Si gjermanët: Rituale të papritura në zyrat gjermane
2 Nëntor 2017Ai që vjen me vonesë në zyrë në Gjermani e ka të sigurtë që kolegët do ta masin me vështrim nga koka të këmbët. Nganjëherë për këtë mjaftojnë edhe dy minuta vonesë. Veçanërisht kur je i ri në një vend pune duhet të tregosh shumë kujdes për të qenë i përpiktë.
Klisheja e përpikmërisë për gjermanët vazhdon të jetë e justifikuar në shumë sipërmarrje, megjithatë ka edhe elementë të tjerë që duhet t'i mbash parasysh. A solle ndonjë ëmbëlsirë në ditën e parë të punës? Sa e mirë ishte ëmbëlsira?
Ëmbëlsira është çelësi për një fillim të mbarë në vendin e punës. Kur ëmbëlsira është shumë e shijshme madje mund të kompensojë edhe mungesën e përpikmërisë.
Krahas festimit të ditës së parë të punës, ka shumë shkaqe të tjera për të cilat mund të organizosh një festë të vogël në një zyrë gjermane: mbarimi i një projekti, një datëlindje ose mbarimi i mungesës dymujore në punë e një kolegu. Të gjitha këto janë raste që kërkojnë ëmbëlsira - dhe shampanjë, pavarësisht se në cilën orë të ditës. Dhe më zbavitësja është që është ai që e ka datëlindjen që duhet të kujdeset t'i sjellë të gjitha këto gjëra të shijshme për pjesën tjetër të zyrës.
Edhe nëse gjermanët nuk janë të njohur për aftësi të veçanta për biseda të vogla, pikërisht në këto festa në zyrë ata arrijnë që të bisedojnë për gjëra, që nuk kanë të bëjnë fare me punën - për shembull për cilësinë e ëmbëlsirës dhe për përbërësit e recetës së saj.
Megjithëse konsumi i alkoolit ka vendin e vet, festa përkatëse nuk zgjat pa fund. Sapo mbarohet copa e ëmbëlsirës dhe boshatiset gota e shampanjës, secili kthehet në vendin e punës.