Shtypi gjerman komenton raportin e Obamas me botën arabe
5 Qershor 2009Fjalimi i presidentit të SHBA Barack Obama në Kajro drejtuar botës myslimane gjen jehonë në shtypin gjerman të së premtes.
Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" komenton:
"Për të gjithë ata që kanë dëshirën e mirë në vendet e botës arabe dhe në botën islamike fjalimi i presidentit Obama në Kajro mund të shënojë një fillim të ri në marrëdheniet me Amerikën. Kjo pasi Obama që ishte i ftuar nga xhamija më e vjetër dhe e nderuar, Al-Azhar si dhe nga Universiteti i Kairos jo vetëm u zgjati dorën muslimanëve me fjalimin e tij. Por ai i përqafoi ata në mënyrë retorike pikërisht atëhere kur ai e quajti fenë islame si pjesë të Amerikës dhe vlerësoi meritat e amerikanëve myslimanë. Por me dëshirën e mirë është si me arësyen e shëndoshë, për të cilën Dekarti përpara 400 vjetësh ka thënë, se secili beson se e ka huazuar atë për veten e tij."
Gazeta "Lübecker Nachrichten" shkruan:
"Më së voni me fjalimin e tij në Kajro u bë e qartë, se Obama e ka seriozisht me distancimin prej axhendës plot pasoja të Bushit dhe se ai do t' i zgjasë dorën botës islamike. Nëse zgjatja e dorës do të pranohet vërtetë, nëse Amerika do t' u presë rrugën ekstremistëve myslimanë duke siguruar për vete mbështetjen e forcave të moderuara -ndonëse në kuptimin perëndimor jo patjetër demokratike - kjo në radhë të parë do të varet prej procesit të paqes në Lindjen e Mesme. Mbyllja e sukseshme, që mund të konsistojë vetëm në zgjidhjen me dy shtete, është në fakt si provë lakmusi për pajtimin me botën islamike."
Autor: dpa/Vilma Filaj- Ballvora
Redaktoi: Auron Dodi