1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sikorski: "Ukraina ka nevojë për kompromise"

Rosalia Romaniec/Auron Dodi3 Shkurt 2014

Jo raprezalje dhe jo kërkesa të tepruara, kështu mund të zgjidhet ndoshta kriza e Ukrainës, thotë ministri i Jashtëm i Polonisë, Sikorski në intervistë me DW. Detyra ai sheh para së gjithash për dy shtete të BE.

https://p.dw.com/p/1B255
Ministri i Jashtëm polak Radoslav Sikorski në Mynih
Fotografi: Rosalia Romaniec

Deutsche Welle: Që në fillim të Konferencës së Sigurisë në Mynih ju u takuat me homologun tuaj nga Ukraina, Leonid Koshara. Deri tani ju keni paralajmëruar për rrezikun e një "skenari të përgjakshëm", që është edhe më tej i mundur në Ukrainë. A ka ndryshuar diçka pas kësaj bisede?

Radek Sikorski: Unë tani kam një kuptim më të mirë për mundësitë e dialogut midis pushtetmbajtësve dhe opozitarëve. Ukrainës i nevojiten urgjentisht reforma dhe ato mund t'i zbatojë vetëm një qeveri e qendrueshme dhe efektive. Unë gëzohem që qeveria e Kievit po shqyrton mundësinë e bisedimeve për ndryshimin e kushtetutës, të cilat do të mundësojnë një barazpeshë më të mirë midis presidentit dhe parlamentit. Në këtë drejtim mund të takohen edhe opozita me pushtetmbajtësit.

Ukraina përsërit se ajo ka nevojë për një "plan Marshall"- njëlloj plani për rindërtimin. Si e sheh qeveria polake këtë kërkesë përballë përvojave të saj me ndihmat në rrugën drejt BE?

Ukraina e ka tashmë një plan Marshall dhe jo të vogël. Më lejoni vetëm t'ju kujtoj, kur e nënshkroi më 1993 Polonia Marrëveshjen e Asociimit me BE, mori vetëm ndihma minimale financiare nga Brukseli. Ne morëm oferta për fonde nga SHBA, por nuk i shfrytëzuam, ose i shlyem ato, që kishim marrë. Kurse Ukraina do të kishte menjëherë një program prej miliardash te FMN, vetëm t'i fillojë reformat. Brukseli ka premtuar ndihma edhe në aspektin makroekonomik, për t'i amortizuar pasojat e doganave të ulëta dhe këtu ekziston me të vërtetë hapësirë veprimi. Ka gjithashtu premtime nga Banka Evropiane për Rindërtimin dhe Banka Evropiane e Investimeve. Me Marrëveshjen e Asociimit besueshmëria e Ukrainës do të rritet dhe me këtë ajo do të merrte edhe kredi më të lira.

Me fjalë të tjera: Ukraina ka ndihmë të mjaftueshme?

Nëse Ukraina dëshiron të flasë për shpenzimet dhe për ndihmë në vënien në jetë të Marrëveshjes së Asociimit, ne duhet të jemi të hapur për këtë.

Sa ngushtë e harmonizoni pozicionin tuaj me pozicionin gjerman?

Ne kemi folur me njëri-tjetrin, sepse ka rëndësi që dy vende të mëdha të BE t'i harmonizojnë pozicionet e tyre - aq më tepër që Gjermania dhe Polonia janë dy vendet në Evropë që interesohen më shumë për Ukrainën. Midis nesh nuk ka dallime. Por të tjerë në BE flasin për sanksione. Për Varshavën dhe Berlinin ky do të ishte një hap i nxituar.

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe ministri i Jashtëm polak Radoslav Sikorski
Fotografi: picture-alliance/dpa

Presidenti Gauck foli në fjalën e tij të hapjes (në Konferencën e Sigurisë në Mynih) për rolin e Gjermanisë. Para tri vjetësh ju i bëtë thirrje në Berlin Gjermanisë që të marrë më shumë përgjegjësi? A keni përshtypjen se tani po ndodh diçka?

Gjermania është angazhuar me të vërtetë në mënyrë të veçantë për qetësimin e tregjeve financiare dhe shpëtimin e euros. Por është e rëndësishme, që diplomacia evropiane dhe institucionet të kenë në duar instrumente, që në emrin tonë të vënë në jetë politikën e përbashkët, për të cilën është rënë dakord.