1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shtypi gjerman komenton referendumin

Serbët e Kosovës janë 99, 7 përqind kundër qeverisë në Prishtinë. Serbia i frikësohet kthimit prapa në negociatat për pranim në BE.

Presse

Presse

Gazeta austriake die Presse boton sot artikullin: Referendum: Vetëm 69 serbë të Kosovës për Prishtinën.

"Serbët në shtetin më të ri evropian në Kosovë janë shprehur qartë në një referendum dyditor për mbetjen në Serbi dhe kundër qeverisë shqiptare në Prishtinë. 99,74 e pjesëmarrësve kanë votuar kundër qeverisë së Kosovës, njoftoi agjencia e lajmeve Beta duke iu referuar autoriteteve zgjedhore. Vetëm 69 serbë të Kosovës kanë votuar me po e kështu për Prishtinën. Nga të 35 500 votuesit 75% kanë marrë pjesë në referendum.

Kryetari i bashkisë së Mitrovicës Krstimir Pantic tha: "Qytetarët tanë kanë vendosur, që t'u tregojnë bashkësisë ndërkombëtare, shqiptarëve dhe për fat të keq edhe një pjese të politikanëve në Beograd, se ne nuk do ta pranonim në asnjë mënyrë, që të behemi pjesë e së ashtuquajturës Kosovës e pavarur."

Serbia ka frikë se referendumi do t'i japë goditje përpjekjeve të saj për të fituar statusin e kandidatit për pranim në BE. Parakusht për këtë janë marrëdhëniet e mira fqinjësore ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Prandaj qytetarët në Serbi reaguan në mënyrë kritike ndaj referendumit të bashkëkombasve të tyre. "Maksimumi 20 00 vetë po e tërheqin Serbinë për hunde", i shkruante një shikues stacionit televiziv B92. Rreth 1400 qytetarë të tjerë pajtoheshin me këtë vlerësim në internet. dhe 1200 vetë mbështesnin thënien ironike: "Pjesëmarrja në votime 130 përqind, refuzimi (i qeverisë së Kosovës) 160 përqind."

Michael Martens boton sot në Frankfurter Allgemeine Zeitung artikullin me titull: "E ashtuquajtura republikë- Referendum tek serbët e Kosovës".

Sikur bavarezët të thirreshin në referendum për përmbajtjen që duhet të ketë birra, rezultati do të dihej që më parë. Njëlloj si në rastin e referendumit, që u mbajt të martën dhe të mërkurën në komunat në veri të Kosovës. Pyetja sugjestionuese e referendumit ishte: "A i pranoni institucionet e së ashtuquajturës republikë e Kosovës?"

Që më parë.... ishte e qartë se shumica dërmuese e afro 36 000 serbëve, sipas të dhënave zyrtare, në veri të Kosovës nuk i pranon ato. Këtu ndjehen si pjesë e Serbisë dhe de facto edhe janë. Mësues, mjek dhe nëpunës paguhen nga Beogradi. Tregtarët e pakët privatë në veri jetojnë nga ata, që shpenzojnë nëpunësit e shtetit. Përveç kësaj ka edhe një mafia, e cila mban marrëdhënie stabile multietnike me kriminelët shqiptarë në anën tjetër të kufirit. Qofshin kontrabandistë, nëpunës, apo pronarët e kafeneve të gjithë serbët në veri nuk duan të kenë punë me shtetin kosovar, të krijuar në vitin 2008. Këtu nuk ndryshojnë gjë as deklaratat e politikanëve gjermanë si deputetja gjermane Marieluise Beck, që e dënoi refrendumin si "farsë politike", sepse në veri të Kosovës nuk ka liri demokratike. Farsë mund të jetë, por jodemokratik ai nuk është. Sikur të mund të zgjidhnin me të vertetë serbët në rrethinat e qytetit të ndarë të Mitrovicës do të ktheheshin gjithnjë kundër shtetit të Kosovës. Kush do të donte t'i bindte që të vendosnin për Prishtinën, duhej të përdorte mjete jodemokratike. Serbët e Kosovës do të duhej t'i detyroje të merrnin në konsideratë të drejtat e plota të pakicave, të garantuara me kushtetutë. Po te jetë për to, do të hiqnin dorë prej tyre....

Për t'u theksuar është se qeveria serbe, në rradhë të parë presidenti Tadic, javët e fundit është shprehur vazhdimisht kundër referendumit. Qëllimi i largët i Tadiçit është aneksimi i veriut të Kosovës në shtetin e serb i njohur ndërkombëtarisht, por tani për tani ai në rradhë të parë do Serbia para zgjedhjeve parlamentare të fitojë statusin e kandidatit për pranim në BE. Këtu referendumi në veri prish vetëm punë, sepse 22 nga 27 shtetet e BE-së e kanë njohur Kosovën. Pikërisht për këtë, që të penguar statusin e kanditatit të Serbisë në BE udhëheqësit lokalë serbë në veri të Kosovës marrin mbështetje nga opozita nacionaliste në Beograd. Në tri nga katër komunat në veri të Kosovës kryetari i bashkisë vjen prej këtyre partive....

Opozita do të pengojë në rradhë të parë që DS (partia demokratike e Tadiçit), të hyjë në fushatë me thënien se ajo i ka siguruar Serbisë statusin e kandidatit për në BE. Ndikimi që një status i tillë do të kishte në rezultatet e sondazheve për DS mbivlerësohet. Në një analizë të zyrës së fondacionit Friedrich-Ebert në Beograd, thuhet me statusin e kandidatit për qytetarët as nuk lyhet dot buka dhe as nuk mbushet traktori. Kështu e shohin këtë edhe serbët, entuziazmi i të cilëve për BE ka rënë ndjeshëm. Më parë serbët thonin se edhe ata vetë nuk presin asgjë prej tij, anëtarësinë në BE e donin së paku për fëmijët dhe nipërit.

Autor: faz, die presse/av

Redaktoi: Aida Cama