1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sistemi i institucioneve penitenciare në Shqipëri

20 Nëntor 2011

Aktivistët e organizatave, që punojnë në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut, pranojnë një sërë ndryshimesh pozitive në kushtet e të burgosurve dhe të paraburgosurve, por ende ata ngrenë probleme serioze.

https://p.dw.com/p/13DxV
Brenda mjediseve të burgut 302 në Tiranë
Brenda mjediseve të burgut 302 në TiranëFotografi: DW/Muka

Një nga 12 pikat, që duhet të plotesojë Shqipëria për anëtarësimin e saj në BE, është dhe përmirësimi i standardeve në sistemin e institucioneve penitenciare, pra në ambientet e burgimit dhe të paraburgimit. Aktivistët e organizatave, që punojnë në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut, pranojnë një sërë ndryshimesh pozitive në kushtet e të burgosurve dhe të paraburgosurve, por ende ata ngrenë probleme serioze në mënyrën e trajtimit dhe të kushteve të jetësës së tyre. Një prej tyre lidhet me gjendjen e strehimit dhe të trajtimit të atyre të dënuarve, që janë të sëmurë, apo janë në moshë të thyer.

Sistemi i institucioneve penitenciare, si autoritetet administrative, që njihen me ligj për të ekzekutuar vendimet e dhëna nga gjykata për ruajtjen dhe mbikëqyrjen e personave, aktualisht përfshin 21 ambjente burgimi dhe paraburgimi, si dhe një spital për të burgosur dhe një institucion për të miturit. Në bazë të të dhënavë zyrtare të fundit, nga Ministria e Drejtësisë në këtë sistem trajtohen rreth 4 800 të dënuar dhe të burgosur, prej të cilëve rreth 90 janë femra, dhe rreth 130 në moshë të mitur.

Vjollca Meçaj, drejtoresha ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit
Vjollca Meçaj, drejtoresha ekzekutive e Komitetit Shqiptar të HelsinkitFotografi: DW/Muka

Drejtoresha ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Vjollca Meçaj, thotë për DW se në sistemin e burgjeve ka ndryshime të ndjeshme në infrastrukturë, në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe integrimit të tyre, por ende ekzistojnë mjedise burgimi, ose paraburgimi, që sipas saj kanë probleme serioze në trajtimin, që iu bëhet personave, që ndodhen në to.

“Do të përmendja psh burgun e grave në Tiranë, që është në gjëndje, që lë për të dëshiruar. Ka ardhur koha që aty duhet bërë investim edhe për të respektuar barazinë gjinore. Do të përmendja gjithashtu faktin se një personi, që i privohet liria, duhet të kalojë në disa faza. Faza e parë është ndalimi ose shoqërimi, që i bën policia. Në polici problemet janë shumë të mëdha, qoftë nga pikpamja e infrastrukturës, qoftë nga kompetenca a mënyra e trajtimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut për gjithëkënd, që ndalohet, ose shoqërohet nga autoritetet policore. Një çështje tjetër, që kemi konstatuar dhe që kërkon ndërhyrje është përmirësimi i trajtimit të personave me probleme shëndetësore dhe që ndodhen brenda institutioneve të burgimit dhe paraburgimit, veçanërisht ka probleme me ata, që janë të sëmurë mendorë.”

Trajtimi i të burgosurve të sëmurë

Meçaj apelon se prokuroria dhe gjykata duhet të jenë të vëmendshëm ndaj personave, që sëmuren gjatë kohës, kur ata janë duke vuajtur dënimin, si dhe ata që kur kanë kryer veprën penale kanë rezultuar me fakte se janë të sëmurë mendorë. Trajtimi i këtyre të fundit duhet të jetë, sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit, në bazë të ligjit pa u sistemuar në ambjentet, ku qëndrojnë të burgosur ose parabugosur të tjerë. Deri më tani janë evidentuar 70 persona, ndaj të cilëve nuk zbatohet procedura e mjekimit për diagnozën, që kanë dhe për këtë Komiteti Shqiptar i Helsinkit është duke negociuar me autoritetet që të ketë sa më parë një zgjidhje ligjore dhe konform konventave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Kushtet e vështira të të dënuarve, që kanë probleme shëndetësore, ose që janë në moshë të thyer, i ka konstatuar dhe një përfaqësi nga bordi i Qëndrës për Rehabilitimin dhe Kërkimeve të Viktimave të Torturës, RCT, nga Danimarka. Ekipi i RCT-së vizitoi ditët e fundit burgun e Krujës, rreth 60 km larg Tiranës, një institut i veçantë penitenciar, që sipas ekspertëve është një mjedis, që me kushtet që ofron është një format i përzjerë mes një burgu dhe një spitali burgu. Me një kapacitet prej 200 vendesh aty jetojnë persona të dënuar, që vuajnë me sëmundje psiqike dhe kronike, të moshuar mbi 65 vjeç, ose që rezultojnë me aftësi të kufizuara.

