Shtypi gjerman për Marrëveshjen e Lisbonës
4 Nëntor 2009Gazeta "Kölner Stadt-Anzeiger" nga Ludvigshafeni shkruan për Marrëveshjen e Lisbonës për reformimin e BE-së:
"Kjo mund të ishte një kthesë për BE-në e cila për një kohë të gjatë dukej si e pamundur. Mund të ishte, sepse ende nuk është e sigurtë nëse Evropa do të shfrytëzojë shansin. Me çfarë duhet të merret Presidenti i Këshillit, çfarë kompetencash duhet të ketë dhe cilat instrumenta? Do të jetë më shumë një burokrat i mirë, apo do të vendosë akcente politike? Po niveli i të ngarkuarit me politikën e sigurisë dhe atë të jashtme: Do të jetë ai një lloj "ministri i Jashtëm", i cili do të veprojë i pavarur nga kolegët e tij nëpër kryeqytete? Nëse kthesa arrihet vërtet, atëherë kryetarët e shteteve dhe të qeverive duhet t`i sqarojnë shpejt këto pyetje. Kjo arrihet më thjeshtë nëse kthehet përgjigje për pyetjen bazë: Sa e fortë dhe sa e pavarur duhet të jetë "Evropa e Lisbonës"?"
"Süddeutsche Zeitung" trajton raportet midis vendeve evropiane në sfondin e Marrëveshjes së Lisbonës:
"Megjithë përparimet në integrimin e vendeve fqinje në BE, problemet mbeten të pazgjidhura, probleme që edhe sot helmojnë klimën. Këtu bëjnë pjesë kontradiktat e Hungarisë me fqinjët, Sllovakinë, Rumaninë dhe Serbinë. Në këto probleme bën pjesë edhe problematika shumë e vështirë e atyre tre milionë gjermanëve dhe hungarezëve, që pas vitit 1945 u dëbuan nga Çekosllovakia. Në një BE të konsoliduar dhe të forcuar në kohezionin e tij, duhet gjetur rasti për të folur hapur dhe me besim për këto çështje dhe për t`i zgjidhur ato përfundimisht."
Autor: dpa/Aida Cama
Redaktoi: Auron Dodi