Shtypi gjerman për kritikat ndaj Ministrit të Jashtëm Guido Westerwelle
11 Mars 2010Udhëtimi në Amerikën e Jugut të ministrit gjerman të Punëve të Jashtme, Guido Westerwelle është shoqëruar në shtypin gjerman me komente për favorizimin, siç thuhet, që i ka bërë ai familjes së tij. Në këtë udhëtim në vazhdim, por edhe në udhëtimin e mëparshëm në Azi, Westerwell-ja ka qenë i shoqëruar nga bashkëshorti i tij, menaxheri i ngjarjeve sportive, Michael Mronz si dhe nga biznesmenë të firmës së vëllait të tij, Kai Westerwelle. Nga numri i së enjtes të gazetës DIE ZEIT për këtë temë shkëpusim:
"Delegacioni ekonomik, që e shoqëroi Westerwellen në mes të janarit në Azi i përket firmës së Ludvigshafenit të vëllait të tij, Kai, siç bëri të ditur "Berliner Zeitung". Me të ishte jo vetëm bashkëshorti i tij, menaxheri i ngjarjeve sportive, Michael Mronz, por edhe një nga partnerët e tij të biznesit.
Që ministrat e jashtëm të marrin me vete partnerët në udhëtime, vërtet është në përputhje me rregulloret e Ministrisë së Jashtme, por paraardhësit e Westerwelles e kishin shfrytëzuar shumë pak këtë mundësi.
Westerwelle i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat në këtë drejtim. Ai tha se Mronzi e shoqëron Westerwellen me shpenzimet e veta dhe rrugës kujdeset jo për bizneset e veta, por për gjëra sociale. Westerwelle tha se udhëtimet e përbashkëta "duam dhe do t'i vazhdojmë."
Por pavarësisht nga shoqërimi prej partnerit, revista "Der Spiegel" e ka kritikuar përbërjen e delegacioneve të Westerwelles. Këto grupe i ngjajnë një "eksurksioni të ndërmarrjes FDP", shkroi Spiegel-i, duke parë te biznesmenët e ftuar mbështetës të partisë liberale FDP."
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane i kundërshtoi akuzat e ndërthurrjes së çështjeve private me ato të punës dhe tha se përbërja e delegacionit që shoqëron Ministrin bazohet vetëm në "ekspertizën profesionale."
Deputetja liberale dhe zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Silvana Koch-Merin e mori në mbrojtje ministrin e Jashtëm. Në gazetën FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG për këtë temë lexojmë:
"Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Silvana Koch-Mehrin (FDP) i interpretoi ndryshe kritikat: "Në vend që të përshëndetet fakti që Ministri Federal i Punëve të Jashtme, Guido Westerwelle e merr me vete bashkëshortin, duke dhënë me këtë një sinjal për një Evropë iluministe, (kritikët) përdorin paragjykimet më të ulta kundër homoseksualëve.""
Ja edhe mendimi i MITTELBAYRISCHE ZEITUNG për këtë temë:
"Presidenti tani duhet të durojë kritikat, se nuk është në gjendje të ndajë nga njëra-tjetra interesat politike nga ato private. Kush jeton në Gjermani në dekadencën e Romës së vonë, zoti Westerwelle? Në krahasim me këtë, afera e Ulla Schmidtit, e cila shkoi për pushime me makinën e shërbimit, është një vogëlsi. "
Autor: Die Zeit/Der Spiegel/FAZ/Auron Dodi
Redaktoi: Eliana Xhani