Shtypi gjerman i së mërkurës
4 Shkurt 2009Njoftimi se gjithnjë e më shumë ushtarë gjermanë kthehen të traumatizuar nga misioni ushtarak në Afganistan është në qendër të vëmendjes gazetave gjermane. Sipas informacioneve të ushtrisë gjermane në vitin 2006 në radhët e ushtarëve që ishin kthyer nga Afganistani u konstatuan 55 raste gjendjesh posttraumatike, në vitin 2007, 130 , kurse në vitin 2008, 226 raste.
Në lidhje me debatin për ushtarët e traumatizuar nga misioni ushtarak në Afganistan gazeta "Frankfurter Allgemeine" shkruan:
"Fakti që të plagosur prej misioneve ushtarake nuk kthehen vetëm ata që kanë marrë plagë fizike, por edhe ata me plagë shpirtërore u desh kohë që të pranohej prej radhëve të ushtrisë. Fjala nuk është për ndonjë "sindromë qullacësh", por për një sëmundje, e cila duhet kuruar. Por në radhët të parë prej këtyre lajmeve duhet të nxjerrë mësime politika, e cila duhet të kujdeset më tepër për kushtet e ushtarakëve që dërgon nëpër misione. E rëndësishme tani për tani është që rastet e traumave të ushtarëve që kthehen nga misionet apo ato të vetëvrasjeve gjatë shërbimit nuk trajtohen më si sekrete, por bëhen publike."
"Westdeutsche Zeitung" shkruan:
Në të kaluarën qeveria dhe parlamenti nuk donin ta zinin me gojë luftën dhe presionin e jashtëzakonshëm që bie në shpatullat e ushtarëve. Pas filmit të transmetuar në kanalin e parë të televizionit publik gjerman ARD, "Mirësevini në shtëpi" kjo ka marrë fund, sikurse edhe pamjet e ushtarëve gjermanë që ndihmojnë për shpimin e puseve në Hindukush.