Karin Verland, drejtore e përgjithshme e RCT-së
Karin Verland, drejtore e përgjithshme e RCT-së nga DanimarkaFotografi: DW/Muka

Karin Verland, drejtore e përgjithshme e RCT-së, thotë për DW se megjithëse banorët në atë burg ishin në gjendje të rënduar shëndetësore, kushtet e strehimit të tyre ishin të rrënuara, në një ndërtesë të vjetër dhe shumë të ftohtë.

"Të burgosurit rrinin shumë në një dhomë, ishin 6 vetë në një dhomë fare të vogël, ku inventari aty brenda ishte i mjeruar, krevatet e vjetra, karriket dhe tavolina po kështu, një ngrohës i vogël në përdorim. Ishin kushte të paimagjinueshme. Na bëri përshtypje që për të burgosurit ishin në përdorim vetëm medikamente të forta qetësimi, që i mbanin ata në gjendje lodhjeje dhe pafuqie. Pra, pa bërë një diferencim mes nivelit shëndetësor të gjithësecilit. Tjetër. Që të shkoje nga qyteti deri në atë burg për rreth gjysëm ore duhet të kaloje një rrugë në gjendje të tmerrshme. Nuk e imagjinoj se si mund ti vihet në ndihmë këtyre njerëzve kur ata do të kenë nevojë që për arësye shëndetësore të lëvizin për ndihmë urgjente drejt vendit ku do ti jepet një ndihmë më e specializuar. Nuk e imagjoj dot."

Anders Bernhof, që mbulon marrëdhëniet me median në RCT,
Anders Bernhof, që mbulon marrëdhëniet me median në RCTFotografi: DW/Muka

Prof. Laurids Sandager Lauridsen, anëtar i bordit të RCT, nisur nga vizita që ka bërë në burgun e Krujës, por dhe nga kontaktet që ka zhvilluar me autoritetet zyrtare apo aktivistë të të drejtave të njeriut në Shqipëri, thotë se problematika në sistemin e institucioneve penitenciare duhet shikuar me seriozitet dhe me realizmin e hapave konkretë.

Kërkesa të BE

“Përmirësimi i kushteve në burgje është njëri nga 12 pikat, që vendi duhet të plotësojë në procesin e integrimit në BE. Kjo duhet bërë konkretisht, duke investuar me burime financiare dhe njerëzore. Ne e dimë që nga BE janë lëvruar fonde të shumta në përmirësimin e situatës, por nuk duhen lënë pas dore dhe kushtet, si ato që kemi parë psh në burgun e Krujës. Ata njerëz ishin si të izoluar nga bota. Në kushte të mjeruara, si dhe pa mundësi informimi dhe relaksimi. Nëse nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore, apo në moshë të thyer, kjo nuk do të thotë t'i lësh pas dore dhe ti trajtosh në atë mënyrë”.

Prof. Laurids Sandager Lauridsen, anëtar i bordit të RCT
Prof. Laurids Sandager Lauridsen, anëtar i bordit të RCTFotografi: DW/Muka

Anders Bernhof, që mbulon marrëdhëniet me median në RCT, shton rrezikun serioz, që mund të vijë në burgun e Krujës nga fakti që nuk kishte kushte për të realizuar testimet mjekësore për HIV/AIDS, si para se të dënuarit të pranoheshin apo gjatë kohës që ata qëndronin për të vuajtur dënimin.

“Një raport përmbledhës me gjithçka ne kemi kontatuar për trajtimin e të burgosurve dhe të paraburgosurve do ta përgatisim shumë shpejt për t'ua bërë prezente autoriteteve zyrtare dhe rrjetit të organizatave, që punojnë në fushën e të drejtave dhe lirive të njeriut. Trajtimi njerëzor dhe me standarte i atyre, që me ligj u hiqet liria është një parametër, që Shqipëria duhet ta plotësojë në kuadër të përpjekjeve, që vendi bën për t'u afruar në BE.”

Për të përmirësuar gjendjen në ambjentet e burgimit dhe të paraburgimit kontribuojnë dhe një sërë organizatash joqeveritare. Njëra prej tyre, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka në fokus monitorimin e situatës, si dhe asistencën ligjore për të dënuarit, ose ata që janë në paraburgim në pritje të vendimit gjyqësor. Vjollca Meçaj përmend një projekt gati dhjetëvjeçar, që realizohet në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe me mbështetje nga Holanda për të trajnuar stafet, që punojnë brenda institucioneve penitenciare, për të rritur standartet e shërbimit dhe aktivizimit të tyre në respektimin rigoroz të të drejtave të njeriut.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica