1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi në gjuhën gjermane me tema për Shqipërinë dhe Kosovën

28 Janar 2011

Nën titullin „Hijet e së kaluarës“ gazeta „Neue Zürcher Zeitung“ komenton në numrin e së enjtes (27.01.) qëndrimin ndaj raportit të Dick Marty-t.

https://p.dw.com/p/1063E
Fotografi: DW

„Neue Zürcher Zeitung“ komenton qëndrimin ndaj raportit të Dick Marty-t:

„Për krimet e përmendura në raportin e Dick Marty-t deri sot askush nuk është vënë para përgjegjësisë. Është e kuptueshme që udhëheqja kosovare nuk ka asnjë interes në një sqarim të plotë të krimeve të Ushtrisë Çlirimtare dhe kapitujve të errët të themelimit të shtetit. Nuk bëhet fjalë vetëm për mizoritë që janë kryer kundër serbëve. Janë vrarë edhe kundërshtarë politikë, para së gjithash përkrahës të ish-presidentit të moderuar Ibrahim Rrugova. Nëse zbehen mitet për UÇK-në dhe pëson krisje imazhi i saj historik, për të cilin janë kujdesur trashëgimtarët politikë të Ushtrisë Çlirimtare, liderët e sotëm e para së gjithash Thaçi humbasin një pjesë të legjitimitetit të tyre. (…) Më shqetësuese është se edhe fuqitë perëndimore dhe mbrojtësit e huaj kanë pasur të njëjtin qëndrim: serbët ishin të këqijtë, shqiptarët të mirët, kaq e thjeshtë ishte. UÇK ishte në luftën e Kosovës një aleate e Nato-s. Perëndimi mbylli sytë me bujari ndaj gabimeve të saj. Ish udhëheqësit e UÇK-së, të cilët nxituan të zëvendësojnë uniformat ushtarake me kostume të fisme dhe qoshkat ku fshiheshin me vila luksoze, konsideroheshin garantë të rendit të pasluftës.

Disa në Perëndim druheshin se në rast destabilizimi të Kosovës mund të bëhej më e fortë thirrja për një bashkim me Shqipërinë, me pasoja shkatërrimtare për Maqedoninë, me pakicën e saj shqiptare. Por ky nuk ka qenë asnjëherë një rrezik real, por më shumë një justifikim. Për vite me radhë objektivi i stabilitetit të Kosovës është vendosur mbi parimet e drejtësisë. Ky konkluzion i Marty-t është i drejtë. Tani kjo duhet të ndryshojë. Një përpunim i krimeve të UÇK-së do të hidhte padyshim dritëhije edhe mbi protektorët e huaj. Kjo nuk e bën më të lehtë detyrën.

Akuzat e ngritura kundër Thaçit kanë shkaktuar një shtrëngim radhësh mes shqiptarëve në Ballkan përtej kufijve shtetërorë. Trashëgimnia e UÇK-së mbrohet kudo. Në refuzimin e raportit të Marty-t janë madje me një qëndrim edhe dy kampet politike në Shqipëri, të cilët luftojnë hidhur njëri-tjetrin që prej ndryshimit 20 vjet më parë. Thuajse të gjithë shqiptarët i shohin akuzat si një komplot serbo-rus, që kanë si objektiv minimin e pavarësisë së shtetit kosovar. (…)

Politikanët në Shqipëri ashtu si shqiptarët e Kosovës duhet të përballen me të kaluarën. Të parët me totalitarizmin e Enver Hoxhës dhe të dytët me krimet e luftës të UCK-së. Ky është kusht për një shtet të vërtetë ligjor. Por tek të dy palët mbizotëron konfrontimi dhe jo kërkimi i debatit politik. Askush nuk e mohon se serbët në Kosovë kanë kryer krime. Mbetet të shpresohet që raporti i Marty-t të bëhet shkas që më në fund edhe shqiptarët e Kosovës të përballen me historinë e tyre të re.", shkruan Neue Zürcher Zeitung.

Nën titullin „Ëndrra të thyera“ gazeta „Frankfurter Allgemeine“ komenton në numrin e sotëm (27.01.) trazirat e fundit në Tiranë.

„(…) Tani, pak ditë pas trazirave Tirana është po aq shumëngjyrëshe dhe kaotike si më parë. Jo vetëm sepse shqiptarët janë tejngopur me dhunën politike. Atyre thjesht u ka ardhur në majë të hundës një politikë, e cila ezaurohet vetëm në luftën e thjeshtë për pushtet, e cila asnjëherë nuk ka mundur të çlirohet nga dyshimi i përgjithshëm për korrupsion. Nuk duroj më fare asnjë politikan, thotë një studente, rrugës për në universitet, dhe kjo vlen për pjesën më të madhe të shokëve dhe shoqeve të saj. Prindërit e saj të premten patën reaguar me panik ndaj pamjeve nga trazirat në televizor. Politika në Shqipëri është e dëmshme për njerëzit me tension të lartë. (…) Por megjithë çtensionimin nëpër rrugë, nuk ka asnjë lëvizje mes fronteve të ngurtësuara mes dy partive të mëdha, demokratëve të Berishës dhe socialistëve të Ramës. Versionet e tyre për ngjarjet e së premtes ndryshojnë aq thelbësisht sa mund të mendosh se nuk bëhet fjalë për të njëjtin vend.

(…) Vëzhguesit ndërkombëtarë tregojnë se në të vërtetë rreth 300 demonstrues i janë kundërvënë policisë, por akuzën e Berishës për puç e konsiderojnë të tepruar. Synimi i Ramës, destabilizimi i qeverisë dhe zgjedhjet e reja të detyruara, është i qartë dhe ai përpiqet ta arrijë atë me ndihmën e opinionit publik ndërkombëtar. Ajo që dëmtohet nga lufta e papajtueshme të dy burrave të fortë është shpresa e shqiptarëve për një evropianizim të shpejtë të vendit të tyre. „Pesë vjet me radhë jam angazhuar plotësisht për arritjen e këtij objektivi“, thotë një diplomate shqiptare, „tani më duket se ëndrra ime është thyer.“, shkruan "Frankfurter Allegemeine Zeitung".

Autor: NZZ / FAZ / përshtati Eliana Xhani

Redaktoi: Aida Cama