Si do të reformohet drejtësia në Shqipëri?
12 Dhjetor 2007Për herë të parë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë me nismën e Presidentit të Republikës Bamir Topi, organizon një debat të gjerë publik për reformimin e drejtësisë. Veç kryetarëve të gjykatave, prokurorëve avokatëve në nivel kombëtar, marrin pjesë edhe deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik, të misionit të Komisionit Europian në Tiranë, të shoqërisë civile.
Nga duhet filluar?
Cila do të jetë strategjia e refomimit të drejtësisë? Nga duhet filluar? Nën këtë optikë pjesëmarrësit shprehën vizionin dhe perceptimin e tyre për reformën në drejtësi. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibej ju referua raportit të Komisionit Europian për progresin e Shqipërisë në curinë e saj demokratike gjate vitit 2007 kur tha se "drejtësia vuan nga simptoma sëmundjesh të tilla si mungesa e pavarësisë nga politika, mungesa e efikasitetit dhe transparencës ndaj publikut. Pa lënë mënjanë edhe fenomenin e korrupsionit në rradhët e gjyqtarëve.„Këto simptoma të sistemit janë të përhapura pothuajse simetrikisht njëlloj, në të gjitha segmentet e tij duke përfshirë sidomos pushtetin gjyqësor.
Opozita jashtë
Opozita nuk ka marrë pjesë në tryezën e sotme të debateve për reformën në drejtësi duke i qëndruar besnike vendimit të saj të marrë që nga ngritja e komisionit hetimor që arriti të shkarkojë ish Prokuririn e Republikës, Theodhori Sollaku. Por dy parti të koalicionit të majtë opozitar kanë thyer vendimin: Aleanca demokratike dhe Demokracia Sociale u janë bashkuar sot debateve. Neritan Ceka , kryetar i Partisë Aleanca Demokratike, shprehu gadishmërine e forcës së tij politike për të marrë pjesë në reformimn e drejtësisë tha se „ jemi gati të bashkëpunojmë dhe jo t´ju imponojmë bindjet dhe pikpamjet tona."
Bashkëpunim jo imponim
Kufizimi i mandatit të Prokurorit të Republikës, një nga çështjet më të nxehta të debatit mes të majtës dhe tëdjathtës ka marrë një përgjigje sot nga Prokurorja e re e Republikës, Ina Rama. „Jam ,tha numri një i akuzës në Shqipëri, për një mandart të kufizuar në kohë, duke qenë edhe për një mandat të kufizuar të të gjitha institucioneve kushtetuese në Shqipëri."
Tryeza e sotme për reformën në drejtësi do të arrijë në disa konkluzione për strategjinë e refomimit dhe platformën mbi të cilën do të ngrihet procesi i ndërtimit të një drejtësie të pavarur nga politika, efikase dhe transparente, kusht thelbësor që BE dhe NATO t´u hapë dritën e gjelbër progresit të Shqipërisë në aspiratën e saj të integrimit.