1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

CDU Deutsch

Peter Stützle3 Dhjetor 2008

Kristiandemokratët deklarohen në mbështetje të gjuhës gjermane

https://p.dw.com/p/G8Kg
Angela Merkel me sekretarin e përgjitshëm të CDU-së, Ronald PofallaFotografi: AP

Paketa prej më shumë se 40 faqesh e propozuar në Shtutgart u miratua nga shumica e deputetëve, përkundër vullnetit të kryesisë. Për një parti me orientim demokratik kjo nuk është asgjë e re, por kjo dëshmon se kësaj teme në Gjermani i është kushtuar pak vëmendje. Në këtë paketë kësaj çështjeje i ishin kushtuar vetëm tre rreshta. Fjala është për kërkesën e unionit kristiandemokrat, CDU, që gjermanishtja të futet në Kushtetutë si gjuhë zyrtare e vendit.

Që në Gjermani flitet gjermanisht, edhe më parë ka qenë e vetëkuptueshme dhe askush nuk kishte nevojë ta theksonte. Por që në fillim të kongresit në Shtutgart, kryetari i bashkisë Schuster në fjalimin e tij përshëndetës theksoi se gati gjysma e fëmijëve në qytetin e tij kanë një sfond të huaj, pra janë me prejardhje nga ndonjë vend tjetër. Ndërkohë që në kongresin e ekologjistëve u dëgjuan edhe kërkesa, që gjuha turke të shpallet si gjuhë zyrtare në përdorim nëpër komuna apo gjykata. Kjo me shpjegimin se edhe gjuha e pakicave tjera në Gjermani si e danezëve në veri apo sorbëve në lindje gëzon një mbrojtje të posaçme ligjore.

Duket se kristiandemokratët deri tani nuk i kanë trajtuar me shumë vëmendje kërkesat, që turqishtja të bëhet gjuhë zyrtare në Gjermani. Kryeministri i landit të vogël Saarland, i cili vitin e ardhshëm duhet të rizgjidhet në këtë post, ka një ndjenjë më të mprehtë. Ai kërkon, që gjuha gjermane të futet edhe në kushtetutë.

Udhëheqësia e partisë, përmes sekretarit të përgjithshëm të CDU-së Roland Pofalla, deklaroi se kërkesa duhet të trajtohet si të gjitha kërkesat tjera: Duhet t´i kalohet fraksionit CDU/CSU në parlament dhe të fillojë shqyrtimi. Pofalla tha se ky ndryshim duhet të jetë në bllok me ndryshimet tjera kushtetuese, por kryeministri i Sarlandit Peter Müller insistonte. CDU-ja duhet të deklarohet qartë, se cila është gjuha shtetformuese. Shumica e deputetëve ishin të këtij mendimi.

Në artikullin 22 të kushtetutës gjermane thuhet se Berlini është kryeqyteti i vendit, ndërsa flamuri ka ngjyrën e zezë të kuqe dhe të artë. Tani duhet t´i shtohet edhe paragrafi i tretë sipas së cilit, gjuha zyrtare në Gjermani është gjermanishtja. Kjo kërkesë me siguri, që nuk do të zbatohet sot apo nesër, sepse miratimi i saj kërkon dy të tretat e votave në parlament. Kjo shumicë aktualisht nuk ekziston, sepse socialdemokratët nuk janë të këtij mendimi.

Mirëpo vendimi i partisë CDU është një sjinjal shumë i qartë. Kërkohet, që gjuha gjermane të fitojë një peshë më të madhe në përmasat europiane. Shumë konservatorë në Gjermani e shohin gjuhën e Goethes në tërheqje e sipër dhe ata duan ta përmirësojnë këtë dukuri. Eshtë shumë e mundur, që në Gjermani në të ardhmen me këtë temë të fitohet, apo humbet shumica në zgjedhje.