Shtypi gjerman për heqjen dorë të Uashingtonit nga rrjeti i mbrojtjes raketore
18 Shtator 2009Heqja dorë e Uashingtonit zyrtar nga planet për ndërtimin e rrjetit të mbrojtes raketore në Poloni dhe Çeki, është një prej temave më të komentuara edhe në shtpypin e sotëm gjerman.
Gazeta Stuttgarter Zeitung shkruan:
"Dëshpërimi i madh në Poloni dhe Çeki ka pak të bëjë me planet e Iranit për sulme eventuale. Ato më shumë ishin të interesuara për mbrojtjen amerikane nga fuqia e dikurshme koloniale - Rusia. Në Evropën Lindore e kanë vështirë ta gjejnë vetveten, mes fuqive si Gjermania dhe Rusia, që është e kuptueshme, kur merret në konsideratë e kaluara. Por hija e të së kaluarës nuk duhet t'i ngarkojë raportet e sotme", konstaton kjo gazetë.
Ndërsa në General Anzeiger, që botohet në Bon lexojmë:
"Uashingtoni ka nevojë për Rusinë, për të zbutur krizat e shumta në botë, në radhë të parë atë rreth programit atomik të Iranit. Presidenti amerikan është i gatshëm që për këtë të rrezikojë raportet me Poloninë. Rrjeti i mbrojtjes raketore është kuptuar atje gjithmonë si angazhim i SHBA-së, për mbrojtjen e Polonisë nga Rusia. Por Obama, megjithë simpatitë për Poloninë, nuk ka asnjë interes që t'i ashpërsojë edhe më shumë reflekset anti- ruse në këtë vend", pohon gazeta që botohet në Bon.
Ndërsa komentatori i të përditshmes Landeszeitung Lüneburg, ka mendim shumë të qartë:
"Barack Obama po i varros planet e ish - Presidentit George Bush, për një luftë yjesh. Ndryshimi i drejtimit është i mirë, sepse ndërtimi i rrjetit për mbrojtje nga raketat kishte për qëllim vetëm një efekt psikologjik për paprekshmëri dhe rrethimin e Rusisë prej NATO-s. Vendimi nuk është ndonjë shuplakë e madhe për kancelaren Merkel, sic mendon politikani ekologjist Jürgen Trittin, por është një shuplakë për "evropianët e rinj". Polonia dhe Çekia kanë premtuar një lloj besnikërie vazale si garantë për sigurinë dhe pozitën e privilegjuar në raportet me SHBA-në. Megjithatë ndryshim i drejtimit të Obamës e paralajmëron edhe kancelaren Merkel, e cila pati pranuar pa rezerva argumentimet e ish - Presidentit Bush", pohon komentatori i gazetës Landeszeitung Lüneburg.
Autor: dpa/ Bahri Cani
Redaktoi: Auron Dodi