Shumë të vrarë në trazirat në Nigeri
1 Janar 2012Natën duke gdhirë e diela (01.01.2012) dhuna midis dy grupeve rivalizuese në shtetin federal verilindor të Nigerisë, Ebonyi. Siç bëri të ditur zëdhënësi qeveritar nigerian, Onyekachi Eni, një grup njerëzish prej disa vetësh nga komuniteti Ezza sulmoi komunitetin fqinj Ezilo për shkak të një grindjeje për tokë dhe vrau më shumë se 50 vetë. Në rajon u dërguan njësi policore, për të vendosur sërish rend dhe qetësi. Konflikti midis dy grupeve popullore ekziston që prej disa vitesh. Në Nigeri ka herë pas here shpërthime dhune. Shpesh, në vendin me numrin më të madh të popullatës në Afrikë bëhet fjalë për pretendime për toka, sepse varfëria në vend është e madhe, megjithë pasurinë në naftë. Zëdhënësi i qeverisë Eni theksoi se përplasjet nuk janë të lidhura me atentatet më të fundit të sektit radikal-islamik Boko Haram.
Presidenti i Nigerisë, Goodluck Jonathan vendosi të premten gjendjen e jashtëzakonshme në disa rajone trazirash në veri të vendit, pas serisë së atentateve ndaj të krishterëve. Veç kësaj, kufijtë ndërkombëtarë në afërsi të rajoneve të prekura u mbyllën. Gjendja e jashtëzakonshme zgjeron kompetencat e organeve të sigurisë për arrestime dhe bastisje.
Në atentatet kundër vizitorëve të kishave në ditën e parë të Krishtlindjeve, u vranë të paktën 42 vetë. Sekti Boko Haram, që lufton për të vendosur një shtet fetar islamik në Nigeri, pati lajmëruar se do të ndërmarrë aksione të tjera terroriste gjatë festave të vitit të ri. Pas kësaj, shumë komunitete kristjane i anulluan shërbimet fetare të mesnatës në natën e ndërrimit të viteve.Veriu i vendit afrikanoperëndimor banohet kryesisht nga myslimanë, kurse jugu i pasur me naftë banohet nga të krishterët.
Autor: Ursula Kissel (afp, rtr, dapd)/ Auron Dodi
Redaktoi: Lindita Arapi