1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Situata në zonat e përmbytura në Shkodër mbetet kritike

10 Dhjetor 2010

Përmirësimi i motit gjatë dy ditëve të fundit, ka bërë që të bjerë me 30 centimetra niveli i ujit në zonat e përmbytura të Shkodrës. Ndonëse rreshjet kanë pushuar, situata në këtë rajon vazhdon të jetë kritike.

https://p.dw.com/p/QV6s
Banorët përdorin varkat për të lëvizur në zonat e përmbytura.
Banorët përdorin varkat për të lëvizur në zonat e përmbytura.Fotografi: DW

Vazhdon të mbetet kritike situata e banorëve të përmbytur në Veri të Shqipërisë. Edhe pse kushtet atmosferike premtojnë për mirë, prezenca e ujit në oborret dhe katet e para të shtëpive, i ka detyruar ato që të ngujohen brenda banesës së tyre dhe të përballen për herë të pestë me betejën me ujin. Banorët shprehen të revoltuar për këtë situatë, pasi sipas tyre kjo përmbytje nuk mund të justifikohet:

Banorët fajësojnë mungesën e masave nga qeveria

“ Po mytemi krejt, me mijëra hektarë janë të mbulueme sot me ujë. Qeveria tashma e ka ba profesion këtë punë, me na mytë sa herë t'i mushet mendja “ - shprehet një banor i revoltuar.

Pamje nga lagje të përmbytura në Shkodër.
Pamje nga lagje të përmbytura në Shkodër.Fotografi: DW

Një tjetër ankohet se askush nga autoritet nuk ka shkuar të interesohet në vend:

“Qeveria asht tuj na mytë. E mbajnë të mushun hidroçentralin me rru pare dhe na lëshojnë ujin ne. Pse s'vinë ato të shtetit me pa një herë se në çfarë gjendjet jena. Tash katër pesë herë vjen uji dhe përmbyten tanë popullin “.

Ka edhe nota optimizmi për përmirësim të shpejtë

Por për një pjesë tjetër e banorëve, që janë të izoluar nga prania e ujit, e shohin me optimizëm gjendjen e krijuar. Ata shprehen se furnizohen rregullisht me ushqime, ujë të pishëm, veshmbathje, medikamente nga varkat e vëna në dizpozicion të tyre nga bashkia e qytetit:

“ Shihet një tendencë rënie të ujit këto dy ditët e fundit. Furnizmi me ushqime po shkon më së miri “.

“ Ka një rënie të ujit në rreth 15 cm. Varkatarët po na furnizojnë rregullisht me ushqime të ndryshme “.

“ Ka një përmirësim të motit i cili na gëzon, pasi kemi gati një javë që jemi të mbytur në ujë. Gjithçka po shkon për mrekulli “.

Rënia e nivelit të ujit në zonat e përmbytura, kryesisht ato të lagjeve periferike të qytetit, jep shpresa për një përmirësim edhe më të madh në ditët në vazhdim, ndërkohë që strukturat e shtabit të emergjencës, vazhdojnë operacionet. Punonjësi i bashkisë që merret me administrimin e mjeteve lundruese, Gëzim Balesi thotë se gjendja paraqitet më e mirë dhe proçesi i furnizimit të banorëve, po kryhet pa probleme:

“I gjithë ekipi i varkëtarëve që kanë ardhur nga Nënshkodra në ndihmë të këtyre banorëve, po punon sistematiksht dhe pa ndërprerje, për furnizimin e tyre me ushqime dhe çdo gjë që atyre u nevojitet .“

Dëmet janë të mëdha

Dëmet në zonat e përmbytura tashmë janë shumë të mëdha. Përveç mijëra banesave dhe bizneseve private, është dëmtuar edhe infrastruktura dhe mjaft objekte sociale. Prej disa ditësh, në të gjithë rrethin e Shkodrës është ndërprerë proçesi mësimor, pasi mjediset dhe konviktet e shkollave, janë vënë në dizpozicion të familjeve të evakuara nga zonat e rrezikshme të përmbytjes.

Autor: Lekë Plani

Redaktoi: Eliana Xhani