Sigurimi i ujit të pijshëm dhe sistemi i kanalizimeve të ujërave probleme të qendrave turistike
20 Gusht 2010Niko është një nga personazhet më të njohur në qytetin e Pogradecit. Në rreth 60 vite me aparat në dorë ai ka fiksuar mijëra e mijëra fotografi, kryesisht buzë liqenit, që ka qënë e mbetet stacioni i tij i preferuar. Usta Niko thotë me bindje se ky sezon veror është më i gjallëruar në qytetin e tij. Shkak kryesor është pastërtia e bregut të liqenit, realizimi i investimeve për sigurimin e ujit të pijshëm 24 orë në ditë dhe sistemi i shkarkimeve të ujërave të zeza, tregon ai për DW.
“Sidomos vitet e fundit uji dhe buza e liqenit ishin mjaft të ndotur. Unë kam patur shtëpi këtu buzë liqenit dhe më beso që nuk kishte pushues. Tani që është bërë kolektori është në mënyrë të shkëlqyer. Ndërsa uji i pijshëm është ndoshta më i miri në vend. Kolektori i pastrimit të ujërave të zeza deri në kufi me Maqedoninë, në Shën Naum dhe uji i pijshëm, që buron nga Liqenet e Prespës janë një investim gjerman në mënyrë të shkëlqyer”.
Arta, një shitëse ambulante në plazhin buzë liqenit, thotë se investimet në ujësjellës kanalizime dhe për rikonstruktimin e rrugëve kryesore shumë shpejt do ta njësojnë në cilësi industrinë turistike të pjesës së liqenit të Ohrit në territorin e Shqipërisë me atë të Maqedonisë.
“Ujërat e zeza janë mbledhur, kolektori është pastruar që në muajin shkurt, duke bërë një punë shumë të pastër e të rregullt”.
Mbështetja gjermane në kuadër të mbrojtjes se liqenit të Ohrit
Pogradeci është pjesë e një projekti gjermano-shqiptar për investimet në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, që shkon në afër 130 milion euro për 11 qytete të vendit. Për Pogradecin mbështetja gjermane është bërë në kuadër të programit për mbrojtjen e liqenit të Ohrit, që ka nisur nga zbatimi në disa faza prej vitit 1998.
Sigurimi i ujit të pijshëm dhe sistemi i kanalizimeve të ujërave të zeza kanë qënë dy nga problemet kryesore, me të cilat janë përballur qëndrat turistike buzë liqeneve apo në detin Adriatik e Jon. Për ekspertët e shëndetësisë dhe ata të mbrojtjes së mjedisit harta turistike ka disa zona, që konsiderohen si me nivel të lartë ndotje, që përbën rrezik për shëndetin e pushuesve. Të tilla pika problematike ka në bregdetin e Durrësit, në Vlorë, në Seman, por dhe në liqenet e Shkodrës, të Prespës etj.
Ekspertja e mjedisit Marianthi Guri, nga Qëndra studimore “G&G Group” në Tiranë, thotë për DW se pavarësisht investimeve, që janë bërë në sektorin e kanalizimeve, në rang vendi ato mbulojnë vetëm rreth 75 pëqind të territorit të Shqipërisë. Por në këtë hapësirë të kanalizuar vetëm rreth 25 përqind ka impiante të përpunimit, ose kolektorë. Dhe kjo sipas Gurit është një shifër e ulët, që kërkon angazhim me strategji afatgjatë nga ana e autoriteteve qëndrore e lokale, për aq kohë sa turizmi mbetet një sektor prioritar në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
“Pra mbetet shumë për tu bërë, pasi 75 përqind mbetet rrezik për ndotjen, për infektimin dhe kërcënimin e shëndetit dhe të gjithë ciklit ekologjik. Në këtë drejtim ka probleme me legjilacionin se si do të administrohen. Aktualisht çdo ditë ne ndeshemi me përplasjet për administrimin e ujërave të përdorura, apo dhe ujit të pijshëm. Akoma nuk është zgjidhur, nëse kjo do të jetë në nivel lokal, apo qëndror.”
Kalimi i menaxhimit të ujërave në nivel lokal nuk është i thjeshtë se kjo varet nga kapacitetet, që posedohen dhe kjo nuk duhet konceptuar thjesht si “heqje e barrës” dhe kalimi i kompetencave në duar të tjera, sepse në të vërtetë nuk jep zgjidhje për komunitetin. “Është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi mes autoriteteve lokale e atyre qendrore.”
Marianthi Guri shikon dy efekte kryesore negative të shkarkimeve të ujërave të zeza në sipërfaqet ujore të detrave ose liqeneve: shkaktim të ndotjes kimike dhe e bakteriologjike. Nesë ndotja kimike për shkak të natyrës së saj është e evitueshme me ndërhyrjen e njeriut dhe përdorimin e elementëve e pajisjeve pastruese, ndotja bakteriale sipas Gurit është mjaft e rrezikshme. “Sepse ujërat e zeza, nuk janë si ujërat industriale, që kanë në përbërje metale të rënda, apo elementë kimike. Por ato kanë dhe elemente mikrobiologjikë, që në njësi të vogla kohe në gjëndje qetësie shumëfishohen në miliona herë. Ndaj përzierja e ujërave të zeza me sistemet e ujit të pijshëm, apo derdhja e tyre në ujërat e liqeneve e deteve sjell rrezik të drejtëpërdrejtë për shëndetin e njerëzve”.
Autor: Arben Muka
Redaktoi: Angjelina Verbica