1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Situata e brendshme politike në Republikën Çeke nuk do të pengojë presidencën çeke të BE-së

26 Mars 2009

Humbja ditën e martë, në Parlamentin çek e votëbesimit të qeverisë së kryeministrit Mirek Topolanek, nuk do të vërë në rrezik suksesin e Presidencës çeke të Bashkimit Europian.

https://p.dw.com/p/HJwp
Kryeministri çek Mirek Topolanek duke folur në seancën plenare të Parlamentit Evropian, 25 mars 2009.
Kryeministri çek Mirek Topolanek duke folur në seancën plenare të Parlamentit Evropian, 25 mars 2009. "Situata nuk do të prekë Presidencën çeke, theksoi ai.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Presidenti i Parlamentit Europian Hans Gert Pöttering deklaroi, se Presidenca çeke do të gëzojë gjithë mbështetjen e Parlamentit Europian në punën e saj. "Situata e brendshme politike në Republikën Çeke nuk do të pengojë presidencën çeke. Puna do të vazhdojë. Parlamentit Europian do të mbështesë kryeministrin e Republikës Çeke, njëherazi edhe President i Këshilit të Bashkimit Europian, që Presidenca çeke të jetë e sukseshme," tha Hans Pottering.

Në të njëjtën linjë ka qenë dje edhe qëndrimi kryeministrit çek Mirek Topolanek në Parlamentin Europian, ndonëse pas humbjes së votëbesimit ai nuk përjashtoi dorëheqjen e tij. "Situata nuk do të prekë Presidencën çeke. Është një fakt i hidhur që social- demokratët në opozitë po përpiqen ta pengojnë presidencën çeke të BE-së, por shpresoj se ajo do të jetë krejtësisht e sukseshme," tha Mirek Topolanek, dje në Strazburg.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton në një koncerencë shtypi në Bruksel, 6 mars 2009.
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton në një koncerencë shtypi në Bruksel, 6 mars 2009.Fotografi: AP

Deklaratat e djeshme otimiste e kreut të Parlamentit Europian. Pöttering, ka shumë të ngjarë të mbështeten edhe nga opozita socialdemokrate në Parlamentin çek. Pas humbjes së votëbesimit opozita kërkoi që kryemnistri çek Topolanek, të mos japë dorëheqjen deri në përfundim të mandatit të Presidencës çeke të BE-së në qershor të këtij viti dhe krijimin deri atëherë të një qeverie ekspertësh.

Presidenca çeke dhe Shqipëria

Kryeministri çek Topolanek dhe njëherazi, kreu i Presidencës çeke të BE-së, njihet si mbështetes i nismës së qeverisë Berisha dhe i opozitës në Tiranë, për të aplikuar për statusin e vendit kandidat me BE, pavarësisht qëndrimit mjaft të rezervuar të komisionerit Europian për zgjerimin e BE, Olli Rehn lidhur me këtë çështje.

Analistë europianë mendojnë se në rast të rënies së qeverisë Topolanek do të vihej në pikëpyetje e ardhmja e Traktatit të Lisbonës, ratifikimi i të cilit është një nga objektivat e Presidencës çeke. Por Presidenti i Parlamentit Europian, Hans Gert Pöttering, premtoi dje të inkurajojë procesin e ratifikimit të këtij Traktati. "Në emrin tuaj do të doja të inkurajoja Presidentin e Këshillit të BE-së, se në vendin e tij dhe në vende të tjera të BE do të vazhdojë puna për ratifikimin e Traktatit të Lisbonës, tha dje Pöttering duke iu drejtuar europarlamentarëve. Për këtë traktat, vazhdoi ai, është punuar prej 10 vitesh, që me vendimet e Nicës (Francë) për të reformuar BE-në. Tani na kanë mbetur vetëm disa hapa të vështirë për tu hedhur në mënyrë që Traktati të hyjë në zbatim në fillim të vitit 2010. Traktati i Lisbonës na duhet për më shumë mundësi për të vepruar brenda BE, më shumë demokraci dhe transparencë," përfundoi ai.

Presidenti çek Vaclav Klaus, duke folur para Parlamentit Evropian, 19 shkurt 2009.
Presidenti çek Vaclav Klaus, duke folur para Parlamentit Evropian, 19 shkurt 2009. Klaus njihet si kritik i BE-së.Fotografi: AP

Deklarata të tilla optimiste i rrisin shpresat e vendeve të Ballkanit perëndimor, mes të cilave edhe Shqipëria, për të përshpejtuar ritmet e procesit integrues. Ratifikimi i Traktatit të Lisbonës, presupozon edhe kryerjen kët vit të një referendumi tjetër në Irlandë për të ndryshuar "jo"në irlandeze në "Po".

Në ditët në vazhdim do të qartësohet nëse Topolanek do të japë ose jo dorëheqjen. Analistët e shohin jo të lehtë formimin e një qeverie të re, për shkak të rivalitetit mes partive kryesore në Parlamentin çek, partisë demokrate qytetare në pushtet dhe social- demokratëve në opozitë- dhe vështirësive për të arritur një marrëveshje.

Madje edhe humbja pardje, e votëbesimit të qeverise, shihet më tepër si pasojë e rivalitetit të ashpër politik sesa e përfshirjes së ekonomisë çeke në krizën globale. Analistët europianë pohojnë, se situata konfliktuale në Parlamentin çek erdhi dhe u acarua edhe nga kundërshtimi i opozitës për të vendosur afër Pragës, një bazë amerikane të sistemit mbrojtes anti raketë. Në fillim të prillit kryeministri çek Topolanek, pritet të bëjë një vizitë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë. Burime zyrtare pohojnë se në fokus të bisedimeve të me Presidentin Amerikan Barak Obama, pritet të jetë edhe çështja e kësaj baze.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama