Sistemi Informativ Shengen - SIS II
9 Prill 2013Me disa vite vonesë organet evropiane të policisë, të hetimeve dhe të drejtësisë të 26 vendeve anëtare të zonës së Shengenit do të kenë mundësi më 9 prill të fillojnë punën me një sistem të ri informacioni. Sistemi Informativ Shengen (SIS II).
"Ky është një lajm shumë i mirë," tha komisionerja e Punëve të Brendshme të BE-së Cecilia Malmstrëm në Bruksel.
Sistemi Informativ Shengen (SIS II), i cili do t'i vijë në ndihmë hetimit më të mirë të krimeve ishte parashikuar fillimisht të vihej në veprim në vitin 2007. Por kjo nuk mundi të realizohej për shkak të një numri aksidentesh dhe problemesh.
Me ndihmën e kësaj banke të dhënash organet evropiane të kufirit, ato gjyqësore dhe autoritetet policore do të kenë mundësi të shkëmbejnë mes tyre informacione më shpejtë dhe më lehtë se më parë.
Në Sistemin Informativ Shengen (SIS II) ruhen dhe janë të lidhura me njera-tjerën të dhëna mbi kriminelë që janë shpallur në kërkim, mbi fëmijët e zhdukur apo makinat e vjedhura.
Shumë më i shtrenjtë se parashikimet
Probleme shkaktuan edhe kostot për Sistemin Informativ Shengen (SIS II). Vendeve që marrin pjesë në këtë sistem u duhet të përballojnë shpenzime shumë më të larta nga sa qe parashikuar fillimisht: në vend të 15 milionë euro që planifikohej, sipas të dhënave të diplomatëve të BE -së sistemi kushton rreth 160 milionë euro.
Ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich e komentoi fillimin e punës të Sistemit Informativ Shengen (SIS II) me tone të rezervuara. "Unë nuk mund të flas me eufori të madhe për SIS II," tha Friedrich. "Të gjithë kolegët qenë sot mjaft të ngazëllyer për këtë sistem të ri, dhe unë shpresoj qö ai do të jetë i efektshëm. "
Zona Shengen përfshin 26 vende: 22 vende anötare të BE plus Norvegjia, Islanda, Zvicra dhe Lihtenshtajni.