të ketë stres. Kështu ajo e nis ditën duke ngrënë mëngjez me nënën dhe me vëllain e saj 16 vjeçar. E ëma është llogaritare, babai shofer kamioni dhe vetëm në fundjavë në shtëpi. Çdo qoshe e shtëpisë së familjes Sauer rrezaton komoditet dhe familiaritet. Kjo vlen të thuhet edhe për të tërë fshatin. Nxënësja 18 vjeçare jeton në fshatin Reinhardsachsen me 200 frymë në landin Baden-Würtemberg.

Gesichter Deutschlands Porträt AnSaP1

Familja është e rëndësishme për Anne Sauer

Nuk ka shumë kohë që këtu është vendosur lidhja e internetit me DSL. Lidhja me celular nuk funksionon. Këtu është rritur Anne Sauer. Ajo e do këtë vend. Aq shumë, saqë nuk shkon të banojë në Tauberbishofsheim, ku ka shkollën, por bën çdo ditë 70 km me makinë.

Shkollë dhe sport profesionist - një ekuilibër i vështirë për t'u mbajtur

Anne Sauer fut çantën e saj të madhe me gjërat e shkollës dhe të sportit në bagazhin e makinës së saj Ford Fiesta ngjyrë blu të errët. Pastaj niset për në gjimnazin ekonomik në Tauberbishofsheim, një gjysëm ore të mirë udhëtim. Tauberbishofsheim është një qytet i vogël me 13 000 banorë, por me vlerë në botën e skermës. Klubi i skermës është më famë botërore, për shkak të shumë medaljeve olimpike. Në klasën e Anne Sauerit ka edhe të tjerë të infektuar me virusin e skermës. Edhe për maturanten e re një gjë është e qartë: N.q.se do të studiojë më vonë në Würzburg gjermanisht dhe sport, ajo do të vazhdojë të luajë skermë.

Gesichter Deutschlands Porträt AnSaP2

Qëndra olimpike e stërvitjes - shtëpia e saj e dytë

Në orën 13:00 shokët e klasës shkojnë në shtëpi. Anne Sauer shkon në qëndrën e stërvitjes olimpike. Aty nuk bëhet vetëm stërvitje, por edhe mësohet, por para se të fillojë detyrat e shtëpisë, ajo ha me shoqet mesditën në mensë. Aty ka vetëm ushqim për sportistë dhe shumë sallatë. Në fakt Anne Sauer nuk do t'ia dijë për dietë. Biles ajo pranon se nuk heq dot dorë nga çokollata. Por kjo dobësi e vogël nuk ka lënë gjurmë në pamjen e kësaj gruaje të re. Sepse ajo stërvitet fort. Biles edhe të dielën, kur nuk ka stërvitje, ajo luan futboll.

Gesichter Deutschlands Porträt AnSaP3

Anne Sauer gjatë studimit

N.q.se Anne Sauer ka vështirësi me detyrat e shtëpisë, ajo mund t'u drejtohet mësuesve, që janë aty. Anne Sauer di ta vlerësojë këtë ndihmë në qendrën olimpike të stërvitjes. Turp për të pyetur nuk i vjen.

Stërvitje e fortë, por siç duhet

Nga ora 15:00 fillon programi i stërvitjes. Mësim tek trajneri personal, masazh, një herë në javë orar vizite te psikologu. "Një skermist duhet të jetë fizikisht dhe psiqikisht në formë, me qëllim që të ketë rezultate të larta", mendon Anne Sauer. Gjithçka ecen sipas planit të stërvitjes. Para stërvitjes dyorëshe në grup hahet një darkë e lehtë në orën 17:00. Anne Sauer mjaftohet me një gjysëm fete bukë. Fundja, ajo dëshiron të lëvizë shpejt dhe lehtë në sallë. Dhe atje nevojitet gjithçka!

Gesichter Deutschlands Porträt AnSaP4

Gjatë stërvitjes

Qëndrimi, hapi, koncentrimi, gjithçka duhet të jetë në rregull.Dhe kur Anne Sauer dhe vajzat e tjera kanë veshur pajimet e tyre, bëhet skermë si në duel: pa mëshirë.

Kohë për qetësi

Ajo, për të cilën Anne Sauer ka nevojë pas një dite të tillë, është çlodhja. Aty nga ora 21:00 ajo mbërrin në shtëpi.Nëna dhe vëllai e presin, edhe qeni i madh i racës Mia. Atëherë hanë me qejf në kuzhinë dhe bisedojnë. Dhe Anne Sauer ka gjithmonë shumë për të treguar. Ajo ka dëshirë të hajë edhe ndonjë gjë të mirë, natyrisht çokollatë.

Autor: Yardanka Yordanova/Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi

WWW Linke

Audio dhe video për temën

  • Data 02.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Mw04
  • Data 02.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Mw04