1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Si e shohin Beogradi dhe Prishtina asociacionin e komunave serbe

Prishtina zyrtare thotë se asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të themelohet duke respektuar ligjet e Kosovës.

Qeveria e Serbisë është duke e hartuar një statut për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kjo për faktin që sapo të krijohen institucionet e Kosovës, statuti i asociacionit të komunave me shumicë serbe i hartuar nga qeveria e Beogradit të jetë në tavolinën e bisedimeve Prishtinë-Beograd. Kështu ka deklaruar për mediat lokale në Prishtinë shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

“Ne duam që sa më parë të flasim me politikën shqiptare në Kosovë, që të miratojmë statutin e Asociacionit dhe të themelojmë atë. Andaj, kërkojmë që sa më parë të formohen institucionet e Kosovës”, citohet të ketë thënë Marko Gjuriq.

Ai ka thënë se “për detajet e statutit do të flitet me shqiptarët dhe serbët”, por beson se sistemi shëndetësor dhe ai arsimor do të mbesin brenda sistemit të Serbisë.

“Kontribuuesit serbë të Arsimit e të Shëndetësisë në Kosovë paguhen nga Qeveria e Serbisë dhe Beogradi nuk e ka ndërmend ta ndalojë këtë. Kjo do të rregullohet edhe me anë të statutit të Asociacionit të Komunave serbe”, thotë Marko Gjuriq. Në këtë mënyrë qeveria e Serbisë po kërkon marrëveshje politike me Prishtinën, ku shëndetësia dhe arsimi në komunat me shumicë serbe do të mbeteshin nën sistemin e Serbisë.

Asociacioni i komunave serbe sipas ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës

Qeveria e Kosovës nuk e ka komentuar këtë nismë të fundit të qeverisë së Serbisë, mirëpo në deklarimet e mëhershme kryeministri Hashim Thaçi pati thënë se asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të themelohet vetëm duke respektuar ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Ideja për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe buron nga marrëveshja e 19 prillit 2013 Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve. Pas zgjedhjeve lokale të vitit 2013 serbët e Kosovës udhëheqin në dhjetë komuna të Kosovës.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sipas një fjalimi të mëhershëm të kryeministrit Hashim Thaçi, përveç fushave të veprimit, që ndërlidhen me vetëqeverisjen lokale dhe në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, mund të emërojë: një përfaqësues të vetin për anëtar të Bordit Zhvillimor për veriun e Kosovës. ”Ky fond akoma nuk është themeluar në tërësi”, mund të emërojë një përfaqësues të vetin për anëtar të Këshillit Presidencial për Komunitete, mund të mbajë kontakte, ose të krijojë partneritete me asociacionet e ngjashme në Serbi dhe vende të tjera, mund të koordinojë ndihmat financiare, që Serbia i dedikon për komunat me shumicë serbe në Kosovë, të cilat duhet të jenë transparente dhe vetëm brenda kompetencave të komunave, mund të aplikojë për fonde të BE-së dhe mund të grumbullojë fonde tjera për nevoja të projekteve infrastrukturore në nivel të komunave të tjera.

Beogradi akoma po mban gjallë strukturat paralele ne Kosovë

Sidoqoftë themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe do të jetë pjesë e dialogut të ardhshëm Kosovë-Serbi.

Ndërkohë analistët politikë nga ana e tyre thonë se Beogradi me deklarimet nëpërmjet zyrtarëve serbë se po harton statut të veçantë për asociacionin e komunave serbe ende pa e diskutuar me Prishtinën, është një retorikë vetëm për konsum brenda serbëve të Kosovës. Naim Rashiti, analist i pavarur, i tha DW se Beogradi megjithatë po vazhdon të operojë në Kosovë përmes disa institucioneve paralele.

“Beogradi nuk mund të bëjë shumë sa i përket presionit mbi Prishtinën në periudhën e vakumit institucional. Ajo çka po bën Beogradi në këtë kohë, e në veçanti SNS-i, është se po konsolidon partinë në Kosovë dhe vazhdon operimin e gjitha institucioneve serbe në Kosovë, shumica e të cilave është dashur, apo duhet të shuhen me herët.

Prishtina dhe Beogradi kanë që moti draft-statusin e asociacionit, por shihet se pa rifilluar dialogu ky proces nuk ecën. Ajo çka ka thënë zyrtari serb është vetëm për konsumin për serbët e Kosovës, të cilët tani me nxitim po presin të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës”, thotë Naim Rashiti.

Vonesat ne zbatimin e marrëveshjeve kanë ulur entuziazmin për integrimin e serbëve

Naim Rashiti mendon se me gjithë kërkesat e shtuara të Beogradit nuk do të ketë devijim nga ana e Serbisë nga kornizat e marrëveshjes së 19 prillit 2013 Kosovë-Serbi, por vonesat, që po shkaktohen në zbatimin e kësaj marrëveshje, vetëm sa do ta vonojnë integrimin e plotë të serbëve.

“Nuk do të ketë devijim nga marrëveshja e Prillit të vitit të kaluar, por vonesat e mëdha në implementimin e marrëveshjeve kanë ulur entuziazmin dhe kanë shkaktuar hapësira në procesin e integrimit të serbëve në jetën politike dhe institucionale të Kosovës. Pjesëmarrja e Listës “Srpska”, do të përshpejtojë dhe do t'i japë shtytje implementimit të dialogut. Natyrisht do të ketë vështirësi, derisa të vendoset një dialog i mirëfilltë mes partive politike shqiptare dhe qeverisë dhe serbëve. Çështja tjetër është se sa fuqishëm do t'i kontrollojë Beogradi ata, a do t'i inkurajojë apo pengojë në procesin e integrimit”, thotë Naim Rashiti.

Sidoqoftë shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili shpesh i viziton vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë ka thënë se “Serbia do të investojë në zhvillimin ekonomik të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe për këtë nuk mund ta pengojë askush”.