1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Situata politike në Maqedoni në “status-quo”

Protestat antiqeveritare në Maqedoni nuk kanë të ndalur. A duhet që BE-ja të vendosë sanskione ndaj Maqedonisë, shtrojnë pyetjen analistët.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, partia e të cilit është në pushtet, ka dalë me një apel të ashpër drejtuar liderëve të partive më të mëdha maqedonase në vend, VMRO-së dhe LSDM-së, që sa më parë të gjejnë kompromis, duke dëshmuar gatishmëri për përgjegjësi politike. “Këto ditë janë vendimtare për vendin. Përkrahni alternativat për dalje nga kriza, duke dëshmuar gatishmëri për përgjegjësi politike, reforma thelbësore, si dhe rikthim të fuqishëm të agjendës euroatlantike dhe mirëmbajtjes së marrëdhënieve ndëretnike”, ka thënë Ali Ahmeti. Sipas tij, BDI-ja do t'i vazhdojë përpjekjet për të dalë nga kriza, duke mbetur në kontakt të përditshëm me partnerët ndërkombëtarë nga Brukseli dhe Uashingtoni, por edhe në komunikim me partitë nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës.

Partia kryesore opozitare maqedonase LSDM edhe më tej këmbëngul për anulimin e zgjedhjeve të 5 qershorit pa u përmbushur kërkesat nga Marrëveshja e Përzhinës që kanë të bëjë me pastrimin e listës zgjedhore dhe reformimin e mediave. LSDM bën me dije se 4 televizione kombëtare janë nën kontroll të plotë të Gruevskit dhe merren me propagandë. Mediat proqeveritare gjatë këtij muaji kanë emetuar 15 orë lajme në favor të VMRO-DPMNE-së dhe 10 orë lajme negative për LSDM-në. Por e gjithë kjo është e kotë sipas LSDM-së, propaganda nuk do ta shpëtojë nga ligji Nikolla Gruevskin. “Populli është në këmbë dhe situata po ndryshon“. LSDM premton se pas ndryshimit të pushtetit nuk do të ketë më mediume që merren me propagandë kundër opozitës dhe me montime dhe shtrembërrime të së vërtetës.

A do të ketë sanksione për Maqedoninë?

Megjithëse ende nuk pranon t‘i zbardhë, Brukseli nuk ka hequr dorë nga vendosja e masave të reja ndaj Maqedonisë pas dështimit të Marrëveshjes politike dhe mos përmbushjes së reformave urgjente prioritare. Madje situata në vend sipas zëdhënëses së Komisionit Evropian Maja Kocijançiq vazhdon të përbëjë shqetësim të madh për Brukselin. “Situata mbetet ende shumë shqetësuese për ne. Ne mbetemi në dispozicion, por siç e përsëritëm disa herë, përgjegjësia për zgjidhjen e krizës politike në vend është në duart e liderëve politikë. Në deklaratën e një jave më parë theksuam se jemi të detyruar të konsiderojmë veprime të mëtejshme me qëllim që të plotësohen kërkesat e parashtruara nga Këshilli, Komisioni dhe Parlamenti. Unë nuk do të spekuloj rreth tyre”, ka thënë Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Komisionit Evropian.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se Maqedonia do të mund të përballet me sanksione si në aspektin politik, ashtu dhe atë ekonomik, pasi vazhdimisht Shkupi i shpërfill rekomandimet e Brukselit dhe Uashingtonit. “Faza e parë e sanksioneve, për të mos i dëmtuar qytetarët e Maqedonisë, zakonisht praktikohet që në listat e zeza të Uashingtonit dhe Brukselit të hyjnë të gjithë ata të cilët janë të inkriminuar dhe shkelën marrëveshjet e arritura, në fazën e dytë mund të pritet që Maqedonisë t`i merret rekomandimi për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në BE, dhe në fazën e tretë pritet të pasojnë sanksionet ekonomike”, thekson Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Euroatlantik në Maqedoni.

Profesor Denko Malevski, konsideron se Uashingtoni dhe Brukseli, përderisa nuk tërhiqet vendimi i presidentit Ivanov për faljen e politikanëve, nuk do të futen në asnjë lloj debati me politikanët e Maqedonisë. “Akti i faljes së zyrtarëve më të lartë të shtetit për përfshirje në kriminalitet, politikbërësit e Maqedonisë i bënë jo kompetent për t`u ulur për çfarëdolloj bisedimesh me kolegët e tyre nga Evropa ose SHBA”, thekson Denko Malevski.

Sanksionet të çfardo llojit do të kishin ndikim psikologjik më shumë se ndikimi real ndaj ekonomisë së vendit, thotë analisti politik Dame Çkatroski. Ky ndikim psikologjik ndaj qytetarëve do ta destabilizonte sektorin financiar pavarësisht deklarimeve të institucioneve se gjithçka është në rregull. “BE po rikujton sanksionet si masë preventive. Ndonëse ato janë të mundura, sanksione nuk do të ketë”, vlerëson analisti Dame Çkatroski.

Protestat nuk kanë të ndalur

Protestat e Iniciativës civile "Protestoj" kanë hyrë në javën e tretë. Ata kërkojnë tërheqjen e vendimin të presidentit Gjorge Ivanov për falje, dorëheqjen e tij, tërheqjen e vendimit për zgjedhjet më 5 qershor dhe formimin e qeverisë teknike. “Revolucioni shumëngjyrësh”, është emri i protestës në të cilën protestuesit në çdo protestë kanë në shënjestër institucionet dhe objektet e shtetit, të cilat i qëllojnë me bojë. Përveç në Shkup, protesta po mbahen edhe në qytete tjera të Maqedonisë, ku poashtu organizohen kundërprotesta të përkrahura nga partia në pushtet VMRO-DPMNE.

Partia DOM ka shprehur brengosje lidhur me masat e arrestit shtëpiak për dhjetra protestues antiqeveritar. E drejta për protestë është një nga të drejtat themelore në demokraci dhe është e pakumptimtë të arrestohesh me arsyen e vetme se po proteston. Çka vjen pas kësaj, pyetën nga DOM. Orë policore? Partia bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të protestuesve dhe ndërprerjen metodave për frikësim dhe trysni ndaj qytetarëve.