1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sinjale të reja nga Teherani

sti/SC (dpa) / Esat Ahmeti5 Shtator 2013

Urimet më të mira për hebrenjtë me rastin e festës së tyre të Vitit të Ri, një mesazh i guximshëm para klerikëve konservatorë: Presidenti i ri iranian Rohani, të paktën verbalisht, ngjall shpresën për një frymë të re.

https://p.dw.com/p/19cPP
Fotografi: IRNA

Presidenti i ri iranian Hassan Rohani ka shprehur në një mesazh të pazakontë dëshirat më të mira për të gjithë hebrenjve me rastin e Vitit të Ri. "Ndërkohë që dielli po perëndon këtu në Teheran, unë u uroj të gjithë hebrenjve, sidomos hebrenjve iranianö, një Rosh Hashanah të bekuar". Kështu shkruhet në gjuhën angleze në llogarinë twitter të presidentit Rohani. Përndryshe Irani dhe Izraeli vazhdojnë mosmarrëveshjet e tyre mbi programin bërthamor të Teheranit.

"Kundër ekstremizmit, dhunës, manipulimit të fesë"

Fakti që Rohani shprehimisht përmend "të gjithë hebrenjtë", paraqet një ndryshim të rëndësishëm në krahasim me paraardhësin e tij, Mahmoud Ahmadinexhat. Ai e kishte quajtur Izraelin "plagë kanceroze" dhe pati bërë thirrje, që shteti hebre "të fshihet nga harta e botës". Viti i ri i hebrenjve Rosh Hashanah (Koka e Vitit) festohet në dy ditët e para të muajit Tishri në kalendarin hebraik, këtë vit më 5 dhe 6 Shtator. Për hebrenjtë fillon kështu viti 5774. Rosh Hashanah përkujton besëlidhjen midis Zotit dhe Izraelit.

Shumë i qartë ishte edhe një fjalim i Rohanit mbajtur në Këshillin me shumë me ndikim të ekspertëve të fesö në Iran. Fitorja e tij e qartë në zgjedhjet presidenciale ishte një mesazh i qartë i popullit, tha ai në takimin e tij të parë me organin kushtetues, në të cilin shumica i takon kritikëve të Rohanit. "Shumica absolute e njerëzve votuan për mua, sepse unë jam shprehur me vendosmëri kundër ekstremizmit, dhunës, manipulimit të fesë dhe sloganeve, për të cilat çmimin pastaj duhej ta paguante populli", theksoi presidenti. Ai iu referua kështu politikës së parardhësit të tij Ahmadinexhad, i cili është mbështetur për një kohë të gjatë nga këshilli i ekspertëve.

"Njerëzit kanë pyetje dhe dyshime"

Presidenti i ri gjithashtu iu përgjigj kritikave të klerit lidhur me qëndrimin e tij liberal ndaj lirisë së shprehjes së mendimit dhe lirisë së shtypit. "Njerëzit edhe tani kanë pyetje dhe dyshime, dhe ne duhet t'iu japim atyre mundësinë për t'u shprehur lirisht", tha Rohani. Klerikët konservatorë ai i këshilloi që të mos tregohen më "mendjengushtë" me sjelljen e tyre në raport me shoqërinë për shkak se tërë bota tani është e lidhur me anë të internetit, apo televizionit satelitor.

Rohani paralajmëroi në fund që të mos paraqiten si të padëmshme sanksionet ndërkombëtare kundër Iranit. Të ardhurat kryesore të vendit vijnë nga eksporti i naftës. Por për shkak të sanksioneve çdo ditë shiten një milionë barrel (një barel, 159 litra) më pak. Kjo është ngarkesë si për ekonominë ashtu edhe për jetën e njerëzve, ka nënvizuar presidenti i ri iranian Rohani në fjalimin e tij.