1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së mërkurës për fitoren e Berluskonit

AUD16 Prill 2008

Gazetat gjermane të së mërkurës ndalen në fitoren e qartë të Berluskonit dhe lëvizjes së tij në zgjedhjet parlamentare në Itali dhe tentojnë parashikime për atë që e pret vendin.

https://p.dw.com/p/DiYl
Në fotografi: Berluskoni. Dicitura: Fitore e qartë e Berluskonit në të dyja dhomat e parlamentit italian
Fitore e qartë e Berluskonit në të dyja dhomat e parlamentit italianFotografi: AP

Nga KÖLNISCHE RUNDSCHAU shkëpusim: "Tani kemi të bëjmë për të tretën herë me Silvio Berluskonin. Askush nuk kishte pritur që manjati i mediave të arrinte një fitore kaq të thellë në këto zgjedhje. Tani shtrohet pyetja se çfarë do të bëjë ai me përparësinë kaq të madhe. Koalicioni i tij i ardhshëm qeveritar ka pozita kaq të sigurta, sa mund ta qeverisë me të vërtetë Italinë. Nga pikëpamja teorike, kryeministri i ri mund të realizojë çdo projektligj që i vjen në mendje pa bërë kompromise. Para së gjithash ligje prej të cilave përfiton ai personalisht dhe sipërmarrjet e shumta të tij. A do të bjerë përtokë prestigji i Italisë, si gjatë qeverisjes së tij të fundit në vitet 2001-2006? Ndërthurja e interesave personale me ato private bëri që vendi i preferuar për pushime i gjermanëve të duket si republikë bananesh."

Ndërsa OSTTHÜRINGER ZEITUNG që del në Gera është e mendimit: "Shumica (parlamentare) i ka krijuar kampit të Berluskonit në Parlament një përparësi të rehatshme përballë opozitës së majtë liberale. Këtë, ekspertët politikë e vlerësojnë gjithsesi si rezultatin më të rëndësishëm të zgjedhjeve:edhe pa reformën e së drejtës elektorale, të kërkuar herë pas here, që synon të frenojë ndikimin shkatërrues ndaj qeverisjes të peizazhit të copëtuar partiak, me grupe rivalizuese, u hap një rrugë për një sistem dypartiak. Me këtë para së gjithash është lidhur shpresa për stabilitet politik në një vend, i cili dallohet për numrin më të madh të qeverive dhe për qeveritë më jetëshkurtra në Evropën e pasluftës."

Ja së fundi edhe ESSLINGER ZEITUNG: "Berluskoni kërkon të hyjë si burrë shteti në histori. Prandaj ai duhet të konfirmojë se nuk do ta shpërdorojë edhe njëherë postin e tij, se nuk do të nisë grindje me drejtësinë për të siguruar perandorinë e tij mediatike dhe për të përkëdhelur egon e tij si patriark. Shumica e rehatshme në të dyja dhomat e parlamentit në fakt ofron shansin për ta riparuar Italinë. Por një shndërrim i mjeshtrit të magjive Berluskoni në një politikan pragmatik reformator, do të ishte në kufijtë e një mrekullie."