1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

NRS-Import

Skaneri për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve përgatitet të fillojë punën

Gjermania angazhohet në procesin për spastrimin e drejtësisë shqiptare nga gjykatës dhe prokurorë të korruptuar dhe të inkriminuar.

Flash-Galerie Justitia als Symbol der Rechtsprechung (picture-alliance/dpa)

Skaneri për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve po përgatitet me kujdes të fillojë punën. Fatmir Xhafaj, kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe një ndër  protagonistët e rrugëtimit të vështirë të miratimit verën e kaluar në Parlament të ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, deklaroi se "përfundoi procesi i shprehjes së interesit nga gjyqtarë dhe prokurorë të vendeve të BE-së  dhe nga SHBA për të qënë anëtarë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, (ONM), strukturës ndërkombëtare që do të mbikqyrë zbatimin e vettingut.

Ndërkombëtarët - garanci për zbatimin rigoroz të ligjit të vettingut.

Në fillim të javës së ardhshme, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit mbërrin në Tiranë për të filluar aktivitetin e tij. Kjo do të thotë që do të fillojë procesi për përzgjidhjen e kandidatëve për 25 anëtarët e dy institucioneve të vettingut: Komisioni i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit, proces që do të monitorohet hap pas hapi nga ndërkombëtarët. Ata janë garancia dhe shpresa e madhe e qytetarëve të Shqipërisë që ligjet do të zbatohen në mënyrë rigoroze dhe për pasojë korrupsioni në drejtësi do të fillojë të ҫmontohet. Përvoja e më shumë se dy dekadave ka treguar që ligjet në Shqipëri, në rastin më të mirë, janë zbatuar ose në mënyrë të pjesëshme ose gabim, në rastin më të keq nuk janë zbatuar fare. Realitetin me të cilin përballet qytetari i thjeshtë e ilustron  më së miri shprehja popullore: "Në Shqipëri ka ligj, por ka edhe Maliq", duke nënkuptuar me emrin "Maliq" individin e pushtetshëm mbi ligjin dhe pandëshkueshmërinë e betonuar deri tani të politikanëve të përfolur për korrupsion dhe pasurim të paligjshëm. Po a do të zbatohen ligjet që parashikon vettingu njëlloj për të gjithë? Shqetësimi për këtë nuk mungon.

Shqetësimet nuk mungojnë

"Shohim me shqetësim disa përpjekje në sistemin aktual të drejtësisë në prokurori dhe gjykata për ta deformuar frymën e detyrimit që parashikon kushtetuta dhe ligjet e reja në këtë fazë të procesit të vettingut. Jemi të angazhuar të mbështesim çdo përpjekje pozitive në këtë proces, por edhe të përgatitur që të ndëshkojmë sot dhe nesër çdo përpjekje për zbatimin e keq të ligjit" - paralajmëron kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj. 

Symbolbild Gesetz Recht (Fotolia/drizzd)

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit që do të monitorojë zbatimin e ligjit të vettingut drejtohet nga Komisioni Europian dhe përfshin vendet anëtare të BE-së dhe ato partnere në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe të bashkëpunimit euro-atlantik. Ai do të drejtohet nga Genoveva Ruiz-Calavera, drejtore në Komisionin Europian (KE)  për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit, me përvoja  më se 25-vjeçare ne KE dhe në rajon, ku ndër të tjera ka marrë pjesë në Task Force të KE për rindërtimin e Kosovës. Sipas kompetencave që i jep ligji Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do të jetë i pranishëm në çdo hap të hetimit të gjyqtarëve dhe të prokurorëve pasi gëzon të drejtën të "hetojë dhe vlerësojë të gjitha faktet dhe rrethanat e nevojshme për procedurën e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe të prokurorëvë".

100 ditë për fillimin e revolucionit në drejtësi.

Sipas afateve ligjore, brenda 30 ditëve, që nga 20 janari 2017,   Presidenti i Republikës do të hartojë  listën e aplikantëve që plotësojnë kriteret formale për të marrë pjesë në organet e vettingut dhe listën e atyre që nuk plotësojnë kriteret formale. Ai do të mbikëqyret nga vëzhguesit ndërkombëtarë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Më pas ONM-ja  do të hartojë listën e vet me ata që plotësojnë ose jo kriteret , e cila mund të jetë e ndryshme nga ajo e Presidentit. Në ditët e para të pranverës së sivjetme do të jetë Parlamenti që do të votojë zgjedhjen e anëtarëve të komisioneve me përbërje të barabartë maxhorancë - opozitë, komisione që kanë për detyrë të verifikojnë dhe të përzgjedhin me një sistem elektronik anëtarët e organeve të vettingut, që do të votohen "si grup" në Parlament. Gjithë procesi parashikohet të zgjasë 100 ditë, afat që mund të respektohet, nëse shmangen bojkote të opozitës apo angazhime të  fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.

Zbatimi i Reformës në Drejtësi është kushti themelor nga BE-ja që të hapë me Shqipërinë  negociatat e anëtarësimit. Ajo që pritet me padurim dhe shpresë është një revolucion në sistemin e korruptuar deri në palcë të drejtësisë aktuale, një revolucion nga ku duhet të dalë një gjyqësor i pavarur që të bëjë drejtësi në një vend si Shqipëria ku politikanë të lartë kanë mbyllur ndjekjen e tyre penale për aferra korruptive për procedurë apo çështje teknike duke korruptuar gjykatës dhe prokurorë dhe duke mos u shpallur as fajtorë, as të pafajshëm.