Sistemet radio-televizive evropiane në krahasim
31 Gusht 2010Vendi i fundit i BE-së që i dha fund monopolit të televizionit publik ishte Austria. Vetëm në vitin 2003 ajo i lejoi televizionit privat ATV të fillonte transmetimet në mbarë vendin. Gjithësesi dominuese jane programet e televizionit publik ORF. Një rol të madh në Ausrtri luajnë stacionet private gjermane si Sat1, Pro7 oder RTL. Monopoli për një kohë të gjatë i ORF, ndaj së cilës partitë në pushtet në Vjenë kanë ndikim të madh, kishte edhe shkaqe teknike, mungesa e frekuencave tokësore. Falë teknikës digjitale dhe satelitore kjo gjë ka ndryshuar.
Model për stacionet publike në Evropë është British Broadcasting Cooperation (BBC), e cila financohet prej taksave dhe është relativisht larg ndikimit të shtetit. Të ardhurat e saj vjetore janë katër miliardë euro. Veç dy kanaleve kombëtare, atyre rajonale dhe kanaleve tematike prej këtyre të ardhurave financohet edhe BBC World. BBC i shet në të gjithë botën programet e saj edukative duke siguruar në këtë mënyrë të ardhura shtesë. Kanalet private në Britaninë e Madhe ITV, Channel 5 si dhe BSkyB janë shumë më të vegjël se BBC.
Kur bëhet fjalë për televizionin italian të shkon mendja menjëherë te Berluskoni dhe kanalet private Canale 5, Italia 1 dhe Retequattro. Në treg kryeson Canale 5, programi i të cilit është shumë i afërt me qeverinë. Kryeministri ka ndikim të madh edhe tek programet e televizionit publik RAI. Këshilli kontrollues i RAI-t caktohet prej ministrit të Financave. Shefat prej qeverisë. Në këtë mënyrë Berluskoni kontrollon rreth 90% të tregut italian të televizionit, gjë që është kritikuar së tepërmi edhe prej Parlamentit Evropian.
Nga televizon shtetëror në televizion publik
Pas ndryshimeve në Evropën Lindore televizionët e dikurshëm shtetërorë u shndërruan në publikë. Në Poloni p.sh. tregu dominohet prej Televizija Polska (TVP), i cili transmeton në dy kanale brenda vendit dhe TV për jashtë TV Polonia. Në Poloni si dhe në vendet baltike ka edhe një sërë televizionesh private dhe komerciale.
Veç televizioneve kombëtare ekziston edhe Euronews. Ky kanal financohet prej Komisionit të BE-së dhe transmeton në gjuhë të ndryshme evropiane si dhe në arabisht. Qendra e tij është në Lion dhe Euronews bashkëpunon me shumë stacione publike në të gjithë Evropën. Veç tij ekziston edhe kanali kulturor gjermano-francez ARTE si dhe kanali austriako-gjermano-zviceran 3Sat.
BE nuk ka nxjerrë rregulla të posaçme për të gjitha televizionet publike. Për to ekzistojnë vetëm disa rregulla minimale në lidhje me numrin dhe gjatësinë e reklamave si dhe për shfaqjen e filmave me përmbajtje pornografike ose të dëmshme për rininë.
Autor: Bernd Riegert / Pandeli Pani
Redaktoi: Esat Ahmeti