1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shumë fatlumë që nuk kemi jetuar në atë kohë

23 Dhjetor 2010

Historia e re e Shqipërisë e cila përkon me periudhën e sundimit të diktaturës komuniste është ende një thjeshtër e studimeve shkencore dhe e trajtimit në shkolla.

https://p.dw.com/p/zot6
Nën regjimin komunist Shqipëria ka qenë ndër vendet më të izoluara të Evropës LindoreFotografi: DW

Të rinjtë shqiptarë dinë shumë pak për periudhën e sundimit të diktaturës komuniste dhe dijet që marrin janë sporadike, të pathelluara dhe jo më pastaj pastaj të analizuara me sy kritik apo nën këndvështrimin krahasues me vende të tjera të ish-bllokut lindor.

Analiza e kësaj periudhe nën këndvështrimin krahasues ishte në qendër të një projekti rinor gjermano-shqiptar të zhvilluar me dy pjesë një në muajin tetor në Shqipëri dhe tjetra në dhjetor në Gjermani.

Schüler in Berlin Thema Deutsche Einheit
1990 - Viti i ndryshimeve të mëdha në EvropëFotografi: DW
Schüler in Berlin Thema Deutsche Einheit
Urrejtja për armikun që në kopsht dhe shkollën filloreFotografi: DW

Të rinjtë që marrin pjesë në projekt ose nuk ishin lindur ose ishin fare te vegjël kur u përmbys diktatura në ish-RDGJ dhe në Shqipëri. Veç njohurive të përgjithshme për periudhën diktatoriale në të dyja vendet, në qendër të projektit ishte analiza e figurës së armikut në media.

Po ashtu të rinjtë morën në analizë edhe sesi edukoheshin njerëzit që në kopsht dhe në bankat e shkollës fillore me urrejtjen për armikun "e jashtëm dhe të brendshëm" dhe të ashtuquajturve "armiqve të klasës" pra atyre që mendonin ndryshe.

Rrethuar nga një det armiqsh

Në konceptin e "armiqve të jashtëm" Shqipëria dallon prej vendeve të tjera të ish-bllokut lindor, sepse pas prishjes së marrëdhënieve me këto vende dhe më pas me Kinën vendi u izolua plotësisht dhe si armiq të jashtëm nuk konsideroheshin vetëm vendet perendimore por edhe ato që me terminologjinë e asaj kohe quheshin "vende revizioniste".

"Shqipëria ka qenë nën regjimin komunist, që prej vitit 1945 deri në vitin 1990. Ka qenë ndër vendet më të izoluara të Evropës Lindore. Deri në njëfarë periudhe ajo pati lidhje ekonomike dhe politike me shtetet e bllokut lindor, por pastaj i prishi marrëdhëniet edhe me ato shtete që u quajtën si shtete revizioniste. Për sa u përket shteteve perëndimore, kufijtë ishin të mbyllur dhe nuk kishte asnjë lloj kontakti." - tregon Anisa nga ato që ka mësuar në shkollë në lëndën e historisë.

Ajo që u bie në sy nxënësve është se diktaturat megjithë ngjashmëritë kanë pasur edhe ndryshime, që lidhen jo vetëm me ashpërsinë e diktatorëve por me ndryshimet në traditën e mëparshme të vendeve apo zhvillimin e tyre.

"Për shembull në Shqipëri, Enver Hoxha dhe partia i mbyllën të gjitha kishat, pra u ndalua totalisht feja, absolutisht çdo lloj feje. Kurse këtu pamë se në ish-RDGJ, feja ka qenë e lejuar apo e toleruar. Ky mendojs se është një tipar që bën dallim midis Shqipërisë dhe Gjermanisë." - thotë Renaldi.

Berlini i papërfytyrueshëm pa një vizitë tek gjurmët e murit

Çdokush që viziton Berlinin nuk mund të mos bëjë një vizitë tek East Site Gallery apo ne Bernauer Straße, ku gjendet edhe qendra e dokumentimit të murit të Berlinit.

Schüler in Berlin Thema Deutsche Einheit
Fotografi: DW


Muri ishte simboli më i qartë i izolimit dhe i ndarjes mes Lindjes dhe Perëndimit. Vizita në qendrën historike në Bernauer Straße ua sjell të rinjve pamje konkrete se s'i mund ta përfytyrojnë atë kohë.

"Ishte shumë e llogaritur mirë çdo gjë, dhe shumë e ndërlikuar mënyra se si kishin vendosur telat, kullat e vrojtimit, atë telin që ishte me sensor që në qoftëse e prekje dilnin plumba nga automatikët. Në Shqipëri nuk ishte kaq e ndërlikuar. Megjithatë edhe në Shqipëri kishte tela, dhe kishte edhe atë dheun që në qoftëse e kaloje dukeshin gjurmët. Arratisje dhe tentativa për t'u arratisur ka pasur si në Shqipëri ashtu edhe në Gjermani. Shumica janë kapur dhe janë dënuar ose vrarë." - tregon Ideni.

Ngjashmëri mes të dy vendeve të rinjtë shohin edhe tek ndërtesat "sidomos fasadat, pallatet të zbukuruara me piktura të stilit komuniste, janë si në Shqipëri edhe këtu. I kemi parë në shumë ndërtesa që kemi vizituar." - shton Eorda.

Mësim konkret në muze

Ajo që u bie në sy dhe i entuziazmon të rinjtë shqiptarë është mënyra se si mësohet dhe përkujtohet historia në Gjermani. Numri i madh i muzeumeve, qendrave përkujtimore dhe atyre të dokumentimit, të cilat përmbajnë shumë objekte nga ajo kohë, të cilat e bëjnë të kuptueshëm dhe shumë më konkret mësimin e historisë së asaj periudhe.


"Në shkollë asnjëherë nuk na kanë çuar në muzeum, dhe rinia shqiptare nuk është se ka pasur shumë impenjim për të mësuar historinë, që të shkojmë individualisht në muze. Nuk është se është bërë ndonjë lloj përpjekje për të na i treguar gjërat në praktikë. Thjesht mbi libra në klasë." - tregon Eorda, e cila mendon se do të ishte shumë mirë që nxënësit të kenë mundësinë që orë të ndryshme mesimore t'i zhvillojnë në muzem.

Te disa nostalgji, te të tjerë refuzim i plotë

Periudha e diktaturës është ende e freskët në kujtesën e shoqërisë shqiptare. Brezi më i vjetër "ndjen një lloj nostalgjie për komunizmin, mbase ngaqë nuk kanë jetuar torturat apo gjërat më të tmershme, por gjithsesi përmendet shumë shpesh nëpër familje ajo periudhë, mënyra se si organizohej shteti, ekonomia apo të tjera." - tregon Era.

Gjithësesi pas gjithë atyre që dinin nga më parë prej pjesëtarëve të familjes, librave apo filmave si dhe atyre që mësuan gjatë projektit të përbashkët konkluzioni për Renaldin dhe të tjerët është i qartë: "Ndjehemi shumë fatlumë që nuk kemi jetuar në atë kohë!"

Projekti u mbështet nga programi Europeans for Peace dhe fondacioni Erinnerung, Verantwortung, Zukunft.

Autor: Aida Cama
Redaktor: Mimoza Cika-Kelmendi