1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman mbi një-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës

PP/VFB17 Shkurt 2009
https://p.dw.com/p/Gvrx
Fotografi: DW / Görner

Gazeta "Märkische Oderzeitung" shkruan: "Kur një vend është etnikisht i ndarë kaq thellë, ekonomia është për tokë dhe pavarësia mbetet e diskutueshme në arenën ndërkombëtare, premisat për një zhvillim të mirë janë mjaft të këqia. Një vit pas shkëputjes nga Beogradi shtrohet pyetja se sa është në gjendje të mbijetojë ky shtet i ri. Kjo varet qartë prej mbështetjes së BE-së, brenda radhëve të së cilës ka një sërë shtetesh që e refuzojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës për shkaqe politike dhe ekonomike. Për këtë të çudit edhe më tepër ideja e Prishtinës për një pranim sa më të shpejtë në BE dhe në NATO. Me sa duket konflikti me Beogradin do të ënjtet më tej, sepse ky mundohet t'i kundërvihet pavarësisë së Kosovës duke iu drejtuar gjykatave ndërkombëtare. Po ashtu nuk duket e përjashtuar as mundësia e një ndarjeje, që do të çonte në një bashkim me Beogradin të territoreve veriore të banuara prej serbëve. Këtë gjë e pengojnë ende policia e BE-së dhe trupat e NATO-s. Por dikur do të duhet të merret një vendim se ç'do të bëhet me protektoratin Kosovë."


Sipas gazetës «Luxemburger Wort» : "Kosova edhe një vit pas pavarësisë vazhdon të jetë një shtet në krijim e sipër. Procesi i bërjes shtet që mbikqyret nga bashkësia ndërkombëtare po përparon me ngadalë. Por edhe sikur të arrihet që grupet e ndryshme etnike të bashkëjetojnë në paqe, problemet e mëdha ekonomike dhe sociale të vendit do të vazhdojnë. Gjendja do të bëhej edhe më dramatike dhe shpërthyese në rast se bashkësia ndërkombëtare e në radhë të parë vendet e BE-së nuk do të derdhnin në Kosovë qindra milionë euro. Vec kësaj si kudo në Ballkan edhe në kosovë lulëzon kriminaliteti i organizuar dhe korrupsioni. Me një pranim të shpejtë në BE Kosova mund të llogarisë po aq pak sa edhe fqinjët e saj Maqedonia dhe Shqipëria, të cilat nuk janë as ekonomikisht dhe as politikisht të pjekura dhe në gjendje për t'u anëtarësuar në BE. Për këtë Kosova do të vazhdojë të jetë e varur për vite të tëra politikisht dhe financiarisht prej Evropës."