1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi evropian publikon akuzat që ngre raporti i Dick Marty ndaj kryeministrit Thaçi

15 Dhjetor 2010

Qeveria e Kosovës e ka hedhur poshtë si "shpifës" një raport të përgatitur për Këshillin e Evropës, i cili e vendos kryeministrin Hashim Thaci në lidhje me një rrjet "të tipit mafioz", që trafikonte heroinë dhe organe.

https://p.dw.com/p/QbEW
Kryeministri i Kosovës, Hashim ThaçiFotografi: dpa

Detaje të raportit, të përgatitura nga hetuesi i të drejtave të njeriut, Dick Marty, të cilat pritet të publikohen nesër në Paris, u botuan të martën nga gazeta The Guardian.

Në raport shkruhet se nën Thaçin, politika, siguria dhe aktivitetet kriminale janë kombinuar për të fituar "kontroll të dhunshëm" ndaj të gjithë botës kosovare të ilegalitetit. Sipas raportit, një rrjet i drejtuar nga Thaçi është përfshirë në trafikimin e heroinës, armëve dhe organeve njerëzore pas përfundimit të konfliktit të viteve 1998-1999. Serbët thuhet se janë rrëmbyer dhe vrarë për t'u marrë organet. Anëtarë të rrethit të ngushtë të Thaçit janë gjithashtu të përfshirë, në bazë të raportit, të bazuar në një hetim dy vjeçar.

Qeveria e Kosovës proteston

"Pohimet dhe fajësimet e publikuara nga The Guardian janë hetuar më shumë se një herë nga institucione ligjvënëse lokale dhe ndërkombëtare, dhe çdo herë u arrit në përfundimin se ato kanë qenë pa bazë," deklaroi qeveria e Kosovës në një pozicionim.

Dick Marty, Abgeordneter des Europarats, in Straßburg
Dick Marty, deputet i Këshillit të EvropësFotografi: picture alliance/dpa

Kabineti i Thaçit kërcënoi se do të ndërmarrë "të gjitha veprimet legale dhe politike" kundër Marty-t dhe i bëri thirrje Këshillit të Evropës që ta hedhë poshtë raportin. "Eshtë e qartë se dikush dëshiron ta mbulojë me turp kryeministrin Hashim Thaçi, pas zgjedhjeve parlamentare, në të cilat qytetarët qartë dhe masivisht mbështetën programin e tij për qeverisjen dhe zhvillimin e vendit tonë", bëhet e ditur në deklaratën e qeverisë së Kosovës.

Reagimet e Serbisë pas publikimeve në media

Në Beograd, ku Thaçi u dënua në mungesë si terrorist, zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës, Bruno Vekariç, tha se raporti i Martit, që ka depërtuar në opinion, është "fitore" për Serbinë. Në një deklaratë të publikuar në të përditshmen "Vecerne Njovosti", Vekariç thotë se në sajë të ndihmës së presidentit Boris Tadiç dhe përpjekjeve dhe këmbënguljes së sistemit ligjor serb, "u arrit një fitore dhe iu dha shpresë familjeve të personave të rrëmbyer dhe të humbur." Vekariçi tha se shpreson që raporti do ta bëjë edhe Shqipërinë ta rikonsiderojë pozicionin e saj.

Që nga Moska, ku po qëndron për vizitë, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic i vuri pikëpyetje së ardhmes së kryeministrit Thaçi pas publikimit të raportit. "Unë nuk e di se ç'të ardhme ka ky person, po të marrësh parasysh raportin e Këshillit të Evropës, tha Jeremiç në komente të transmetuara në televizion.

Autor: dpae/afpe/Auron Dodi

Redaktoi: Lindita Arapi