1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Sjelljet e pafundme misterioze

Në fakt ata punojnë në fshehtësi. Por shërbimet e fshehta gjermane janë aktualisht më fort në vëmendjen e publikut, se sa dëshirojnë, së fundi edhe për shkak të një kontakti të fshehur me celulën neonaziste të Zwickaut.

Zyra Federale e Mbrojtjes së Kushtetutës, Këln

Zyra Federale e Mbrojtjes së Kushtetutës, Këln

Uwe Mundlos, Beate Zschäpe dhe Uwe Böhnhardt njihen ndërkohë në të gjithë Gjermaninë si anëtarë të "Nationalsozialistischer Untergrund", të "Lëvizjes Ilegale Nacionalsocialiste" (NSU). Kjo organizatë ekstremiste e djathtë akuzohet për të paktën dhjetë vrasje dhe atentate të tjera kundër shtetit dhe të huajve në vitet 2000 deri 2007.

Për të mbrojtur rendin demokratik të lirisë në Republikën Federale ndër të tjera edhe nga sulme të tilla, në Gjermani ekzistojnë tri shërbime të fshehta: Mbrojtja Kushtetuese si shërbim i fshehtë i brendshëm, Shërbimi i Fshehtë Federal (BND), përgjegjës për botën e jashtme dhe Kundërzbulimi Ushtarak (MAD) për çështje të ushtrisë gjermane.

Informatorë ekstremistë të djathtë

Shërbimet e fshehta kanë para së gjithash një rol parandalues dhe sqarues. Në radhë të parë ato mbledhin informacione, i vlerësojnë ato dhe i përcjellin. Por pikërisht përcjellja nuk funksionoi disa herë në hetimet për celulën neonaziste terroriste të Zwickaut. Këtë fakt e kritikon ndër të tjera Komisioni Hetimor, të angazhuar në fillim të këtij viti nga të gjitha Grupet Parlamentare të Bundestagut, për të sqaruar aferën e Zwickaut. Kthesa më e fundit e skandalit ndërkohë të përhapur gjerësisht: ky organ mësoi vetëm tani se Kundërzbulimi Ushtarak MAD kishte vendosur kontakt që më 1995 me Uwe Mundlosin. Gjatë shërbimit të detyrueshëm ushtarak, Mundlosi ra në sy si ekstremist i djathtë - kjo me sa duket e bëri tërheqës për shërbimin e fshehtë.

Shefi i MAD-it, Ulrich Birkenheier dha siguri se biseda nuk kishte qenë përpjekje për ta fituar si njeri të besuar Mundlosin. Por edhe sikur të kishte ndodhur kjo, nuk do të kishim të bënim me një skandal, thekson gazetari dhe eksperti i ekstremizmit të djathtë, Patrick Gensing. "Persona ndërmjetësues rekrutohen vazhdimisht", thotë ai në bisedë me DW. "Në atë kohë, Mundlosi nuk ishte terroristi i djathtë vrasës."

Shërbimet e fshehta nuk të lënë t'i kontrollosh

Parlamentarët i shqetëson diçka tjetër - dhe kjo me të drejtë, mendon Patrick Gensing. Në verë, anëtarë të Komisionit Hetimor shkuan tek MAD-i për të parë dosje. Kur pyetën konkretisht atyre iu tha se nuk ka dokumente për Uwe Mundlosin. Kjo përgjigje ishte faktikisht korrekte, sepse protokollet e bisedave me MAD-in në këtë kohë qenë asgjësuar. Që MAD-ia ia kishte përcjellë këto protokolle Mbrojtjes Kushtetuese dhe autoriteteve të tjera në lande, kështu që ato mund të gjendeshin, këtë nuk e tha askush. Dhe ky nuk ishte difekti i parë - pak kohë më parë u mor vesh që Mbrojtja Kushtetuese thjesht i kishte asgjësuar dosje me rëndësi vendimtare.

Komisioni Hetimor parlamentar gjen difekte

Komisioni Hetimor parlamentar gjen difekte

Kontrollimi i shërbimeve të fshehta në përgjithësi duket punë e vështirë. Kompetent për mbikqyrjen e vazhdueshme të tyre janë komisione të ndryshme të kontrollit parlamentar në nivel landesh si dhe Organi i Kontrollit Parlamentar i Bundestagut (PKG) në nivel federate. Qeveritë në federatë dhe lande duhet të informohen, se me se merren shërbimet e fshehta. Në aferën e celulës neonaziste të Zwickaut kjo nuk funksionoi në asnjë aspekt - kjo tashmë dihet. Por edhe Komisionin Hetimor të Bundestagut, i cili ka për detyrë të sqarojë një përmbajtje të caktuar - në këtë rast aferën e celulës nacionalsocialiste- e pengojnë në punën e tij. "Organet e sigurisë dhe qeveria gjermane me sa duket nuk e konsiderojnë të nevojshme që ta informojnë Komisionin Hetimor, kur shfaqen dosje që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me këtë celulë terroriste neonaziste," konstaton Gensing në bisedë me DW.

Trajtim i pakujdesshëm i dosjeve

Këtu nuk kemi të bëjmë me sjellje të qëllimshme, mendon gazetari Hans Leyendecker, i cili ka zbuluar shumë skandale politike. Problemi i madh është mënyra si i trajtojnë brenda tyre të dhënat që ata mbledhin. "Besoj se më e shumta ka ta bëjë me budallallëk," thotë Leyendeckeri në bisedë me DW. Arkivat menaxhohen kaq dobët, sa thuajse askush nuk e njeh tamam përmbajtjen e tyre, mendon Leyendeckeri.